MOSKE - Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka pezulluar deri në fund të vitit të drejtën e votës për Rusinë si dhe ka përjashtuar zyrtarët e saj nga pozicionet drejtuese si ato të Byrosë dhe komiteteve të Përhershme e Presidenciale. Vendimi erdhi si kundërpërgjigje për aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Delegacioni rus bëri të ditur se do të largohet nga asembleja në shenjë proteste. Aleksey Pushkov, i cili kryeson delegacionin tha se ky vendim është shkelja më e rëndë e të drejtave të Rusisë. Ai shtoi se do të Rusia do të mendohet mirë nëse ende do të jetë pjesë e Asemblesë Parlamentare të Këshillit të Europës

I pyetur lidhur me kritikat e SHBA e BE, Pushkov u shpreh se është e çuditshme se si disa vende të cilat kanë marrë pjesë në sulmet e NATO-s dhe pushtimin e shtetit sovran të Irakut kanë të drejtë t’i tregojnë Rusisë se çfarë duhet të bëjë.

Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin i ka dërguar të enjten një letër vendeve të BE duke i paralajmëruar se borxhi i Ukrainës ka arritur në një pikë kritike dhe mund të ketë pasoja për dërgimin e gazit në Europë. Lajmi u bë i ditur nga agjensia ruse e lajmeve ITAR-TASS pas rrëfimit të një burimi diplomatik. Të mërkurën Putin u kërkoi zyrtarëve të lartë rust ë mos merrnin masa ekstreme ndaj Kievit në lidhje me furnizimin e gazit.

Kryeministri rus Dmitry Medvedev tha se borxhi total i Ukrianës, duke përfshirë dhe 2.2 miliardë dollarë fatura gaz shkon në 16.6 miliardë dollarë. Vendet të cilat mund të penalizohen nga ndërprerja e gazit janë Gjermania, e cila importon mbi 25 miliardë metra kub gaz në vit nga Gazprom si dhe Italia.

Rusia ka ndërprerë edhe më parë furnizimin e gazit për vendet e Europës, i cili kalon nga Ukraina, në vitet 2006 dhe 2009 mbi fatura të papaguara ndaj Gazprom, duke lënë një pjesë të Ukainës pa ngrohje.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)