Safo Marko nga arti te tragjedia, pse
u refuzua ceremonia shtetërore

Safo Marko nga arti te tragjedia, pse<br />u refuzua ceremonia shtetërore
Safo Marko ndërroi jetë të dielën e 26 gushtit 2012. Trupi i saj i pajetë u përcoll të hënën në orën 13.00 në Varrezat e Sharës në Tiranë me një ceremoni shumë të thjeshtë lamtumire. Para një kortezhi që nuk e kalonte numrin 30-40 vetëve, trupi i pajetë i Safo Markos parakalonte me një makinë të mbuluar nga një kurorë gjigante lulesh shumëngjyrëshe, dedikuar nga e bija Arianita Marko. Megjithëse nuk qe i madh numri i miqve që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën piktores Safo Marko, nga ata që ishin iu dhuruan shumë lule, të gjitha llojet e luleve të botës. Në këtë lamtumirë të heshtur, të fisme, ato erdhën si lule paqeje. Ishin lule për piktoren e luleve. Dje, Safo Marko e ndjekur me një kortezh të vogël miqsh, na dha lamtumirën e fundit, duke i lënë pas vuajtjet dhe mundimet torturuese të sëmundjes dhe varfërisë që e shoqëroi në vitet e fundit të jetës. Iku. Familja që tashmë përbëhet vetëm nga e bija Arianita ka refuzuar ceremoninë shtetërore. Nuk e kërkova, tha ajo. Dhe këtë refuzim, siç doli nga biseda për “Shqiptarja.com”, ajo e bëri që nëna e saj “aq e mirë dhe dashur, aq e sinqertë dhe pafajshme”, piktorja Safo Marko të mos përcillej në botën tjetër me hipokrizi. “Kur nuk e ndihmuan kur ishte gjallë, kur e bënë të vuante tërë jetën, atë dhe babin tim, nuk doja që ikja e saj të bënte bujë. Ishte më mirë ta linin të qetë”, tha dje Arianita Marko. “Mamaja nuk e pëlqente hipokrizinë”, tha ajo. Pra, dje ishte lamtumira e fundit e Safo Markos. Lamtumirë pa hipokrizi, duke ikur dhe pa ikur dot kurrë, ashtu siç iku bashkëshorti i saj shkrimtari Petro Marko, duke lënë vepra pas, siç iku poeti Lasgush Poradeci, duke mbetur i përjetshëm. Kështu edhe Safo Marko, me sa duket nuk pati nevojë për lotët e shtirur të qeveritarëve të vendit.
Pas ceremonisë, Arianita falënderoi të ardhurit dhe tha: Ju falënderoj dhe ndahemi këtu të dashur miq. Unë dëshiroj t’u vijmë për të mira e gëzime. Po ju kujtoj se nëna ime nuk kishte dëshirë të jepej drekë për të. Ndaj ju kërkoj ndjesë”. Pas këtij mesazhi të fundit të Safos kthehemi në shtëpinë e saj të ngushëllojmë ndonjë nga familjarët. Por dhe kjo kaloi. Ishte e thjeshtë lamtumira e Safo Markos dhe sërish kësi lamtumirash mbesin një si lamtumira denoncuese për mungesën e madhe të vëmendjes së shtetit dhe shoqërisë ndaj njërës prej artisteve më të talentuara, më punëtore, piktores që i dha origjinalitet artit shqiptar; për mungesën e madhe të vëmendjes së shtetit ndaj bashkëshortes së një shkrimtari që kjo shoqëri i ka shumë borxhe, të ndjerit Petro Marko. Megjithëse shteti që ka munguar gjithmonë në shtëpinë e tyre mungoi në organizmin e një ceremonie për Safo Markon, zëvendësministrja e kulturës zonja Zana Turku, me profesion muzikantë, “nuk deshi të mungonte”. Mbërriti atje Varrezat në Sharës. Mbajti fjalën e Lamtumirës, lartësoi figurën e Safo Markos. Aty ishin publicisti Fatos Lubonja, Aleksandër Çipa, Drejtori i TKOB-it Zhani Ciko, Drejtori i Bibliotekës Aurel Plasari, por dukej qartë se kishin ardhur si individë dhe jo përfaqësues të shtetit. Në kthim ishte e bija Arianita, tre gratë që ishin kujdesuar për Safo Markon e dergjur e sëmurë me ditë e muaj në shtrat, ishin edhe tre katër kushërinj dhe me ta kortezhi i vogël shprehu ngushëllimet. Në orën 15.oo u rikthyem me ata pak miq të familjes tek shtëpia e Safo dhe Petro Markos. Prej më shumë se 20-vjetësh jo shtëpi nuk ka ndryshuar asnjë send, asnjë objekt. Pjellë e gjallë e mjerimit të sistemit komunist. Na u duk një muze i vuajtjes sonë. Pllakat me çimento, dyer të rrënuara, mobilie të plakura dhe demode. Dhe shenjat e dukshme të varfërisë së dy artistëve më të mirë që pati Shqipëria, Safo dhe Petro Marko, na u bashkuan me hidhërimin dhe zemërimin e Aranitës, vajzës së vetme të tyre, të vetmit fëmijë të mbetur gjallë nga tragjeditë që shoqëruan jetën e tyre, ku dhe i biri, poeti i mirë Jamarbër Marko, u vdiq. Intervista e Arianita Markos dhënë dje për “Shqiptarja.com”, edhe pse përpiqej të tregohej krenare dhe e fortë, nuk mund të mos ishte e dhimbshme.


E dashur Arianita, këtu rrotull ka shumë piktura të mrekullueshme që sfidojnë ambientin e varfër ku ka jetuar piktorja dhe megjithatë mua më mbeten më mendje ende ilustrimet e saj në revistat “Fatosi”, në libra për fëmijë. I ruani ju ato?
-Ke të drejtë që i kujton. Kur mami i pikturonte ata nuk ishin fëmijë seriozë si burra e gra të parakohshëm siç i jepej orientimi artit realist. Duke bërë ilustrime me piktura fëmijësh nëna ime ndihej shumë e lirë. E thoshte vetë ajo: “Me pikturat e revistave për fëmijë punoja me kënaqësi, kisha më shumë mundësi për të stilizuar dhe për të treguar origjinalitet. Ajo ka bërë mbi 1000 kopertina librash dhe ilustrime pafund brenda tyre. Ka qenë një punë shumë e madhe. Një punë e lodhshme dhe ajo në fillim paguhej shumë pak me honorare, pastaj punonte falas. Ishte e talentuar. Ilustrimet e saj i gjen kudo. Në të gjitha revistat e kohës, librat për fëmijë është dora e dallueshme e mamit. Safoja ka ilustruar librin “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” e shuam të tjerë.

Kam dëgjuar se Safo Marko ka qenë edhe spikere në Radio-televizionin shqiptar. Për cilat vitet bëhet fjalë?
-Ka qenë shumë e re. Bëhet fjalë për vitet e para të çlirimit, me sa di unë aty te vitet ‘50. Por nëna ime punoi shumë pak kohë atje. Puna e saj. Pasioni i saj ishte të pikturonte. Safo ishte punëtore e paparë, edhe kur u sëmur nuk rrinte dot pa punë. Kur nuk gjente dot kanavacë për të pikturuar e niste ta bënte pikturën mbi një pikturë tjetër. Ka dëmtuar disa punë të mëparshme të saj, por ajo nuk rrinte dot pa hedhur frymëzimet e saj në telajo. Safo ka qenë pjesëmarrëse e dhjetëra ekspozitave. Madje disa nga pikturat e saj janë blerë në atë kohë shumë lirë nga institucionet dhe shumë prej tyre kanë humbur sot. Unë dëgjoj shumë veta që kanë punë nga të mamit dhe habitem. Ata i kanë blerë lirë ato, por unë e di që disa prej tyre kanë qenë në institucionet shtetërore të kohës.

Emri Safo i nënës tënde nga ka ardhur?
-Mamit i mbeti emri Safo sepse ashtu e kanë thirrur të gjithë. Ajo ishte myslimane dhe e kishte emrin Safije. Dhe më pas duke qenë se u martua me babin që ishte ortodoks, u përshtat si rastësisht edhe emri Safo. Por miqtë e artit i kanë thënë se i shkon emri Safo. Ata që e duan, e kuptojnë dhe e vlerësojnë pikturën e saj e konsiderojnë si Safo të pikturës shqiptare, sepse e krahasojnë me Safon e famshme të poezisë greke.

Pikturat më të bukura të Safos dolën në dritë me shumë vonesë. Ekspozita iu bë në 2008-n në galerinë Zenit dhe nuk mbeti njeri pa ardhur. Pse nuk ekspozonte Safo Marko në 20 vitet e fundit?
-Mami punonte shumë, por mungesa e babit e bënte atë të ndrojtur në ekspozimin e pikturës, kur e kishte gjallë ishte mësuar që çdo gjë artistike e diskutonte me Petron. Pastaj duhej dikush ta mbështeste edhe materialisht...

Nuk harrohen lehtë pikturat e asaj ekspozite. Disa janë këtu në mure. Femrat e saj në pikturë, më kujtojnë epitetin poetik të Lasgushit “me ato sy levarashë”?

-Janë piktura lirike, por ka edhe dramaticitet brenda. Megjithatë zotëron lirika, delikatesa. Ishte një dhunti që e kishte nëna ime, Safo Marko. Ajo kishte delikatesën, finesën në çdo gjë. Odise Grillo thoshte se “po t’i mbledhësh motivet e Safo Markos, do të krijohej një unazë rreth Tiranës me flutura, zogj e lule”. Talentin për pikturë nëna ime e trashëgoi nga babai, edhe hallat pikturonin pak. Kishte talent. Edhe pse mëna ime ka bërë vetëm institutin “Nëna Mbretëreshë”, Odise Paskali, Abdyrrahim Buza e lëvdonin dhe habiteshin me talentin natyral të saj. Pikturën ajo e kishte dhunti, por edhe punonte shumë.

Ka lënë vepra pas dhe ju duhet të ndiheni krenare për të...
-Ah, nuk e di si ndihem. Nuk e di në të vërtetë se cila është vlera e artit të tyre. Nëna dhe babai im kanë punuar shumë. Unë i mbaj mend që ata vetëm punuan dhe lodheshim pa masë. Kanë punuar dhe kanë vuajtur. Kanë punuar shumë dhe jetuan në varfëri, me halle dhe telashe. Është momenti që unë nuk di se ç’të bëjë me gjithë këto gjëra që bënë ata, shumë prej tyre i kam në shtëpi. Kam veprat e babit, mamit, vëllait. Nuk di të them nëse bënë mirë që punuan e u lodhën aq shumë, apo bënë keq. Nuk di të them se ata vuajtën pa masë, ndryshe nga shumë miq ose të afërm që në jetë bënë qejf. Ata jetuan të varfër, vdiqën të varfër. Ju thoni lanë veprat pas. Po kush i vlerëson sot ato. Nëse veprat e tyre nuk vlerësohen, mua më vjen keq që vuajtën. Pse vuajtën ata. Ç’kuptim ka e gjithë ajo sakrificë që bënë. Sakrificat e mëdha të familjes sime për artin. Nuk di ç’të them. (Arianita nuk i mban dot lotët). Ju I dini vuajtjet dhe hallet e nënës sime, si një nga piktoret më të talentuara dhe babait tim si shkrimtar me famë dhe vëllait tim poet. Nuk do të doja të flisja për këtë. Por janë munduar shumë, ikën me dhimbje. A është e drejtë kjo?!

Realisht veprat e tyre duhet të marrin vlerën e duhur, shteti, shoqëria do të kujtohet një ditë…
-Të bashkëjetuarit me veprat e prindërve të mi, nuk më lë të vë re se ç’vlerë kanë. Unë e kuptoj këtë kur lexoj diçka të panjohur të Lasgushit dhe tronditem shumë. Nuk di se çfarë emocioni shkakton tek të tjerët ajo që ruaj dhe mbaj unë nga veprat e tyre në shtëpi. Unë më shumë se veprat tragjeditë e jetës së tyre i kam në kujtesën time. Mami, sa njohu lumturinë e dashurisë me tim at, atë ia futën në burg. Sa iu rrit djali, Jamarbri, u bë i bukur dhe i talentuar iu nxi jeta, dhe iu shua përfundimisht. Nuk di sinqerisht se cila ka rëndësi në këtë moment, kur jeta e të treve shkoi plot vuajtje. Sa u rregulloheshin me shtëpi iu digjej shtëpia. Iu dogj edhe një shtëpi në Tiranë kur erdhën. Atyre nuk iu ndanë fatalitetet. E prapë ata artin s’e lanë pa e bërë. Të gjitha këto gjëra janë të shtëpisë sime, dhe i mban shpirti im. Asgjë nuk u mor vesh pse duhej t’u ndodhte kështu. Si, nisën, si shkuam hap pas hapi nga vuajtjet te vdekja. Si ikën dhe u shkatërruan tërë rinia dhe tërë talenti i nënës sime, me tragjeditë, me burgimin dhe vuajtjet e babait, dhe me vdekjen e hershme të tij, me vdekjen e vëllait. Sot për veprat s’di ç’të them. Koha le të flas. Unë nga brenda shtëpisë di që prindërit e mi kanë punuar, kanë punuar shumë dhe megjithëse punonin edhe për të luftuar varfërinë, ajo nuk na u nda.
Intervista u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Protesta të dhunshme pro Gazës, 2000 arrestime në universitetet e SHBA! Sanders: Këto mund të jenë ‘Vietnami’ i Joe Biden

Protesta të dhunshme pro Gazës, 2000 arrestime në universitetet e SHBA! Sanders: Këto mund të jenë ‘Vietnami’ i Joe Biden