TIRANE - Policia greke ka refuzuar të japë lejen dhe të garantojë sigurinë për zhvillimin e një aktiviteti të Aleancës Kuq e Zi në Athinë i cili ishte planifikuar prej ditësh. Leja është mohuar mbrëmjen e djeshme por është njoftuar vetëm sot nga AK.

Sipas kësaj force politike, policia greke ka paralajmëruar organizatorët e takimit “se nuk do të mbajnë përgjeqësi për incidentet e pritshme dhe për jetën e të gjithë pjesëmarrësve”, thuhet në njoftim.

AK bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme “katër deputetë të partisë naziste greke ‘Agimi i Artë’ kanë shkuar në shtëpitë e disa aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi duke kërcënuar familjet dhe fëmijët e tyre në rast se do të vendosnin mbajtjen e aktivitetit të planifikuar. Grupime të partisë ‘Agimi i Artë’ prej disa ditësh janë zhvendosur në hotelin ku do të mbahej aktiviteti duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi përfaqësuesit e AK si dhe kanë vendosur në ambientet e jashtme të hotelit një parrullë ku shkruhet: "Poshtë fashistët kuqezi shqipëtar"”.

E gjendur përballë kësaj situate, AK ka vendosur që “në respekt të sigurisë së jetës së emigrantëve shqiptarë në Greqi por mbi të gjitha prej neglizhencës ektreme të forcave të sigurisë së policisë greke” të mos e zhvillojë aktivin e parë të saj për degën e Athinës.

AK thekson se për të “është shumë herë më e rëndësishme jeta e emigrantëve shqiptarë në Greqi se sa zhvillimi i një aktiviteti i cili kishte për qëllim themelimin e degës së AK në Athinë”. Gjithsesi, ajo bën të ditur se nuk heq dorë nga zhvillimi i aktivitetit që do të shtyhet për një datë të dytë, “konfrom të gjithë ligjeve në fuqi për zhvillimin e aktiviteteve politike dhe patriotike” të shtetit grek.

(im/shqiptarja.com)