Disa hije dyshimi se samiti i vitit të ardhshëm mund të shtyhej dhe të mos zhvillohej në Shqipëri u rrëzuan në fund të punimeve të mbledhjes plenare në Ankara të Turqisë. Vetë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte sqaroi se samiti i radhës i NATO-s, që bën bashkë liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës, do të mbahet në Tiranë.
Samiti në Tiranë ishte parashikuar të mbahej në qershor 2027, por Rutte nuk përcaktoi ende afat kohor, duke thënë se do të vendoset në vijim.
“Samiti tjetër do të mbahet në Shqipëri, ky ishte vendimi i Hagës. Samiti do të mbahet në Shqipëri, por do të na duhet të vendosim për kohën”, tha Rutte.
Lajmi u prit me entuziazëm nga delegacioni shqiptar që udhëtoi drejt Ankarasë me në krye Kryeministrin Edi Rama. Shefi i qeverisë shpërndau një videomesazh si reagim ndaj pretendimeve se samiti mund të mos zhvillohej në vendin tonë. Për Ramën, ka ikur koha kur me Shqipërinë bëhej çfarë të donin të tjerët. Sipas kryeministrit, tashmë Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën.
“Po si thanë, ‘nuk do bëhet Samiti në Shqipëri’. Kështu thanë ë? Epo ka ikur ajo kohë kur bëhej ça të donin të tjerët me Shqipërinë. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Kështu që Samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë”, tha Rama.
Liderët e 32 vendeve anëtare zhvilluan këtë të mërkurë punimet në seancë plenare në Ankara. Në deklaratën e përbashkët të samitit vendet anëtare u zotuan dhe ranë dakord për një sërë çështjesh sidomos për ato të sigurisë. Krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës rikonfirmuan siç lexohet në dokument, angazhimin e palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive të anëtarëve të NATOs, sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit.
Një tjetër pikë e rëndësishme e dakordësuar nga liderët është ndihma për Ukrainën. Për vitin 2026, aleatët zotohen të ofrojnë 70 miliardë euro në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën dhe angazhohen të ruajnë të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027.

Foto: Edi Rama dhe Mark Rutte
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një foto me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Të buzëqeshur dhe krah përkrah me njëri tjetrin, kreu i qeverisë shprehet se ky është ai moment kur e paimagjinueshmja bëhet e mundur dhe i thua Rutte-s shihemi në Shqipëri për samitin e ardhshëm të NATO-s.
“Ai momenti i krenarisë kur të bëhet zemra mal, pasi kalojnë vite me shumë punë e durim të madh dhe vjen dita kur e paimagjinueshmja bëhet e mundur, e i thua Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s:
Shihemi në Shqipëri për samitin e ardhshëm”, shkruan Rama krah fotos së publikuar.











