Një polic estonez, arrestuar në Rusi, pasi ishte rrëmbyer në Estoni, sipas Tallinit, u dënua sot për spiunazh nga një gjykatë ruse me 15 vjet burg, deklaroi avokati i tij, Evgueni Aksionov.
"Gjykata rajonale e Pskovit, në veriperëndim të Rusisë, ka shpallur fajtor Eston Kohver për spiunazh, armëmbajtje pa leje dhe kalim të paligjshëm të kufirit rus në përfundim të një procesi gjyqësor me dyer të mbyllura", theksoi ai.
"Prisja një vendim më të butë", shtoi avokati duke theksuar se Kohver do të duhet të vendoste tashmë nëse do ta apelonte vendimin pas bisedimeve me përfaqësuesit e ambasadës së Estonisë.
Diplomacia estoneze e dënoi këtë vendim të drejtësisë ruse ashtu si dhe ndalimin e paligjshëm të estonezit, Kohver në Rusi duke denoncuar një shkelje të ligjit ndërkombëtar, në një komunikate.
"Ne i kërkojmë Rusisë të lirojë menjëherë Eston Kohver (...) dhe të garantojë rikthimin në Estoni në siguri të plotë", nënvizoi ministrja estoneze e Punëve të Jashtme, Marina Kaljurand.
Shërbimet speciale ruse (FSB) kishin konfirmuar në shtator të vitit 2014 arrestimin e Eston Kohver në veriperëndim të Rusisë, pranë kufirit estonez, ndërkohë që po përpiqej të kryente një operacion sekret.