Sahit Dollapit po i ‘buzëqesh fati’ pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentar të 25 prillit 2021 dhe dorëheqjes nga funksioni i Sekretarit Organizativ të kësaj partie, përkatësisht posti më i rëndësishëm pas atij të kryetarit. Rreth një muaj pas dorëheqjes, kompania ‘ONYX’, me pronar 100 % Sahit Dollapin, është shpallur fituese e një tenderi, me vlerë rreth 190 mijë USD, për zhbllokimin e pusetave në Tiranë për 12 muaj. Tenderi është zhvilluar nga Ujësjellësi i Tiranës në 26 qershor 2021, ndërsa kompania e Dollapit, e vetme në këtë garë, është shpallur fituese në 13 korrik 2021.

Në rastin konkret, pikërisht nga mungesa e kompanive të tjera konkurruese, ndryshimi mes ofertës fituese dhe fondit limit është i papërfillshëm (19,993,590 lekë fondi limit / 19,094,166 lekë oferta fituese). Gara me vetëm një konkurrent lejohen nga ligji, por mbart rrezik për mundësi abuzimi. Nga ana tjetër, Sahit Dollapi një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë Lulzim Bashës, gjatë kohë kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha, ka qenë drejtor pikërisht i Ujësjellësit të Tiranës, i kritikuar nga socialistët, në atë kohë në opozitë. Dollapi ka qenë edhe drejtor i KESH dhe në fund administrator i CEZ, ku i vuri vetes rrogë 5 mijë euro në muaj.

Tenderi 190 mijë USD është i fundit, por nuk është i vetmi për Sahit Dollapin. Për zhbllokim kolektorësh dhe pastrim tubacioni, kompania e Dollapit ka marrë edhe 5 tendera të tjerë nga Bashkisë Lushnje, Korçë, Tiranë dhe Durrës, që të gjithë pa konkurrencë. Kompania e Dollapit ka lidhur dy kontrata për dhënia me qira autobot për pastrimin e të ujërave të zeza me Bashkinë e Lushnjes, në vitin 2020, kur drejtohej nga Fatos Tushe, i arrestuar disa ditë më parë nga SPAK për abuzime me tenderat. Ndërkaq, kompania e Sahit Dollapit është shpallur fituese në 8 tendera të tjerë me vlerë qindra mijëra euro, duke u bashkuar me kompani të tjera, një formë e përdorur në mënyrë masive vitet e fundit për të plotësuar në letër kriteret e tenderit.

Pa kompani të tjera në garë dhe pothuajse me ofertë sa fondi limit, ‘ONYX’ e Sahit Dollapit, në bashkëpunim me kompaninë “Balili Konstuksion” sh.p.k, është shpallur fituese e tenderit për rikonstruksionin e kolektorëve në Durrës me vlerë 103 255 436 lekë, në nëntor të vitit 2020, pra katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, kohë gjatë të cilës Dollapi mbante funksionin e Sekretarit Organizativ të PD-së. Nga verifikimet rezulton se kompania e Sahit Dollapit ka vendosur një rekord, pasi 100 % të tenderave i ka fituar me flamur të kuq, që do të thotë me vetëm një kompani pjesëmarrëse dhe në një rast duke përjashtuar nga gara të gjithë konkurrentët e tjerë, përveç fitueses, që është ‘ONYX’. Për rrjedhojë, në të gjithë tenderat e ‘fituar’ deri më sot, e vetme apo duke u bashkuar me kompani të tjera, ndryshimi mes ofertës fituese dhe fondit limit është i papërfillshëm.

(Kliko këtu për njoftimin për shpalljen e kompanisë ‘ONYX’ me pronar Sahit Dollapin, fituese e tenderit pa garë për zhbllokimin e pastetave)

(Kliko këtu për ekstraktin e kompanisë fituese të tendrit)