Kam jetuar për rreth njëzet vjet në Greqi, madje edhe në vitet më të egra të racizmit ndaj emigrantëve shqiptarë. Kam përjetuar nga afër operacionet famëkeqe “Fshesa”, poshtërimin, paragjykimet dhe trajtimin e shqiptarëve si qytetarë të dorës së dytë. Por kam qenë gjithashtu dëshmitar i një fenomeni edhe më shqetësues: rritjes politike të ekstremit të djathtë, deri në atë pikë sa një organizatë me ideologji naziste, si “Agimi i Artë”, arriti të bëhej një nga forcat e rëndësishme politike në Parlamentin grek.

Fillimisht, shënjestra kryesore ishin shqiptarët. Më pas, vëmendja e ekstremit nacionalist u zhvendos gjithnjë e më shumë drejt emigrantëve nga vendet arabe dhe aziatike: pakistanezë, bangladeshas, iranianë, irakianë dhe sirianë. Në diskursin nacionalist, ata paraqiteshin si kërcënim për identitetin kombëtar, kulturën dhe traditën greke, kryesisht për shkak të fesë islame dhe dallimeve kulturore.

Sigurisht, në disa qytete, sidomos në Athinë, u krijuan geto, sidomos në qendër, komunitete të mbyllura, u shfaqën probleme të integrimit, tensione kulturore dhe raste të sjelljeve që binin ndesh me normat e shoqërisë pritëse. Por problemet reale të integrimit nuk mund të shndërrohen në faj kolektiv dhe as të përdoren për të justifikuar urrejtjen ndaj një popullsie të tërë. Asnjë komunitet nuk është homogjen dhe askush nuk mund të gjykohet vetëm nga origjina, ngjyra e lëkurës, kombësia apo feja.

Shoqëria greke, e përballur me krizën ekonomike, pasigurinë dhe frikën nga ndryshimet demografike e kulturore, gjeti te partitë ekstremiste një përgjigje të thjeshtë për probleme komplekse. “Agimi i Artë” e shndërroi frikën në program politik, emigrantin në armik dhe nacionalizmin në justifikim për dhunën. Më vonë, organizata u shpall kriminale dhe drejtuesit e saj u dënuan. Por ideologjia nuk u zhduk automatikisht me vendim gjykate.

Sot, një pyetje e ngjashme shtrohet edhe për Shqipërinë.

Vendi ynë po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion për punëtorë dhe emigrantë nga vende me kultura, tradita dhe besime fetare të ndryshme, përfshirë vendet me shumicë myslimane. Gjithnjë e më tepër artikulohet ankimi dhe urrejtja ndaj këtyre emigrantëve. Sa të përgatitur jemi për këtë realitet? Sa e hapur është shoqëria shqiptare ndaj ndryshimit? Dhe, mbi të gjitha, sa të rrezikuar jemi nga shfaqja e një vale racizmi dhe urrejtjeje ndaj të ardhurve?

Përvoja ime në Greqi më ka mësuar se fenomeni është shumë më kompleks sesa një konflikt mes vendasve dhe të ardhurve. Kam parë komunitete emigrantësh që fillimisht përpiqeshin të mbijetonin në heshtje, por që me kalimin e kohës u përballën me probleme integrimi, izolimi shoqëror dhe tensione kulturore. Kam parë edhe raste kur disa individë apo grupe refuzonin normat e shoqërisë pritëse, duke kërkuar të impononin praktika dhe qëndrime që binin ndesh me parimet e saj demokratike.

Këto janë probleme që nuk duhen mohuar apo zbukuruar. Një shoqëri ka të drejtë të mbrojë ligjet, kulturën qytetare, barazinë gjinore, liritë individuale dhe identitetin e saj. Emigracioni nuk mund të nënkuptojë importimin e zakoneve apo normave që cenojnë të drejtat e të tjerëve. Integrimi është proces i dyanshëm: shoqëria pritëse duhet të ofrojë mundësi dhe dinjitet, ndërsa emigranti duhet të respektojë ligjet dhe rregullat e bashkëjetesës.

Ndaj nuk duhet të jemi naivë. Dallimet kulturore ekzistojnë. Mund të ketë probleme me integrimin, respektimin e ligjit, të drejtat individuale dhe bashkëjetesën. Këto çështje duhen diskutuar hapur, pa komplekse dhe pa autocensurë. Por standardet duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Askush nuk ka të drejtë të imponojë normat e veta mbi të tjerët, (sidomos kur je i ardhur në një vend pritës), por askush nuk duhet as të privohet nga të drejtat për shkak të identitetit të tij.

Shqipëria ka një histori të veçantë bashkëjetese fetare. Kjo nuk do të thotë se jemi imunë ndaj racizmit. Përkundrazi, krizat ekonomike, papunësia, pasiguria dhe mungesa e besimit te institucionet shumë shpejt mund ta bëjnë shoqërinë më të prekshme ndaj populizmit, urrejtjes dhe demagogjisë nacionaliste.

Ekziston edhe rreziku që politika, në pamundësi për t'u dhënë qytetarëve përgjigje për problemet e tyre reale, të krijojë një armik të ri. Sot mund të jetë emigranti me ngjyrë, nesër një komunitet tjetër.

Nuk duhet të presim që urrejtja të organizohet politikisht për të kuptuar rrezikun. Por as nuk duhet të ngatërrojmë kritikën ndaj sjelljeve, kulturave apo politikave të caktuara me racizmin.

Shqipëria nuk ka nevojë as për një multikulturalizëm të imponuar, as për një nacionalizëm përjashtues.

Integrimi nuk do të thotë që një shoqëri të heqë dorë nga identiteti i saj. Por as mbrojtja e identitetit nuk do të thotë të mohosh dinjitetin e tjetrit.

Një shoqëri që nuk arrin të dallojë ndryshimin mes një problemi real dhe një paragjykimi kolektiv, rrezikon të prodhojë URREJTJEN, pikërisht atë që pretendon se po përpiqet të shmangë.