Rusi/ Përfitimet financiare të gjeneralit rus nga minierat siriane

Rusi/ Përfitimet financiare të gjeneralit rus nga minierat siriane

Sergei Surovikin

Gjenerali rus që mbikëqyrë luftën kundër Ukrainës ka përfituar nga marrëveshjet luksoze që përfshijnë gruan e tij biznesmene, minierat siriane të fosfatit dhe pagesat e dyshimta nga një biznesmen i lidhur me Kremlinin, thuhet në një hulumtim të ri.

Këto përfundime, të nxjerra nga hetuesit e organizatës të aktivistit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny, shfaqin një pamje më të qartë të gjeneralit Sergei Surovikin, që ka komanduar operacionet e Rusisë në Siri në fund të vitit 2010 dhe i cili ka marrë nofkën “Gjenerali Armagedon” për shkak të reputacionit për brutalitetin në Siri.

Presidenti Vladimir Putin më 8 tetor e emëroi Surovikin komandant të përgjithshëm të forcave ruse në Ukrainë, që paraqet një përpjekje nga Kremlini dhe Ministria e Mbrojtjes për të vendosur në binarë përpjekjet e luftës, pas një sërë ngecjesh.

Më 9 nëntor, Surovikin dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, njoftuan për tërheqjen e trupave ruse nga bregu perëndimor i Lumit Dnjepër në rajonin e Hersonit. Kjo ishte humbja e fundit e rusëve në një seri humbjesh në fushëbetejë që kanë trimëruar trupat ukrainase.

Hulumtimi, i publikuar më 10 nëntor, vënë në pak përpjekjet e vazhdueshme të bashkëpunëtorëve të Navalnyt, të cilët kanë çuar përpara projektet e organizatës së Navalnyt edhe pasi ai u burgos vitin e kaluar. Organizata që themeloi ai, Fondacioni Kundër Korrupsionit, ka publikuar disa raporte që synojnë të kuptojnë origjinën e pasurisë dhe pronës së njerëzve të afërt me Putinin. Kjo organizatë u shpall “ekstremiste” nga shteti vitin e kaluar dhe është e ndaluar në Rusi.

Shumica e bashkëpunëtorëve të tij janë detyruar të largohen nga Rusia ose para apo edhe pas pushtimit të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.

Në hulumtimin e ri thuhet se Surovikin mund të ketë përfituar financiarisht gjatë dhe pas kohës së komandimit të forcave ruse në Siri, për shkak të një marrëveshjeje të komplikuar ku përfshihet Gennady Timchenko, një biznesmen i lidhur me Kremlinin, që ka bërë miliarda në tregtinë e naftës dhe energjisë përmes kompanisë të quajtur Gunvor.

Gjetjet nga hetuesit e Navalnyt duket se janë bazuar në masë të madhe në të dhënat e kompanisë dhe të dhënat e patundshmërive.

Më herët gjatë këtij muaji, regjistri kombëtar i Rusisë për prona papritur kufizoi qasjen në të dhënat e familjes së ngushtë dhe familjarëve të Surovikinit, duke i cilësuar ato të dhëna si të klasifikuara.

Vetë Navalny u arrestua në Moskë në janar të vitit 2021 me t’u kthyer nga Gjermania, ku ishte trajtuar ndaj ekspozimit ndaj një agjenti nervor të epokës sovjetike, që për pak nuk e vrau. Ai thotë se të dhënat tregojnë se helmimi u krye nga operativët e Shërbimit Federal të Sigurisë që kanë vepruar në emër të Putinit.

Navalny është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të lirimit me kusht gjatë udhëtimit të tij jashtë vendit për shërim. Në mars të vitit 2022, ai u dënua me nëntë vjet për një rast tjetër që ka të bëjë me akuza për keqpërdorim fondesh. Ai dhe mbështetësit e tij thonë se akuzat e reja dhe ato të rasteve të mëhershme janë absurde dhe të motivuara politikisht. Ai aktualisht gjendet në një burg në Rusinë qendrore./REL

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren