"Unë do të jem i përfshirë në ato bisedime, në mënyrë indirekte", u tha presidenti amerikan gazetarëve në bordin e Air Force One në lidhje me negociatat që nisin sot në Gjenevë.
"Ata duan të arrijnë një marrëveshje... Nuk mendoj se duan pasojat e mosarritjes së një marrëveshjeje", nënvizoi presidenti amerikan.
Gjeneva do të jetë një udhëkryq diplomatik në orët në vijim. Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur në qytetin zviceran për raundin e dytë të negociatave indirekte me Iranin mbi programin bërthamor të Teheranit, të ndërmjetësuar nga Omani.
Axhenda e bisedimeve do të përqendrohet ekskluzivisht në çështjen bërthamore dhe heqjen e sanksioneve, raportoi televizioni shtetëror iranian. Teherani përsëriti të drejtën e tij për të pasuruar uranium, duke specifikuar se negociatat me SHBA-në do të zhvillohen në konsullatën e Omanit në Gjenevë.
Burime iraniane të cituara nga agjencia e lajmeve Tasnim vunë në dukje se "heqja e plotë e sanksioneve është një pjesë integrale e çdo procesi diplomatik dhe prania e ekspertëve ekonomikë dhe teknikë në bisedime është një shenjë e kësaj".
Komente










