Sa mirë mund të mbijetojë Evropa pa gazin rus?

Sa mirë mund të mbijetojë Evropa pa gazin rus?

Vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të zgjasin afatin për të ulur me 15 për qind sasinë e gazit natyror që përdorin deri në pranverën e vitit 2024. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Valentina Vasileva synimi është të vazhdojnë të ulin varësinë e tyre nga gazi rus.

“Bota e Vjetër po përjeton një goditje të ftohtë; furnizimet me gaz nuk janë të mjaftueshme për të kaluar dimrin.”

Lena Botanina është një shtetase ruse që jeton me bashkëshortin e saj austriak, Dietrich John, në Bruksel. Ajo i tregon atij videoklipe nga televizioni shtetëror rus.

“Është qesharake, por përsëri, është pak e trishtueshme. Sepse njerëzit mashtrohen në mënyrë aktive!” , thotë Dietrich.

Kur u bë e qartë se lufta në Ukrainë do të vazhdonte edhe dimrin e kaluar, shumë ishin të shqetësuar se si banorët e Evropës Perëndimore do të ngroheshin për shkak të varësisë së rajonit nga gazi natyror rus.

Por sipas BE-së, ata e bënë këtë pjesërisht duke ulur përdorimin e gazit me gati 20 për qind dimrin e kaluar. Moti gjithashtu ndihmoi.

“Ishte një dimër vërtet i ngrohtë dhe i butë. Nuk patëm nevojë për shaje dhe kapele apo për batanije shtesë”, thotë Lena Botanina.

Energjia elektrike ishte më e shtrenjtë në të gjithë BE-në, por shumë banorë që nuk kishin mundësi të paguanin faturat e tyre të energjisë elektrike morën subvencione nga autoritetet.

Dhe sipas zyrës së kryebashkiakut të Brukselit, ka pasur reduktime në ndriçimin e rrugëve dhe ngrohjen në shkolla dhe zyra të tjera publike dhe qeveritare.

“Ne e mbajmë temperaturën 19 gradë Celsius në klasat e shkollave, por në zyra si kjo, mbahet 18 gradë. Në pishina, uji mbahet në 27 gradë”, thotë Benoit Hellings, anëtar i Këshillit Bashkiak për Klimën në Bruksel.

Sipas analistit të pavarur të energjisë Thierry Deschuyteneer, Evropa ia doli mirë pa sasinë e zakonshme të gazit rus. Qeveritë e BE-së gjetën furnizues të tjerë gazi. Dimrin e kaluar, BE-ja mori gaz nga Norvegjia, Algjeria dhe Azerbajxhani. Importet e gazit natyror të lëngshëm, LNG nga SHBA kanë qenë gjithashtu në rritje.

“Vitin e kaluar, ajo që ndodhi dhe ajo që e ndihmoi shumë Evropën ishte pakësimi i kërkesës për gaz të lëngshëm nga Kina. Kërkesat e Kinës do të plotësoheshin nga gazi amerikan. Ky gaz amerikan më pas u dërgua në Evropë. Pra, në një farë mënyre, Kina ndihmoi Evropën”.

Por zyrtarët e BE-së thonë se ulja e përdorimit të gazit është e vetmja mënyrë për t'u siguruar që vendet e BE-së të kenë ngrohje dimrin e ardhshëm.

“Ne propozuam një objektiv për këtë dimër, uljen e kërkesës me 15 për qind. Shtetet anëtare kanë shkuar përtej kësaj. Ata kanë arritur t’u ulin nevojat për gaz me 19 për qind”, thotë analisti i pavarur i energjisë, Thierry Deschuyteneer.

Ekspertët shpresojnë se prodhimi i gazit natyror të lëngshëm do të rritet në botë në vitet e ardhshme, duke stabilizuar çmimet e energjisë dhe importet në Evropë.BE-ja po mbështet gjithashtu energjinë alternative, me një plan për të siguruar më shumë se 40 për qind të energjisë së saj nga burimet e rinovueshme të energjisë deri në vitin 2030./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja