Rumania i ka kërkuar NATO-s një reagim të përbashkët kundër sulmeve hibride që ia atribuon Rusisë, duke paralajmëruar se Deti i Zi po kthehet në një pikë të dobët për sigurinë evropiane.
Ministri i Jashtëm rumun, Dan Neculăescu, deklaroi më 27 nëntor se kërcënimet ruse përfshijnë një sërë aktivitetesh, nga sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit që synojnë të ndikojnë opinionin publik, deri te operacionet e fshehta ushtarake, ekonomike dhe të inteligjencës.
Sipas ministrit, NATO duhet të kryejë një vlerësim të përbashkët të situatës dhe të shqyrtojë lidhjet e mundshme mes sulmeve të regjistruara në vende të ndryshme, si Gjermania, Estonia dhe Rumania.
“Na nevojitet të paktën një vlerësim i përbashkët i situatës dhe duhet të kërkojmë në mënyrë sistematike lidhjet mes këtyre sulmeve. A janë të njëjtët aktorë pas sulmeve në Gjermani, Estoni apo Rumani?”, u shpreh Neculăescu, sipas mediave gjermane.
Ai bëri të ditur se disa vende anëtare të NATO-s mbështesin përfshirjen e mbrojtjes kundër kërcënimeve hibride në detyrat operacionale të Aleancës, ndërsa të tjera e kundërshtojnë këtë ide, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë.
Gjatë deklaratave të tij, ministri rumun akuzoi Moskën se synon të vendosë kontroll ekskluziv mbi Detin e Zi, duke theksuar se vendet e rajonit kanë të drejtën të mbrojnë sigurinë dhe interesat e tyre.
Neculăescu paralajmëroi se situata në këtë hapësirë detare po bëhet gjithnjë e më shqetësuese për sigurinë e Evropës.
“Në asnjë pjesë tjetër të Evropës nuk përballemi me kaq shumë incidente që ia atribuojmë Rusisë: sulme me dronë, mina detare dhe sulme ndaj anijeve tregtare”, deklaroi ai.
Sipas raportimit të DPA-së, kohët e fundit disa anije tregtare pranë brigjeve rumune janë sulmuar nga dronë që dyshohet se janë rusë. Në disa prej këtyre incidenteve janë regjistruar viktima, të plagosur dhe fundosje anijesh.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, NATO ka shtuar patrullimet ajrore dhe detare në rajonin e Detit të Zi. Ndërkohë, më herët, avionë luftarakë rumunë F-16 kanë rrëzuar dy dronë rusë sulmues me motor reaktiv mbi Detin e Zi, pasi mjetet fluturuese kishin hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë.





Komente
Komento