Saga e bashkisë Himarë, 'toka e nxehtë', 15 muaj ‘betejë’ për drejtimin e saj dhe 2 kryebashkiakë në burg

Himare- Zgjedhjet e kësaj të diele për kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës do t’i japin fund një sage thuajse 15 mujore që lëkundi politikën jo vetëm brenda vendit, por rriti tensionet edhe mes diplomacive të Shqipërisë e Greqisë.

Zanafillën, e ka në datën 12 maj 2023, 2 ditë para zgjedhjeve vendore, kur Fredi Beleri, asokohe kandidat i opozitës nën koalicionin “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës u arrestua në flagrancë në lokalin e tij në mesnatë teksa bënte pazare për blerje votash.

Zgjedhjet e 14 majit në Himarë, u zhvilluan në një klimë të pazakontë: Mes një kandidati në burg dhe Jorgo Goros, që mbante postin e kryebashkiakut aktual.

Përpos akuzave të opozitës se arrestimi i kandidatit të saj Fredi Belerit ishte politik dhe i urdhëruar drejtpërdrejtë nga Edi Rama, procesi zgjedhor shkoi i qetë dhe himariotët votuan. Nga 22 mijë e 833 votues, votuan 7821 qytetarë, ndërsa me vetëm 19 vota më shumë se rivali i tij, Fredi Beleri u shpall nga burgu fitues i zgjedhjeve.

Simpatizantët e Belerit festuan fitoren me flamujt grekë dhe thirrje në gjuhën Helene.

Fitoren e Belerit në këto zgjedhje e përshëndetën edhe krerët më të lartë të politikës greke, mes të cilëve edhe vetë Mitsotakis.

Por gëzimi i fitores zgjati pak, e Fredi Beleri në mesin e një beteje ligjore për të shpallur veten të pafajshëm, kërkoi disa herë leje për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës, leje që sa herë kërkohej, refuzohej nga autoritetet për shkak të vakumit ligjor.

Në mungesë të betimit të Fredi Belerit, Bashkia vijoi të drejtohej nga Jorgo Goro edhe për disa muaj, derisa më 23 mars, me urdhër të SPAK u arrestua edhe kryebashkiaku në detyrë i Himarës.

Arrestimi edhe pas një denoncimi që Fredi Beleri kishte bërë nga burgu për pronat e Himarës dhe rolin e kryebashkiakut për privatizimin e tyre në funksion të dhënies investitorëve strategjikë. Beteja politike tashmë ishte zhvendosur në dyert e SPAK, ku të dy kryebashkiakët luftonin për liri.

Me vënien në pranga edhe të kryebashkiakut në detyrë, drejtimi i Bashkisë i kaloi përkohësisht Blerina Balës. Emërimi i saj më 29 mars të 2024 nga Këshilli Bashkiak u shoqërua me tensione të forta, ndërsa mbështetësit e Fredi Belerit të pranishëm në sallë, tentuan të përplaseshin edhe me Vangjel Tavon, që sapo ishte emëruar prefekt i Qarkut Vlorë.

Caktimi i Balës si kryetare e komanduar nuk do t’i jepte fund ngërçit të drejtimit të Bashkisë së Himarës. Vetëm pak javë pas komandimit, ajo lajmëroi dorëheqjen dhe prej 7 Qershorit Bashkia drejtohet nga nënkryetari Arqile Bollano.

Zgjidhja e ngërçit të drejtimit të Himarës nisi të merrte jetë, pasi në institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë në vend: Strukturës së Posaçme anti-korrupsion u dha vendimi përfundimtar për Fredi Belerin: Apeli i GJKKO vendosi të dënojë me 2 vite burg Belerin për korrupsion aktiv në zgjedhje, vepër penale që ndalonte Belerin të ushtronte detyrën e funksionarit publik.

Ky vendim i hapi rrugë zgjedhjeve te reja në Himarë.

KQZ u vu në lëvizje përmes një shkrese të kreut të FRESSH në Himarë, ku kërkonte që institucioni i administrimit të zgjedhjeve të shpallte të pavlefshëm mandatin e Belerit për shkak të dënimit të tij.

Përpara se të vendoste, KQZ thirri në seancë Fredi Belerin, që deri në atë kohë vijonte ta gëzonte statusin e kryetarit të zgjedhur të Himarës.

Më 5 korrik Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të shpallte të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit ndërsa vetëm pak orë më vonë Këshilli i Ministrave njoftoi Presidencën për vakancën. Bajram Begajt nuk iu desh shumë, dhe pasditen e 5 korrikut shpalli datën e zgjedhjeve 4 gushtin, ditën më të afërt që ligji e lejonte.

Tashmë radha do të ishte e kandidatëve. Partia Socialiste nuk surprizoi. Vangjel Tavo u shpall kandidat i PS për Himarën, ndërsa emri i tij kishte nisur të lakohej prej muajsh, që kur Rama e caktoi Prefekt. Njeriut që nisi karrierën politike në PS, por u largua për disa vite për shkak të përplasjeve me vetë kryeministrin, tashmë Rama i besoi garën në një prej bashkive më të vështira, duke shpresuar jo vetëm mbajtjen e Himarës, por mbase edhe përmirësimit përmes tij të marrëdhënieve ndonjëherë të tensionuara që për shkak të bashkisë me minoritet grek pati me Greqinë.

Opozita zgjodhi kandidat Petro Gjikurinë, një emër tërësisht i panjohur për politikën në qendër. Por, për Himariotët, njihej si mbështetës i Fredi Belerit. Të paktat herë që shqiptaro-amerikani kishte ardhur nga Amerika ku jetonte, në Himarë, ishte për të mbbështetur fushatën e Fredi Belerit.

Bashkia e Himarës përbëhet nga 3 njësi administrative dhe ka një shtrirje të gjerë përgjatë të gjithë bregut të Jonit si dhe në malet e Labërisë. Në këtë 4 gusht, të drejtën e votës rezulton ta kenë 23 mijë e 74 himariotë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi