Safoja e pikturës shqiptare

Safoja e pikturës shqiptare
Në të gjitha pikturat e Safo Markos, ka një vajzë ose grua. Aty ndihet një realitet mistik që të bën të besosh se këto piktura vinë prej antikitetit. Vajza dhe bucela prej balte janë metaforat themelore të pikturës së Safos. Bregu i detit, Dhërmiu, portokajtë, lulet janë toka ku ngjizet kjo metaforë. Figura e gruas është sjellë me një bukuri hiperbolike; duart e stërholla, qafa e stërgjatë, shtati i zhdërvjellët, të veshura me mantele prej ëndrre, elegante. Në shumicën e pikturave tek gratë ka lumturi që i avitet paralelisht bukurisë, ka elegancë që gjithmonë ëndërrohet të jetë aq sa nuk është, ka finesë në lëvizje, ka një formë vallëzimi në ecje. Tek figurat e grave të mjera ose të trishta nuk mungon bukuria, as hijeshia. Safoja di të lëviz në pikturë me shumë delikatesë. E ruan figurën e gruas sikur të jetë një fije e brishtë bari. E admiron atë pa masë, koncepton në detaje feminilitetin. Një nënë e varfër me dy vajza që qajnë prej dhimbjes pranë supeve të asja nëne të gjunjëzuar përtokë ka të ngjarë të ngelet edhe kryevepra e Safo Markos. Ajo nuk e ka ndjerë as vetë lëvizjen e dorës në atë pikturë, por ka sjellë në art dy lëvizje të jashtëzakonshme: Njëra është ajo lëvizje që e bën bojën të mos jetë më bojë kur pikturon, por një materie e pazakontë, misterioze, ndërsa tjetra lëvizje është ajo e emocionit poetik në çastin kur Safo ka përjetuar fort dhimbjen dhe në krijesat e saj në tablo e ka përcjellë pa materien mishtore. Kur sheh këtë pikturë, në dhimbjen e tyre nëna dhe vajzat që qajnë fort duken sikur janë vizatuar prej dallgës në format e saj më natyrore. Disa nga pikturat e Safos duket sikur janë bërë duke qepur ose qëndisur. Ngjyrat janë të lehta, të ngjashme me purpurin që vjen nga dielli i mëngjesit, hëna e plotë ose vezullimi i detit. Anatomia e grave sillet me hiperbolizime sensuale të detajeve, beli mundet “të këputet” prej elegancës. Gishtat kapin edhe qiellin “po të duan”. Qafa e gruas s'do t'i ndahet imazhit të qafës së bucelës ku në disa raste për hir të kësaj edhe koka e një gruaje mundet të pikturohet po aq sa gongla në krye të bucelës. Fizionomia e fytyrës ruan imazhin e vajzave me tipare të harlisura të bregut: balluke të verdha që bien mbi ballë, sy levarashë, siç do të thoshte poeti lirik Lasgush Poradeci dhe ato do të përsëriten pa përsëritur megjithatë secilën vepër unikale të Safo Markos-Safos së pikturës shqiptare.
(Foto Safo Marko ne ekspoziten e saj te fundit-qershor 2008)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë