Vladimir Putin dhe Dmitry Medvedev dhe gjeneralë rusë
Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka lëshuar një tjetër paralajmërim ndaj Bashkimit Europian pasi Brukseli deklaroi se nuk do të ndryshojë praninë diplomatike në Kiev.
“Bashkimi Europian ka njoftuar se do ta mbajë të pandryshuar praninë diplomatike në Kiev pavarësisht paralajmërimeve të Rusisë. Epo, duket qartë që kanë më tepër diplomatë seç duhet dhe duhet të ulin numrin e stafit”, shkroi Medvedev në rrjetin social X.
Pas sulmit masiv ndaj Kievit gjatë fundjavës, Moska paralajmëroi se do të nisë “goditje sistematike” dhe u bëri thirrje diplomatëve të huaj të largohen nga kryeqyteti ukrainas. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, zhvilloi edhe një telefonatë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për ta informuar mbi planet e Moskës.
“Goditjet do të synojnë qendrat e vendimmarrjes dhe postet komanduese. Qytetarëve të huaj, përfshirë personelin e misioneve diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare”, u është kërkuar urgjentisht të “largohen nga qyteti sa më shpejt të jetë e mundur” , deklaroi Ministria e Jashtme ruse.
Pas paralajmërimeve të Moskës, Bashkimi Europian deklaroi se nuk do të frikësohet nga kërcënimet.
“Rusia po kërcënon sërish diplomatët dhe të huajt dhe po na kërkon të largohemi nga Kievi. Por ne nuk po shkojmë askund. Rusia kërkon frikë, panik dhe izolimin e Ukrainës. Nuk do t’ia dalë. Europa nuk po shkon askund. Ne mbetemi në Kiev. Ne mbetemi me Ukrainën”, shkroi ambasadorja e BE-së në Kiev, Katarína Mathernová.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i quajti kërcënimet ruse “retorikë”.
“U bëjmë thirrje partnerëve tanë të mos i nënshtrohen këtij shantazhi rus”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Sulmet në Kiev rrezikuan edhe ambasadorin shqiptar, Moska kërcënon diplomatët europianë: Largohuni ose do të goditeni! BE thërret ambasadorin rus në Bruksel







