S&P rrit vlerësimin e Shqipërisë në B+

S&P rrit vlerësimin e Shqipërisë në B+
Ndonëse performanca fiskale në 2015-n ishte e dobët, qeveria e kalon klasën pasi ka arritur të mbajë nën kontroll deficitin buxhetor përmes tkurrjes së shpenzimeve, kryesisht në projektet e investimeve. Konstatimi: Rritja e taksave shtoi informalitetin…

Agjencia Vlerësuese Standard& Poors ka rritur vlerësimin e Shqipërisë në B+ si rrjedhojë e përmirësimit të performancës fiskale, ku elementin kryesor e ka luajtur pritshmërinë për uljen e borxhit. Por raporti e vë theksin dhe te dobësitë fiskale të vitit 2015 dhe faktit që rritja e disa taksave ka ndikuar në shtimin e informalitetit.
Raporti thekson se deficit fiskal i Shqipërisë është në trajektoren rënëse që do të çojë në një ulje të borxhit të qeverisë në katër vitet e ardhshme.

S&P pret që borxhi I përgjithshëm I qeverisë të bjerë nën 60% të PBB-së në 2019 nga rreth 70% të PBB në 2015.

“Panorama stabël reflekton pritshmëritë tona që performance fiskale do të jetë e shëndoshë gjatë 12 muajve të ardhshëm dhe që programi me FMN-në do ta nxjerrë Shqipërinë nga rreziqet e jashtme potenciale”, thekson raporti.

“Pavarësisht performancës së dobët të të ardhurave në 2015, deficit fiskal në një nivel të vlerësuar prej 3.8% të PBB-së i ka tejkaluar pritshmëritë tona, për shkak të shpenzimeve më të ulëta, veçanërisht në projektet e investimeve. Për të përmirësuar performancën fiskale, qeveria po forcon institucionet fiskale dhe menaxhimin e sektorit financiar publik. Përpjekjet në sektorin e energjisë kanë qenë veçanërisht të suksesshme në rritjen e të ardhurave, duke lehtësuar presionin në buxhetin e qeverisë qendrore”, thuhet në raport.

“Disa nga masat e taksave të zbatuara nga qeveria aktuale që kur mori detyrën në vitin 2013 kanë dhënë efektin e padëshiruar të rritjes më tej të informalitetit dhe si rrjedhojë kanë ndikuar në performancën e dobët të të ardhurave. Në përgjigje – dhe gjithashtu në përputhje me strukturat e marrëveshjes FMN – qeveria ka zbatuar masa për të sjellë një pjesë më të madhe të prodhimit në ekonominë zyrtare dhe për të zvogëluar evazionin fiskal. Ne vërejmë se mbledhja e taksave në Shqipëri është e sfiduar nga evazioni dhe mangësitë administrative; në nivelin e 26% të PBB-së, të ardhurat janë shumë më të ulëta se në Mal të Zi (40%). Prandaj, ne besojmë se masa për të përmirësuar mbledhjen e taksave do të ndihmojë një përmirësim në financat e qeverisë, edhe pse gradualisht”. /MONITOR/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE