Gjigandi rus i energjisë bërthamore Rosatom do të fillojë ndërtimin e dy reaktorëve të rinj bërthamorë në Hungari në javët e ardhshme, tha ministri i jashtëm i Hungarisë.

Marrëveshja e arritur midis Rusisë dhe Hungarisë në vitin 2014, synon të zgjerojë centralin bërthamor ekzistues Paks. Industria bërthamore e Rusisë nuk i është nënshtruar sanksioneve të BE-së për pushtimin e Ukrainës.

Lëvizjet për të izoluar dhe sanksionuar eksportet e saj të naftës dhe gazit nuk janë mbështetur pa kushte nga Hungaria. Rusia aktualisht gjeneron 40% të furnizimit me energji elektrike të Hungarisë.

"Le të fillojë ndërtimi!" tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto në një postim në Facebook.

Me dy reaktorët shtesë, termocentrali bërthamor - aktualisht i përbërë nga katër reaktorë të ndërtuar nga sovjetikët - do ta shtojë kapacitetin e tij më shumë se dyfish.

"Ky është një hap i madh, një moment historik i rëndësishëm. Në këtë mënyrë ne do të sigurojmë sigurinë energjetike të Hungarisë në afatgjatë dhe do t'i mbrojmë hungarezët nga luhatjet e egra të çmimeve të energjisë”,  tha Szijjarto në një postim në Facebook "

Ai shtoi se reaktorët bërthamorë mund të jenë gati për të hyrë në funksion deri në vitin 2030.

Projekti i diskutueshëm 12.5 miliardë euro (10.6 miliardë £; 12.4 miliardë dollarë) financohet kryesisht nga Rusia.

Në vazhdën e luftës në Ukrainë, shumë shtete të BE-së janë përpjekur të pakësojnë varësinë e tyre nga furnizimet ruse të energjisë gjë që ka bërë që shumë prej tyre të jenë pranë një krize të rëndë energjetike.