Rusja 85-vjeçare nga Stalingradi
në azilin e pleqve në Tiranë

Rusja 85-vjeçare nga Stalingradi<br />në azilin e pleqve në Tiranë
TIRANE -  Kur vendosi të linte Rusinë 59 vjet më parë dhe të vinte në Tiranë e vetmja gjë që dinte ishte se dashuria e saj për Sofokliun, do të zgjaste përjetë. Sot, pas shumë zigzages që ka kaluar jeta e saj në Shqipëri, për një gjë është e bindur se do ta bënte sërish nga fillimi: do ta ndiqte dashurinë e saj kudo që të shkonte.
 
HISTORIA
 
E lindur dhe rritur në Stalingradin e dikurshëm (sot quhet Volgograd), e shkolluar në Shën Petërsburg, ajo ka shkelur për herë të parë në Tiranë më 1955. “Në atdheun e saj të dytë” siç e quan dhe ajo, e solli dashuria që kishte me një student shqiptar me të cilin u njoh në universitet në Shën Petërburg, një dashuri që u pasua me një bashkëjetesë që zgjati 59 vjet, nga e cila ka dy vajza, por që e kanë braktisur dhe ajo s’pranon të flasë asnjë fjalë për to.
 
Luiza ishte atëherë 18 vjeçe, ndërsa Sofua 23-vjeçar. “U bëmë shokë të pandarë dhe kështu lindi dëshira për të qenë pranë njëri-tjetrit jo vetëm disa orë, muaj e vite, por... tërë jetën” - shprehet zonja Papajani. Gjithçka do të shkonte mirë, deri kur u prishën marrëdhëniet Shqipëri-Rusi.
 
I shoqi i Luizës, Sofokli Papajani, jo pak i njohur në rrethet e drejtësisë, ka qenë një jurist i shquar, dy herë anëtar i Gjykatës së Lartë, kreu i gjykatës së Tiranës dhe të Lushnjes si dhe pedagog në fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
 
Ndërkohë Luiza ishte përshtatur shumë mirë me jetesën në Shqipëri. Ajo ishte pedagoge e rusishtes te Filologjiku, pedagoge e Historisë së shtetit dhe të së drejtës te fakulteti i Drejtësisë si dhe jepte kriminalistikë me cilësinë e asistentes. Me prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi, jeta e tyre u kthye kokëposhtë, por Luiza nuk mendoi për asnjë çast të braktiste familjen e saj.
 
“Familja jonë i dha lamtumirën kryeqytetit dhe u transferuam në Lushnje duke na quajtur “revizionistë”. Ndëshkimi vazhdoi deri në vitin 1991, kur pas proceseve demokratike u kthyem sërish në Tiranë, por tanimë si pensionistë, duke vazhduar aktivitetin shoqëror. Por unë për asnjë arsye nuk do të hiqja dorë nga familja ime”, - tregon ajo, ku me nostalgji tregon për kohën kur punonte si spikere dhe më vonë edhe si redaktore për emisionin rusisht në Radio Tirana.
 
DASHURIA
 
Vitet e e para të jetës për Luizën nisën me një përvojë të dhimbshme, me Luftën e Dytë Botërore, pjesë e së cilës ajo u bë me pjesëmarrjen në njërën prej betejave më të ashpra, atë të Stalingradit. Por ndërsa nisi me luftë jeta i kishte rezervuar asaj një histori të mrekullueshme dashurie.
 
Në auditoret e universitetit në Shën Petërburg, ishin ulur dhe studentët e parë nga Shqipëria, mes tyre, edhe Sofokli Papajani që do të bëhej më pas bashkëshorti i saj, që vinte nga radhët e antifashistëve.
 
Jeta e përbashkët studentore, leksionet, biblioteka, menca me "triskë ushqimore", pushime etj, organizimet kulturore artistike, ku Sofokliu me shokë demonstronin vallet shqiptare me fustanella aq të çuditshme i afruan shumë ata të dy.
 
Kjo dashuri e madhe iu ka siguruar 59 vjet jetë martesore, “jo të pasur, por me harmoni, të mbushura me punë në përballimin e vështirësive bashkë” - thotë Luiza. Por që nga deklarta e parë e dashurisë e deri te kurorëzimi i saj para ligjit iu deshën 4 vite pritje pasi legjislacioni i asaj kohe nuk lejonte martesa me shtetas te huaj, por dashuria triumfoi mbi ligje e distanca.
 
“Doemos jo dashuri shekspiriane, - thotë Luiza, - por dashuri si në kohën e Stalinit dhe të Enverit”. Dashuria mes tyre, nuk njohu zigzage, ajo mori rrugën e pakthyeshme. Atë rrugë, që shumë kush mund ta lakmonte.
 
NË SHQIPËRI
 
Sot, kur i ka lënë pas të 80-at, ajo është e bindur se nuk mund të zgjedhë mes Rusisë dhe Shqipërisë. “Shqipëria është atdheu im po aq sa Rusia, sepse është një vend që më ka falur shumë gjëra të bukura, kam takuar njerëz të mrekullueshëm dhe më ka bërë të lumtur”, - thotë ajo.
 
Më tej Luiza rrëfen se bashkë me dashurinë, fitoi edhe një atdhe të dytë. “Kam fituar edhe një atdhe të dytë, shqiptarët u bënë që në fillim motrat dhe vëllezërit e mi, u bënë pjesa tjetër e familjes.
 
Unë e dua dhe e pëlqej popullin shqiptar, kam kaluar jetën këtu, ia njoh cilësitë sepse jetoj këtu, pranë ish burrit tim të dashur. Dashuria s'njeh as moshë, as kufi dhe as vdekje”.
 
JETESA NË AZIL
 
Luiza ka qenë e bekuar me dashuri, por në fati i kishte rezervuar edhe një surprizë jo të këndshme. 7 vite më parë, ajo humbi të shoqin, Sofokliun, i cili u nda nga jeta. Pas vdekjes së tij, ajo mbeti e vetme, njësoj si ditën kur kishte shkelur për herë të parë në Shqipëri.
 
Dhe tani ajo është zonja e respektuar dhe e ditur e “Shtëpisë së të moshuarve” në Tiranë. Ajo rrëfen se “pas vdekjes së bashkëshortit tim për arsye personale, familjare dhe shëndetësore kam vite që jetoj në shtëpinë e të moshuarve, bashkë me të moshuarit e tjerë.
 
Jam e kënaqur që kam marrë këtë vendim. Këtu në “Shtëpinë e të moshuarëve” në fakt kemi kaluar një dimër të vështirë, për shkak të rikonstruksionit, por tani shpresojmë në përmirësimin e kushteve”, - thotë ajo, modeste në pretendimet e saj.
 
Zonja Luiza na tregon se vuan nga disa sëmundje por thotë se “ne nuk jemi më të fortë, por jemi më të kalitur fizikisht, shpirtërisht dhe moralisht”.
 
Vajzat janë një “pjesë e errët’, ku ne nuk arrijmë të depërtojmë dot. Sa herë e pyesim, ajo shmanget. Për të vetmen gjë që flet me dëshirë është jeta e saj martesore me bashkëshortin.
 
Në fund zonja fisnike nuk harron të japë edhe një mesazh për gjithë ata që duan një jetë të arrirë dhe të qetë: nuk është paraja dhe pushteti ato që të falin lumturinë, por jeta bashkëshortore dhe përkushtimi nga rinia në pleqëri.
 
BETEJA E STALINGRADIT

Me fat që i mbijetova betejës së shekullit
 
Zonja Luiza si një luftëtare aktive në betejën e Stalingradit rrëfen disa disa nga përshtypjet e saj për betejën më të përgjakshme dhe me përmasa më të mëdha në historinë e njerëzimit.
 
“Nuk e di as vetë deri më sot se si mbeta e gjallë”, - na thotë ajo. Zonja Luiza thotë se të gjithë stalingradasit nga më i vogli deri tek më i moshuari, kanë qenë pjesmarrës në luftë. Qytetarë të zakonshëm, të thjeshtë dhe të vdekshëm ktheheshin në heronj të vërtetë.
 
Në atë kohë vetja thuajse nuk ekzistonte. Pas asaj eksperience të paharrueshme, falë së cilës gëzon edhe titullin e “Gardistes e Luftës së viteve 1941-1945” domethënë luftëtare së vijës së parë të frontit” akorduar nga Rusia, ajo e konsideron veten me fat që doli e gjallë.
 
“E keqja është se fashizmi është mundur, por nuk është zhdukur. Ai shfaqet me veshje të tjera si terrorizmi, flijime të pafajshme, tmerre e padrejtësi kolektive, hedhje në erë të njerëzve të pafajshëm nga kamikazë, luftra të ndryshme etj.
 
Çdo brez i ri ndodhet përballë problemeve komplekse të së ardhmes, idealit, qëllimeve dhe historia është një nga mjetet e duhura për kuptimin dhe zgjidhjen e tyre” - përfundon ajo.
 
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni