Sa raketa dhe sa bomba i kanë mbetur Iranit? Pas shtatë ditësh lufte mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Teheranit, kjo është pyetja që po bëjnë analistët ushtarakë.
Një situatë e ngjashme u pa edhe në fillim të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Atëherë diskutohej vazhdimisht sa predha artilerie kishin ende ukrainasit dhe sa tanke u kishin mbetur rusëve. Shumë analistë mendonin se rezervat do të mbaronin shpejt dhe se njëra palë do të detyrohej të dorëzohej. Por më pas erdhën dronët dhe lufta vazhdon ende sot me të njëjtin intensitet.
Tani llogaritjet po bëhen sërish, këtë herë për Iranin. Pyetja është e njëjtë: kush do të mbetet pa raketa i pari?
Për momentin, vendet që po sulmojnë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, nuk duket se kanë mungesë armësh sulmuese. Aq më tepër që, sipas presidenti Donald Trump, shumë shpejt mund të përdoren edhe vetëm bomba gravitacionale, që janë më të lira dhe në sasi të mëdha, sepse mbrojtja kundërajrore iraniane mund të bëhet plotësisht joefektive.
Më shumë dyshime ka për rezervat e raketave interceptuese, por disa sinjale tregojnë njëfarë besimi në Izrael. Aeroporti është rihapur për fluturimet dalëse dhe po diskutohet edhe kthimi i nxënësve në shkolla. Kjo mund të jetë shenjë se autoritetet presin më pak sulme në ditët në vijim.
Që ritmi i sulmeve iraniane ka rënë, sipas analizës, shihet edhe në Jerusalem. Netët kanë pasur më pak alarme dhe më pak vrapime drejt strehimeve. Ende nuk është e qartë nëse kjo është shenjë se rezervat po pakësohen apo thjesht një pauzë taktike nga ana e Teheranit.
Ndërkohë, Irani po godet me sukses vendet e Gjirit. Një vlerësim i përafërt flet për të paktën 200 raketa të lëshuara ndaj tyre, bashkë me të paktën po aq dronë. Në tre ditët e para të luftës, Izraeli tha se kishte kapur rreth 200 raketa që vinin nga Republika Islamike. Deri dje, sipas analizës, ky numër mund të ketë shkuar në rreth 300.
Për krahasim, në 12 ditët e luftës së qershorit të kaluar Irani kishte lëshuar 500 raketa. Kjo do të thotë se tani ritmi i sulmeve është rritur ndjeshëm dhe mund të jetë dyfishuar në raport me vitin 2025.
A e ka bërë Irani këtë sepse është i sigurt për rezervat që ka? Sipas shërbimeve sekrete izraelite dhe amerikane, jo domosdoshmërisht. Ditën kur u vra udhëheqësi suprem Ali Khamenei, Irani mund të ketë pasur në magazinë rreth 1 mijë raketa balistike. Nëse kjo shifër është e saktë, atëherë rreth gjysma e stokut mund të jetë përdorur tashmë, pa llogaritur raketat që mund të jenë shkatërruar në tokë nga sulmet ajrore.
Megjithatë, optimizmi i palës që po sulmon nuk lidhet vetëm me numrin e raketave. Problemi kryesor për Iranin mund të jenë lëshuesit. Edhe nëse ka shumë raketa, pa lëshues ato nuk mund të përdoren. Sapo zbulohet një lëshues, avionët luftarakë përpiqen ta godasin menjëherë. Sipas analizës, kjo po ndodh me rezultate të mira.
Për këtë arsye, Irani është kthyer gjithnjë e më shumë te lëshuesit nëntokësorë. Ata janë të fiksuar dhe mund të identifikohen më lehtë, por janë shumë të mbrojtur. Pikërisht për të goditur këto objektiva po përdoren prej disa ditësh bombarduesit amerikanë B2 dhe B1, që mbajnë bomba të afta të depërtojnë thellë në tokë.
Irani ka ende një avantazh tjetër: aftësinë për të prodhuar armë. Sipas sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, Teherani mund të prodhojë rreth 100 raketa balistike në muaj dhe mijëra dronë vetëvrasës.
Megjithatë, prodhimi i raketave më të avancuara kërkon lëndë të para që janë të vështira për t’u siguruar, sidomos për raketat me karburant të ngurtë. Raketa me karburant të lëngshëm janë më të lehta për t’u prodhuar. Sistemet e drejtimit mund të vijnë nga Kina pa kaluar para flotës amerikane, ndërsa pjesën tjetër Irani e prodhon vetë.
Për vendet e Gjirit, dronët mund të jenë të mjaftueshëm për të shkaktuar dëme. Por për të vënë realisht në vështirësi Izraelin, Irani ka nevojë për raketa balistike. Dhe beteja, sipas analizës, nuk po zhvillohet vetëm në qiell, por edhe në fabrikat ku prodhohen armët./CorrieredellaSera
Komente






