Rusia ka kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj disa zonave civile në Ukrainë, duke shkaktuar viktima në civilë dhe dëme në infrastrukturë, njoftoi Ushtria e Ukrainës më 23 tetor.
Tetë zona civile në rajonet e Donjeckut, Hersonit, Berislavit, Sumit dhe Odesës u sulmuan në serinë më të fundit të sulmeve ruse me dronë dhe raketa, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.
Në Donjeck, një ndërtesë u godit dhe mori flakë si pasojë, tha ministri i Brendshëm Ihor Klymenko në Telegram, pa dhënë hollësi për të dhe vendndodhjen e saj. Zjarri u shua nga zjarrfikësit, shtoi ai.
Ai theksoi se në Herson dhe Berislav, fshatrat Tiaginka, Pridniprovske dhe Mikilske, u goditën nga 14 raketa, ku u plagos një person.
Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse Jugore të Ukrainës raportuan se nëntë dronë rusë, që tentuan ta sulmojnë infrastrukturën në portin e Odesës në Detin e Zi, u rrëzuan mëngjesin e 23 tetorit.
Copëzat e njërit prej dronëve të rrëzuar e dëmtuan një depo dhe shkaktuan zjarr, i cili u shua shpejt, tha ushtria, duke shtuar se nuk u raportua për viktima.
Sulmet me dronë Shahed, të prodhuar në Iran, zgjatën gati katër orë, sipas saj. Në rajonin lindor të Donjeckut u vranë tre civilë në 24 orët e fundit, tha guvernatori rajonal, Ihor Moroz, më 23 tetor.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij do t’iu përgjigjet sulmeve të tilla.
“Ne do të përgjigjemi patjetër ndaj çdo manifestimi të terrorit rus. Dhe ndaj këtij sulmi, po ashtu”, tha ai./REL