TIRANË- Rusia është shprehur e gatshme për të sjellë vaksinën “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Ambasada e Rusisë në Tiranë ka njoftuar qeverinë shqiptare se Rusia ka marrë autorizimin për të negociuar me vendet të cilat janë të interesuara të sigurojnë vaksinën kundër COVID-19.

Postimi në rrjetet sociale vjen si një përgjigje ndaj drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga ku theksojnë se Fondi Rus i Investimeve Direkte është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19.

“Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri”, shkruan letra e publikuar nga ambasada. “Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera”, përfundon postimi.

Ky njoftim vjen në një kohë kur kompania biofarmaceutike britanike-suedeze AstraZeneca tha se do të provojë vaksinën e saj Covid-19 në kombinim me vaksinëm ruse pasi shkencëtarët rusë muajin e kaluar treguan që kombinimi i dy preparateve mund të rrisë efektivitetin e saj, e mbi të gjitha për shkak se kushton më lirë krahasuar me vaksinat e tjera. Aktualisht i vetmi vend që ka nisur bisedimet edhe për marrjen e vaksinave ruse dhe kineze është Serbia.