Në Gjenevë, SHBA-të, Ukraina dhe Rusia pritet të ulen sërish për një raund të ri bisedimesh. Të synuara për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës prej Rusisë, këto bisedime shënojnë raundin e tretë të negociatave që përfshijnë të tria vendet.
Raundi i parë dhe i dytë u zhvilluan në Abu Dabi, më 23 dhe 24 janar, si dhe më 4 dhe 5 shkurt.
Megjithatë, ditët e fundit, Donald Trump ka pretenduar se Volodymyr Zelensky duhet të ndryshojë qëndrimin e tij dhe se ai beson që Rusia dëshiron paqe. Presidenti amerikan ka shprehur herë pas here bindjen e tij se Ukraina nuk dëshiron paqe.
Duke folur në bordin e Air Force One, Trump u pyet për pritshmëritë e tij nga bisedimet dhe i përshkroi ato si “bisedime të mëdha”.
Ai shtoi se “do të jetë shumë e lehtë”, dhe paralajmëroi se “Ukraina më mirë të vijë shpejt në tryezë. Kaq po ju them.”
Të pranishëm në bisedime do të jenë edhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff. Dyshja do të jetë e zënë sot, pasi po zhvillojnë gjithashtu bisedime të tërthorta me Iranin, po ashtu në Gjenevë, me synim dhënien fund të mosmarrëveshjes së gjatë bërthamore.
Delegacioni i Ukrainës drejtohet nga Rustem Umerov, ndërsa Rusia ka dërguar Vladimir Medinsky si kreun e delegacionit të saj. Ekipet nga Rusia dhe Ukraina kanë mbërritur në Gjenevë përpara bisedimeve që do të zhvillohen më vonë gjatë ditës së sotme.
Kremlini thotë se “nuk ka gjasa të ketë ndonjë lajm” nga bisedimet trepalëshe. Zëdhënësi Dmitry Peskov u tha gazetarëve se bisedimet, të planifikuara të nisin këtë pasdite në Gjenevë, Zvicër, do të zhvillohen me dyer të mbyllura dhe pa media. Ai shtpi se ato do të vazhdojnë edhe nesër.
Komente











