Tregu i qirave afatshkurtra vijon të përjetojë kulmin gjatë sezonit turistik veror, me mijëra prona që presin çdo ditë turistë shqiptarë dhe të huaj. Të dhënat e AirDNA për korrikun 2026 tregojnë se Vlora mbetet një nga tregjet më të mëdha të Airbnb në vend, ndërsa Durrësi dhe Golemi shfaqin gjithashtu një aktivitet të lartë gjatë muajve të verës.

Vlorë, tregu i qirave afatshkurtra numëron 15,855 lista aktive, shifra më e lartë mes destinacioneve të analizuara. Listimi mesatar aktiv ka gjeneruar rreth 5 mijë dollarë të ardhura gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa pronat janë rezervuar në 54% të netëve kur kanë qenë të disponueshme.

Çmimi mesatar ditor në Vlorë arrin në 95 dollarë, duke e bërë qytetin një nga tregjet me tarifat më të larta ditore. Kjo tregon se kërkesa e fortë turistike gjatë sezonit i lejon pronarët të mbajnë çmime relativisht të larta, veçanërisht në periudhën e verës.

Pas Vlorës renditet Durrësi, me 5,803 lista aktive. Listimi mesatar ka gjeneruar rreth 5.3 mijë dollarë të ardhura gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa niveli i rezervimeve ka arritur në 51% të netëve të disponueshme. Çmimi mesatar ditor është 85 dollarë, ndërsa tarifa ditore e ponderuar sipas zënies (RevPAR) është 43 dollarë.

Edhe Golemi mbetet një pikë e rëndësishme e tregut të qirave turistike. Në korrik numëroheshin rreth 1,800 lista aktive, me një të ardhur mesatare prej 4.1 mijë dollarësh për listim gjatë 12 muajve të fundit. Pronat janë rezervuar në 51% të netëve të disponueshme, ndërsa çmimi mesatar ditor ka qenë 80 dollarë.

Në veri të vendit, Shëngjini paraqet një treg më të vogël, por sërish me aktivitet të konsiderueshëm gjatë sezonit. Zona kishte 888 prona aktive, të cilat gjeneruan mesatarisht rreth 2.3 mijë dollarë në vit. Kapaciteti mesatar i zënies ishte 43%, ndërsa çmimi mesatar ditor arriti në 77 dollarë.

Nëse krahasohen këto destinacione, Vlora spikat për numrin e madh të pronave dhe çmimin më të lartë mesatar për natë, ndërsa Durrësi shënon të ardhura mesatare pak më të larta për listim. Golemi, pavarësisht numrit shumë më të vogël të pronave, ruan një nivel të ngjashëm zënieje me Durrësin.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se sezoni veror mbetet periudha kyçe për biznesin e qirave afatshkurtra në Shqipëri. Rritja e numrit të turistëve dhe kërkesa për akomodim pranë detit po e mbajnë të gjallë tregun e Airbnb, duke e kthyer akomodimin afatshkurtër në një burim të rëndësishëm të ardhurash për pronarët në zonat turistike./Scan