BUKURESHT, 24 nëntor /ATSH-AGERPRES/ - Kryeministri rumun, Victor Ponta emëroi sot Bogdan Aurescu në postin e ministrit të Jashtëm, ndërkohë që po sot pasdite vonë presidenti, Traian Basescu nënshkroi dekretin e emërimit.
Diplomati Bogdan Lucian Aurescu, 41 vjeç, është lauruar për Drejtësi (1996) dhe Histori (1998).
Ai është ligjërues edhe në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Bukureshtit që prej vitit 2012.
Punon në Ministrinë e Jashtme rumune që nga viti 1996.
Aurescu flet rrjedhshëm anglisht dhe frëngjisht.
Ndërkohë, më 18 nëntor, ministri i Jashtëm rumun, Teodor Malescanu dha dorëheqjen pas akuzave sipas të cilave zgjedhjet presidenciale u organizuan qëllimisht keq për votuesit jashtë vendit për të ndikuar kështu në rezultatin përfundimtar të tyre.
Mijëra rumunë që jetojnë jashtë vendit ishin të pakënaqur me organizimin e këtyre zgjedhjeve si edhe me radhët e gjata përpara qendrave të votimit në konsullatat dhe ambasadat e Rumanisë në të gjithë Evropën.
Dorëheqja e Malescanut erdhi pas asaj të paraardhësit të tij, tetë ditë më parë, Titus Corlatean, i përballur edhe ky me të njëjtat akuza.
Gjatë zgjedhjeve presidenciale, mijëra rumunë ishin në pritje të votimit në Paris dhe Torino, ku u desh edhe ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës për vënien e rregullit.
Rreth katër milionë rumunë jetojnë jashtë vendit, veçanërisht në Itali dhe Spanjë./ a.jor.