MOSKË, 23 dhjetor /ATSH-AFP/ - Qeveria ruse urdhëroi kompanitë e mëdha publike eksportuese, kryesisht prodhuesit e hidrokarbureve, të shesin një pjesë të rezervave të tyre në valutë që të mbështesin rublën, një shumë që mund të arrijë deri në 50 miliardë dollarë, njoftoi sot gazeta "Kommersant".
Direktiva iu drejtua kompanive të hidrokarbureve si "Gazprom", "Rosneft" dhe "Zaroubejneft" si dhe prodhuesve të diamantit "Alrosa" dhe "Kristall", sipas të përditshmes ekonomike.
Qeveria u kërkon këtyre kompanive të mbledhin valutat e tyre që kanë grumbullura pas fillimit të tetorit, dhe t'i shesin ato para datës 1 mars.
Disa burime në treg të pyetura nga kjo gazetë vlerësojnë se kjo shumë mund të jetë mes 40 dhe 50 miliardë dollarë, që do të thotë rreth një miliard në ditë.
"Kjo është një shumë e konsiderueshme që përfaqëson një të katërtën e shkëmbimeve të përditshme mbi rublën në Bursën e Moskës", theksoi Kommersant
Që kur kryeministri rus, Dmitri Medvedev, mblodhi kompanitë e mëdha eksportuese të mërkurën e kaluar për t'i mobilizuar në shpëtimin e rublës, monedha ruse arriti të regjistrojë rritje të konsiderueshme, duke lehtësuar Moskën që po përballet me sanksione të rënda ekonomike perëndimore për shkak të krizës ukrainase dhe një rënie të ndjeshme të çmimit të naftës./
/G.S/  A.JOR.