S’morën asnjë mandat, Hafizi:
LIBRA do të vazhdojë rrugën që nisi

S’morën asnjë mandat, Hafizi:<br />LIBRA do të vazhdojë rrugën që nisi
Mimoza Hafizi, kandidatja për deputete e LIBRA, ka reaguar për herë të parë në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, për sa i përket humbjes së forcës politike ku ajo bën pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Hafizi shkruan se LIBRA u bë opozita më e fortë, më elokuente, më e vërtet dhe më e guximshme që ka parë ndonjëherë parlamenti shqiptar.

“Ne morëm 20 mijë vota në të gjithë vendin, në çdo skaj të tij, nga 20 mijë qytetarë që besuan se Shqipëria bëhet, 20 mijë perla në batakun e politikës së gënjeshtrës, talljes, arrogancës, mashtrimit, pabesisë. Ato janë vota morale, janë vota sakrifice, janë shpirtra që as u shitën, as u tutën, as u tërhoqën në harresë e as ranë në pesimizëm”, shkruan Hafizi në reagimin e saj në "Facebook", duke shtuar se LIBRA mundet dhe do ta vazhdojë rrugën e nisur.

Reagimi i plotë i Hafizit:
Vetëm një vit e gjysëm më parë ne ishim dy deputetë të rebeluar dhe refuzues ndaj një mazhorance të votuar për ta parë Shqipërinë të rilindur. Por që rilindi vetëm abuzim, krim, korrupsion dhe mbyti demokracinë brenda një force politike, tek e cila kishim kontribuar dhe kishim besuar. Revolta dhe refuzimi ndaj kësaj politike u shkrinë me mendimin qytetar të dhjetra e qindra banorëve të Tiranës e përtej. Njerëz që takonim çdo ditë e na kërkonin të ngremë një forcë politike morale. Sot jemi me mijra, bashkuar tek LIBRA.

Me fjalën dhe zërin e Benit, LIBRA u bë opozita më e fortë, më elokuente, më e vërtetë dhe më e guximshme që ka parë ndonjëherë parlamenti shqiptar. Pa asnjë kompromis me të keqen. LIBRA mbrojti interesin publik, mbrojti të varfërit, mbrojti profesionistët, mbështeti biznesin e ndershëm, shmangu rrezikun e importit të plehrave, thirri për arsimin publik, mbrojti shëndetin publik, denoncoi konçesionet, demaskoi kriminalizimin e politikës dhe kanabizimin e vendit. LIBRA u bë shtëpia e shumë njerëzve të thjeshtë, i dha atyre një zë publik.

LIBRA ndezi aksion politik. LIBRA bëri fushatën më modeste në para, por më të pasur në fantazi dhe mendim, më të lirë dhe më të bukur në historinë politike. Me mijra njerëz iu bashkuan. Ne ditëm të shumoheshim e të gjenim veten tek tjetri. LIBRA u bë dera e hapur për këdo që erdhi. U bë platforma e lirisë për këdo që u afrua. Vetëm pak pasion dhe dëshirë, e kushdo u ndje në strehën e vet. LIBRA i ruajti e respektoi të gjitha parimet dhe normat e krijimit. Asnjë lidhje me drogën, krimin, oligarkinë, gjithashka u financua modestisht nga anëtarësia.

LIBRA ndërtoi një strukture etike si skelet për trupin e vet. Me ambicien që të jetë e drejtë, e pastër, solidare, miqësore. Dhe ia doli të shmangë shumë nga hilet, mashtrimet, shpifjet, intrigat, thashethemet. U lodhën dhe ikën shumë nga ata që deshën ta shkatërronin, e kjo do vazhdojë padyshim. LIBRA mblodhi rreth vetes me qindra të rinj, që i sollën freskinë, ajo u dha shpresë e motiv. E gjitha kjo në vetëm disa muaj.
Beteja e 25 Qershorit ishte e para për LIBRA-n.

Betejë e pandershme dhe e pabarabartë me monstrat politike, me paret e drogës dhe të krimit, me veset e hajdutëve, me frikën e bukës së gojës, me ndrydhjen, pandjeshmërinë, indiferencën, zhgënjimin. Por LIBRA e njihte këtë betejë dhe e kishte sfiduar. LIBRA ofroi optimizmin se Shqipëria bëhet. Ne morëm 20 mijë vota në të gjithë vendin, në çdo skaj të tij, nga 20 mijë qytetarë që besuan se Shqipëria bëhet, 20 mijë perla në batakun e politikës së gënjeshtrës, talljes, arrogancës, mashtrimit, pabesisë. Ato janë vota morale, janë vota sakrifice, janë shpirtra që as u shitën, as u tutën, as u tërhoqën në harresë e as ranë në pesimizëm. Votat tona u mbrojtën nga qindra Libra, idealistë, të paepur e të përkushtuar. Mirënjohje e nderim !

Por ne nuk ia dolëm ta çojmë LIBRA-n në parlament. Për të vazhduar opozitën më të fortë, më të vërtetë, më elokuente e më të guximshme, me zërin e Blushit dhe të tjerëve. E pra Shqipëria ka nevojë për një opozitë. Askush brenda atij parlamenti as mund e as do që ta bëjë. LIBRA di dhe duhet ta bëjë. Do të mundet ta bëjë. Për t’i dhënë optimizëm atyre mijra njerëzve që besuan se Shqipëria bëhet. Atyre mijra njerëzve që na votuan. Ku ndodhen shpresoj dhe ata dhjetra e qindra qytetarë që vitin e shkuar na kërkuan të ngremë LIBRA-n. Do desha ta shoh në sy gjithësecilin prej tyre. A më ke votuar? Ta pyes. Se LIBRA-n e bëmë për ty. A ishit aty në kutinë e votimit për të mbajtur fjalën që na dhatë një vit më parë?

Se një shpresë të jetojë ka nevojë për frymën e secilit. Unë besoj se po. Ashtu siç besoj se vendi ynë ka shumë më shumë se 20 mijë qytetarë optimistë për të ardhmen e tij. Të cilët duhen thirrur, dëgjuar, ftuar, bashkuar. Për tu bërë qindra mijë. LIBRA sot është më e fortë se dje. Prandaj duhet ta vazhdojë rrugën e nisur. Se po u ndal, vështirë që një shpresë e re të mund të lindë në vitet a dekadat që pasojnë. LIBRA mundet dhe do ta vazhdojë rrugën e nisur.”

(D.T/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Dilni nga zona juaj e rehatisë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Dilni nga zona juaj e rehatisë... Çfarë thonë yjet për ju sot