“Mirëqenia e magjistratit është mirëqenia e drejtësisë, dhe mirëqenia e drejtësisë është mirëqenia e shtetit.” Me këtë mesazh, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, hapi fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Drejtësisë, duke theksuar rëndëinë e mirëqenies së magjistratit si themel i funksionimit të një drejtësie të pavarur dhe efektive.
Sipas tij, sistemi gjyqësor nuk mund të vazhdojë të mbështetet tek magjistratë të pambrojtur dhe të mbingarkuar, pasi kjo gjendje ka prodhuar një krizë të thellë që cenon cilësinë dhe pavarësinë e vendimmarrjes. Ai vuri në dukje se mungesa e politikave për mirëqenien profesionale ndër vite ka bërë që sistemi të mbijetojë falë sakrificës individuale të magjistratëve, dhe jo falë mekanizmave të qëndrueshëm institucionalë.
Sadushi ndaloi veçanërisht te roli i KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat, megjithëse me detyrime të qarta kushtetuese, nuk e kanë vendosur mirëqenien e magjistratit në qendër të politikëbërjes, duke e thelluar boshllëkun institucional. Deklaratën e gjyqtarëve e vlerësoi si një sinjal të fortë se situata ka arritur kufijtë kritikë dhe se kërkohet reagim i menjëhershëm.
"Sistemi ende nuk ka politika për menaxhimin e stresit, parandalimin e lodhjes kronike (burnout), programe të mbështetjes psikologjike apo protokolle për reagimin institucional pas ngjarjeve të rënda, që janë elementë themelorë në modelet evropiane. Kjo mungesë bëhet e dukshme në realitetin e sotëm: numër i lartë çështjesh, mungesë magjistratësh, infrastrukturë e papërshtatshme, burime njerëzore të pamjaftueshme dhe deri te ngjarjet e rënda të dhunës ndaj gjyqtarëve. ", tha ai.
Sadushi theksoi se Qeveria dhe Kuvendi kanë detyrimin kushtetues të garantojnë siguri reale në gjykata, infrastrukturë funksionale dhe burime njerëzore të mjaftueshme, duke nënvizuar se: “Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi me standarde europiane, pa investuar.”
Sadushi paraqiti disa rekomandime kyçe, përfshirë miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mirëqenies së Magjistratëve 2025–2030, vendosjen e një standardi kombëtar të sigurisë në gjykata, rritjen e numrit të magjistratëve dhe stafit, investime urgjente në infrastrukturë dhe ngritjen e mekanizmave të mbështetjes psikosociale.
Në përmbyllje, kryetari i Gjykatës së Lartë përsëriti mesazhin themelor të vizionit të tij: “Drejtësia ka nevojë për një kulturë të re institucionale, ku siguria është standard, mbështetja është detyrim, mirëqenia është pjesë e pavarësisë dhe karriera e drejtë është parim. Vetëm kështu ndërtohet një sistem i qëndrueshëm dhe një shtet i fortë.”
Fjala e plotë:
Tema e kësaj konference trajton tre shtylla të rëndësishme të sistemit: kapacitetet institucionale, zhvillimin e karrierës dhe masat mbrojtëse. Realiteti i drejtësisë moderne na tregon se këto shtylla nuk qëndrojnë më vete, pa një dimension të katërt: atë njerëzor, që përfaqësohet nga gjyqtari dhe prokurori, të cilët çdo ditë përballen me sfida, vendime të vështira, presion profesional dhe përgjegjësi publike.
Pikërisht për këtë arsye, dëshiroj ta nis fjalën time me një koncept thelbësor që shkon përtej titullit të Konferencës dhe që përbën kushtin funksional të çdo sistemi modern të drejtësisë: mirëqenien e magjistratit (judicial ëell-being). Ky nuk është nocion teorik, por standard profesional që përfshin sigurinë personale, mbështetjen institucionale, ngarkesën e përballueshme të çështjeve, stabilitetin profesional dhe mirëqenien psikosociale për të përballuar presionin e vendimmarrjes. Vetëm në këto kushte magjistrati mund të jetë i pavarur dhe i qetë në ushtrimin e funksionit të tij. Pa këtë themel, çdo reformë mbetet e cunguar.
Në Shqipëri, mirëqenia e magjistratit nuk është bërë ende pjesë organike e politikave publike. Ajo mungon në analizat strategjike të institucioneve shtetërore, sepse nuk është artikuluar si prioritet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këto organe, të cilat kanë detyrimin kushtetues të identifikojnë nevojat e sistemit dhe të ngrenë shqetësimet mbi mirëqenien profesionale të magjistratit, nuk e kanë vendosur këtë dimension në qendër të politikëbërjes së tyre. Për pasojë, kjo mungesë orientimi nuk reflektohet as në politikat e ekzekutivit, apo në dokumentet programatike të reformës. Sistemi ende nuk ka politika për menaxhimin e stresit, parandalimin e lodhjes kronike (burnout), programe të mbështetjes psikologjike apo protokolle për reagimin institucional pas ngjarjeve të rënda, që janë elementë themelorë në modelet evropiane.
Kjo mungesë bëhet e dukshme në realitetin e sotëm: numër i lartë çështjesh, mungesë magjistratësh, infrastrukturë e papërshtatshme, burime njerëzore të pamjaftueshme dhe deri te ngjarjet e rënda të dhunës ndaj gjyqtarëve. Në këtë klimë, fakti që nuk ekziston një politikë e mirëfilltë për mirëqenien profesionale dhe psikosociale të magjistratit është një rrezik i drejtpërdrejtë për cilësinë dhe pavarësinë e drejtësisë.
Prandaj, përpara se të flasim për standarde dhe rekomandime, duhet të shohim realitetin ashtu siç është. Nuk mund të pretendojmë normalitet. Prej vitesh kam ngritur publikisht shqetësime mbi kapacitete të pamjaftueshme, ambiente pune të papërshtatshme, procedura të vjetëruara dhe mungesë mekanizmash mbështetës. Këto problematika janë rënduar, sepse shumë vendime janë shtyrë dhe shumë shqetësime janë nënvlerësuar. Institucionet përgjegjëse kanë preferuar heshtjen ose pritjen në vend të veprimit. Ky ngurrim institucional dhe ky pasivitet vendimmarrës kanë qenë po aq dëmtues sa mungesa e burimeve, ndoshta edhe më shumë. Këto nuk janë çështje të reja; ajo që ka ndryshuar është pesha e tyre, e cila sot është bërë e papërballueshme.
Dhe pikërisht këtu bëhet e qartë se shumë prej këtyre problemeve burojnë nga mungesa e mirëqenies profesionale të magjistratit. Këtë e konfirmojnë edhe standardet evropiane, sidomos ato të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve, që e konsiderojnë mirëqenien si kusht funksional të pavarësisë gjyqësore.
Realiteti shqiptar është ende larg këtij standardi, jo për mungesë përkushtimi nga magjistratët, të cilët japin më shumë se ç’lejojnë kushtet, por sepse arkitektura institucionale nuk e ka vendosur mirëqenien në qendër të politikëbërjes. Ky boshllëk i politikëbërjes ka bërë që sistemi të mbështetet më shumë te sakrifica individuale sesa te mekanizmat e qëndrueshëm të mbështetjes profesionale.
Mbingarkesa e punës është treguesi më i dukshëm. Edhe pse Gjykata e Lartë ka ulur mbi 63% të backlog-ut historik, ky është rezultat i një përpjekjeje të jashtëzakonshme njerëzore, jo i një normaliteti strukturor. Ndërkohë në gjykatat e apelit backlog-u po rritet në nivele të rrezikshme dhe, në disa gjykata të shkallës së parë, një gjyqtarë përballon 900 deri në 1000 çështje. Ky ritëm është përtej kapaciteteve njerëzore dhe nuk mund të mos ketë pasoja në cilësinë e vendimmarrjes, në shëndetin profesional dhe në mirëqenien psikosociale të magjistratit.
Infrastruktura gjyqësore pasqyron të njëjtën problematikë. Shumë godina janë të amortizuara, sallat e gjyqit nuk garantojnë siguri minimale, zyrat janë të kufizuara për punë efektive dhe ambientet për publikun shpesh nuk përmbushin as standardet bazë të aksesit dhe dinjitetit. Mjedisi i punës nuk është luks, është pjesë e integritetit profesional.
Edhe proceset e vlerësimit profesional, që cilat duhej të ishin instrument motivimi, shpesh kthehen në burim pasigurie për shkak të vonesave të pajustifikuara. Këto ndikojnë drejtpërdrejt në ritmin e karrierës, ngadalësojnë emërimet e reja, frenojnë ngritjen në detyrë dhe krijojnë vakuume institucionale që prekin funksionimin e sistemit. Një sistem që vonon vlerësimin, vonon vetë drejtësinë.
Karriera dhe vlerësimi profesional janë garanci e stabilitetit dhe motivimit të magjistratit. Prandaj vlerësimi duhet të jetë i harmonizuar, i shpejtë dhe i drejtë, ndërsa procedurat e ngritjes në detyrë transparente dhe të parashikueshme. Çdo bllokim krijon demotivim dhe cenon cilësinë e vendimmarrjes. Magjistrati ka nevojë jo vetëm për ambiente të sigurta, por edhe për stabilitet profesional, sepse vetëm një magjistrat i sigurt në karrierë mund të jetë realisht i pavarur në vendimmarrje.
Në këtë realitet është iluzion të besojmë se teknologjia apo inteligjenca artificiale mund të mbulojnë boshllëqet strukturore. Teknologjia ndihmon vetëm aty ku sistemi është i shëndetshëm; përndryshe, ajo rrezikon të shndërrohet në një mjet që zëvendëson përkohësisht funksionet e sistemit, por nuk e shëron problemin në themel, sepse sfida jonë kryesore nuk është teknologjia, por njeriu. Pas çdo procedure dhe pas çdo vendimi që ndryshon jetë, qëndron një magjistrat. Nëse ai lihet i pambrojtur, i mbingarkuar dhe pa mbështetje, sistemi nuk mund të jetë i qëndrueshëm.
Pikërisht në këtë klimë sfiduese, ku presioni mbi individin arriti kufijtë e tij të durimit profesional, erdhi reagimi i natyrshëm: Deklarata e Gjyqtarëve të Republikës. Për herë të parë pas shumë vitesh, gjyqtarët folën me një zë të përbashkët. Ata nuk kërkuan privilegje dhe as trajtim të veçantë; kërkuan siguri, mbështetje, dinjitet profesional dhe respekt institucional. Ishte një akt përgjegjshmërie, por edhe një sinjal alarmi: “Sistemi po mbijeton falë nesh, por kështu nuk mund të vazhdojë.” Kjo deklaratë shënoi një pikë kthese, sepse dëshmoi se struktura nuk mund të mbështetet më mbi sakrificën individuale të magjistratit.
Ky mesazh zhvendos vëmendjen te institucionet që qeverisin sistemin. Nëse gjyqtarët folën qartë, institucionet duhet të reagojnë me përgjegjësi. Ky është momenti kur heshtja institucionale nuk është thjesht mungesë reagimi, ajo bëhet pjesë e problemit. Këtu fillon detyra e institucioneve që qeverisin sistemin. Roli i KLGJ-së dhe KLP-së është vendimtar. Ato duhet të jenë mbrojtësit e parë të magjistratit, garantët e mirëqenies së tij profesionale, duke siguruar kushte të përshtatshme pune, burime njerëzore të mjaftueshme, siguri në sallat e gjyqit, vlerësim profesional të drejtë dhe një karrierë të parashikueshme që nxit motivimin. Vetëm duke ushtruar plotësisht mandatin e tyre, Këshillat mund të kenë legjitimitetin dhe forcën për të artikuluar qartë nevojat reale të drejtësisë përballë Kuvendit dhe Qeverisë, dhe për të kërkuar prej tyre përgjegjësinë dhe mbështetjen që Kushtetuta u njeh.
Nga ana tjetër, Kuvendi dhe Qeveria mbajnë detyrimin kushtetues për të siguruar bazën ligjore, financiare dhe infrastrukturore të sistemit. Investimet në siguri, infrastrukturë, burime njerëzore dhe teknologji nuk janë zgjedhje politike, janë detyrim shtetëror. Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi me standarde europiane, pa investuar. Vetëm një dialog funksional midis këshillave dhe dy pushteteve të tjera garanton që rekomandimet të shndërrohen në politika të prekshme dhe rezultate konkrete. Pa këtë bashkëveprim, çdo reformë rrezikon të mbetet një aspiratë e mirë, por jo një realitet i prekshëm për qytetarët dhe për vetë magjistratët.
Të nderuar kolegë,
Nëse problemet janë të thella, edhe përgjigja duhet të jetë e qartë dhe e guximshme. Prandaj rekomandimet nuk mund të jenë të përgjithshme, por konkrete, të matshme dhe të zbatueshme. Për këtë nevojitet:
1. Strategjia Kombëtare e Mirëqenies së Magjistratëve 2025–2030, me standarde evropiane dhe buxhet të dedikuar. Vetëm një dokument i tillë e kthen mirëqenien nga një shqetësim episodik në një politikë shtetërore afatgjatë.
- Standardi kombëtar i sigurisë në çdo gjykatë, me protokolle të detyrueshme, pajisje adekuate, trajnime periodike dhe një sistem reagimi të koordinuar. Siguria nuk mund të mbetet përgjegjësi individuale e magjistratit; ajo duhet të jetë garanci institucionale.
- Rishikimi i ngarkesës së punës, rritja e numrit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës, si dhe shpërndarje e drejtë e çështjeve. Pa një sistem të drejtë ngarkese, çdo përpjekje tjetër mbetet e kufizuar.
- Investime të menjëhershme në infrastrukturën gjyqësore-godina të sigurta, funksionale dhe dinjitoze. Ambienti i punës nuk është luks, është pjesë e integritetit të sistemit.
- Mekanizma funksionalë të mbështetjes psiko-sociale, për menaxhimin e stresit, traumës profesionale dhe rrezikut të burnout-it, si çështje që prekin drejtpërdrejt cilësinë e vendimmarrjes dhe pavarësinë e brendshme të magjistratit.
- Forcimi i rolit të Shkollës së Magjistraturës si qendër kombëtare e zhvillimit profesional, inovacionit, etikës dhe qëndrueshmërisë emocionale e profesionale të magjistratit, që e mbron dhe e fuqizon magjistratin gjatë gjithë karrierës së tij.
Këto masa janë të domosdoshme, por ato nuk mjaftojnë pa një transformim më të thellë kulturor në mënyrën si e qeverisim drejtësinë. Drejtësia nuk ka nevojë vetëm për reforma teknike. Ajo ka nevojë për një kulturë të re institucionale, të bazuar në vlera, stabilitet dhe përgjegjësi; një kulturë ku siguria është standard, jo reagim; mbështetja është detyrim institucional, jo favor; mirëqenia është pjesë e pavarësisë, jo koncept abstrakt; karriera e drejtë është parim, jo rastësi; bashkëpunimi ndërinstitucional është normë, jo përjashtim.
Drejtësia ndërtohet me magjistratë që ndihen të mbrojtur, të respektuar dhe të motivuar. Vetëm atëherë reforma merr jetë, standardet bëhen realitet dhe drejtësia fiton besimin e qytetarëve. Nëse duam vendimmarrje të pavarur, duhet të garantojmë më parë kushtet që e bëjnë të mundur këtë pavarësi. Prandaj duhet ta pranojmë qartë: barrën e sistemit e mban magjistrati. Ai është qendra e drejtësisë, jo në teori, por në realitet. Nuk ka drejtësi të fortë me magjistratë të lodhur; nuk ka drejtësi të pavarur me magjistratë të pambrojtur; nuk ka drejtësi të besueshme me magjistratë të lënë vetëm.
Mirëqenia e magjistratit nuk është luks profesional, por premisa e vetë ekzistencës së drejtësisë funksionale. Mirëqenia e magjistratit është mirëqenia e drejtësisë, dhe mirëqenia e drejtësisë është mirëqenia e shtetit.
Në këtë kuptim, mbështetja e magjistratëve nuk është një favor ndaj një trupe profesionale, por një investim në stabilitetin demokratik të vendit. Ndaj, tani është momenti të veprojmë, me përgjegjësi, me vendosmëri dhe me vision, sepse nga zgjedhjet tona sot varet dhe forca e shtetit të së drejtës nesër
Komente











