Katër gazetarë rusë janë dënuar nga një gjykatë në Moskë me nga 5 vjet e gjysmë burgim secili për lidhje me Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK) të udhëheqësit opozitar të ndjerë, Aleksei Navalnyt. FBK u shpall i jashtëligjshëm në vitin 2021, në një lëvizje që shihet gjerësisht si e motivuar politikisht.

Antonina Favorskaya, Konstantin Gabov, Sergey Karelin dhe Artyom Kriger u shpallën fajtorë për përfshirje në një grup që ishte etiketuar si ekstremist. Të katër i kanë mohuar akuzat, duke argumentuar se po ndiqeshin penalisht për kryerjen e detyrave të tyre si gazetarë.

Gjyqi me dyer të mbyllura ishte pjesë e një goditjeje ndaj disidencës që ka arritur një shkallë të paprecedentë që kur Moska dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt 2022, shkruan The Guardian.

Favorskaya dhe Kriger punuan me Sota Vision, një gazetë e pavarur ruse e lajmeve që mbulon protestat dhe gjyqet politike. Gabov ka punuar për organizata të shumta, duke përfshirë Reuters. Ndërkohë Karelin, ka punuar për mediat perëndimore, duke përfshirë Associated Press.

Avokatët e gazetarëve thanë se do të apelonin kundër vendimit, të cilin avokatja e Kriger, Yelena Sheremetyeva, e përshkroi si të paligjshëm dhe të padrejtë. Mbështetësit që u mblodhën në ndërtesën e gjykatës brohoritën dhe duartrokitën ndërsa katër gazetarët u nxorrën jashtë sallës së gjyqit pas vendimit.

Navalny ishte kritiku më i ashpër dhe më i shquar i Vladimir Putinit. Ai bëri fushatë kundër korrupsionit zyrtar në Rusi. Navalny vdiq në shkurt 2024 në një koloni penale të Arktikut ndërsa vuante një dënim 19-vjeçar për disa akuza, duke përfshirë drejtimin e një grupi ekstremist, të cilin ai e kishte refuzuar si të shtyrë politikisht.