Kosove-Pamje nga Prishtina Foto ATSH
PRISHTINË, 30 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Komandanti Suprem i Forcave Aleate Për Evropë (SACEUR), Gjeneral Philip Breedlove, vizitoi sot shtabin qendor të KFOR-it në kampin "Film City" në Prishtinë dhe takoi Komandantin e KFOR-it Gjeneral Salvatore Farina. Gjeneral Breedlove u informua nga Komandanti i KFOR-it dhe stafi ndërkombëtar i shtabit qendor për zhvillimet e fundit të situatës aktuale të sigurisë dhe ate politike në Kosovë si dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.
Pas takimit, ai shprehu vlerësimin e tij për situatën e pëgjithshme të përmirësuar të sigurisë në Kosovë dhe manaxhimin e shkëlqyer të sigurisë nga ana e KFOR-it gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura në 8 qershor, situatën në Mitrovicë së fundmi pas largimit të barrikadës dhe ndërtimit të "Parkut të Paqës" dhe gjatë festimeve të festës së Vidovdanit në 28 qershor, qe është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe të rregullt.
Gjeneral Breedlove gjithashtu përshëndeti pjestarët e KFOR-it dhe theksoi rëndësinë e KFOR-it në kontekstin delikat dhe kompleks të Ballkanit dhe nevojën për vazhdimin e përmbushjes së misionit duke promovuar përparim dhe dialog në rajon. Gjatë vizitës së tij Gjeneral Breedlove, i shoqëruar nga Gjenerali Farina, pati rastin të takohet me Ambasadorët e Kuintit - ambasadorët e Francës Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, Përfaqësuesin Special të BE-së, Kreun e misionit të EULEX-it, përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm (UNMIK) dhe kreun e misionit të OSBE-së. /a.ke/