Një turist i huaj është në kërkim nga policia greke pasi dyshohet se pyeti sa para duhej të paguante për një vajzë 10-vjeçare që ndodhej jashtë një zyre shërbimesh turistike në Agia Pelagia të Kretës.
Ngjarja ka ndodhur më 31 korrik dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Sipas denoncimit, burri, rreth 60-65 vjeç, hyri në zyrë, ndërsa jashtë ishte ulur një vajzë 10-vjeçare që po lexonte një libër. Ai iu drejtua gruas që ndodhej brenda dhe dyshohet se e pyeti se sa para donte për fëmijën.
Sipas mediave greke, në një moment ai tregoi me dorë drejt vajzës dhe tha: “Sa duhet të paguaj për vajzën?”, ndërsa bëri edhe gjeste me natyrë seksuale. Gruaja reagoi menjëherë duke i thënë: “Çfarë janë këto që po thua?”, por, sipas raportimeve, burri vazhdoi duke e pyetur: “Sa do ti?”, duke përsëritur sërish gjestet.
Pamjet e kamerave nuk tregojnë ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë mes turistit dhe vajzës. Sipas autoriteteve, ai foli vetëm me gruan që ndodhej në zyrë, ndërsa 10-vjeçarja nuk duket se reagoi apo e pa.
Policia thirri nënën e vajzës dhe gruan që ishte në biznes për t'u pyetur nëse dëshironin të bënin kallëzim, por të dyja vendosën të mos ndërmerrnin veprime ligjore.
Megjithatë, hetimet nuk janë mbyllur. Autoritetet po përpiqen të identifikojnë turistin duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe lëvizjet e tij. Hetimet i çuan deri në një hotel ku dyshohej se kishte qëndruar, por deri tani ai nuk është identifikuar.
Biznesi ku ndodhi incidenti reagoi edhe në rrjetet sociale, duke e cilësuar ngjarjen “plotësisht të neveritshme”. Në postim thuhet se policia u njoftua menjëherë dhe se publikimi i rastit synon të ndërgjegjësojë prindërit për rëndësinë e sigurisë së fëmijëve. Sipas autoriteteve greke, nuk përjashtohet mundësia që turisti të jetë larguar tashmë nga Kreta, ndërsa kërkimet për identifikimin e tij vazhdojnë.









Komente
Komento