Saimir Pirgu, ish-violinisti që u bë një
prej tenorëve më të vlerësuar në botë 

Saimir Pirgu, ish-violinisti që u bë një<br />prej tenorëve më të vlerësuar në botë 
Në mars të vitit 2012, tenori shqiptar Saimir Pirgu (Elbasan, Shqipëri, 1981) debutonte para publikut të Gran Teatre të Liceut në Barcelonë një Bohemë të paharrueshme së bashku me Miminë, Angela Gheorghiu. Pasi pati kënduar rolin e Rodolfos në gjysmën e botës, në qershor u kthye në skenën e këtij liceu me të njëjtin personazh – sipas posterit ishte deri më 8 korrik – ku shfaqet shumë më i pjekur, por gjithmonë me një freski skenike që magjeps (shih kritikën në faqen 55). Gjatë këtyre viteve,  komenton këngëtari për ÓPERA ACTUAL, vizioni i tij për personazhin ka shkuar shumë përpara, duke pasur parasysh se ka debutuar në vitin 2009 në një asamble për televizionin zviceran, “por debutimi im teatral në rol ka qenë pikërisht në Barcelonë. Unë nuk mendoj se publiku i Liceut ka zbuluar ndryshime të rëndësishme në interpretimin tim, edhe pse është e vërtetë se unë tani mund të kem arritur një përvojë më të madhe skenike dhe një njohje më të mirë të rolit. Interpretuesi rritet me kalimin e viteve dhe në këtë produksion të Jonathan Miller të gjithë interpretuesit kanë mundësinë për të ofruar një prezencë më të mirë skenike dhe vokale”.
 
ÓPERA ACTUAL: Ju keni thënë se Puçini është një kompozitor, muzika e të cilit i jep një lirshmëri të madhe emocionale interpretuesit. Ku janë më të dukshme këto hapësira lirie në rolin e Rodolfos?
SAIMIR PIRGU: Veçanërisht në aktin e tretë. Këtu artisti që luan Rodolfon duhet të tregojë një liri interpretuese të niveli të lartë emocional, përveç, natyrisht, pranisë së tij vokale. Dua të them se gjithë akti i tretë dhe njëzet minutat e fundit të operës, me gjithë ngarkesën e saj emocionale, janë për mua gjithë thelbi i interpretimit të karakterit.
 
Ó. A.: Produksioni me të cilin debutuat në Barcelonë mbante firmën e Giancarlo del Monaco dhe tani keni gjetur një propozim skenik të Jonathan Miller që duket të jetë i destinuar të bëhet një klasik. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë shfaqje?
S. P:. Sipas mendimit tim, ne po flasim për dy vizione shumë të ndryshme ndërmjet tyre, por të dyja produksionet janë të bukura dhe shumë bindëse nga pikëpamja teatrale. Dhe gjithashtu besoj se, në të vërtetë,  kjo që po bëjmë nga Jonathan Miller do përfundojë në një kreativitet klasik. Nuk kisha punuar kurrë në një inskenim të këtij regjisori dhe jam me të vërtetë i entuziazmuar që mund të jem pjesë e këtij produksioni.
 
Ó. A.: Ju gjithashtu morët pjesë në vitin 2009 në Bohema për televizionin zviceran të filmuar në rrugët e Bernës. Si e kujtoni atë përvojë? Do t’ju pëlqente të merrnit pjesë në një tjetër xhirim të këtij lloji? Çfarë operash të tjera mendoni se mund të vendosen në rrugët e një qyteti?
S. P:. E kujtoj si një eksperiencë fantastike dhe e vërteta është se ka pasur një audiencë të jashtëzakonshme. Mund të japë një ide të suksesit që pati fakti se edhe në lajmet televizive të Zvicrës dhe vendeve gjermanishtfolëse iu ndryshua orari për të mos ndërprerë transmetimin. Unë e kuptoj se ishte një rast i veçantë, sidomos për të sjellë më afër operën për njerëzit që normalisht nuk do t’i ishin qasur asaj në një mënyrë më konvencionale. Kjo mund të provohet me Berberin e Seviljes në Sevilje dhe në fakt tashmë është bërë në Romë me Plácido Domingo dhe Zubin Mehta me Toskën. Gjithashtu Kapuletët dhe Montekët ose Roméo dhe Zhuljeta mund të xhirohen në Verona, pse jo? Rrugët dhe vendet janë atje, dhe kjo mund të jetë mbi të gjitha shumë e bukur dhe informuese.
 
O. A:. Pas kësaj përvoje nëpër rrugët e Bernës, pse pritët tre vjet derisa debutuat La Boheme në një teatër? Çfarë ju shtyu që të prisnit pak para se të merrnit hapin e ardhshëm?
S. P:. Prirem ta lë të pushojë një rol pasi e kam debutuar që të mund ta bëj me ide të reja dhe vizion më të qartë herën e ardhshme, duke qenë se në një përvojë të parë nuk mund të zbulohet plotësisht dhe ekzekutimi eventualisht mund të jetë më problematik. Unë nuk kam bërë atë vetëm me Bohemë, por edhe me rolet e tjera të mia.
 
Ó. A.: Në Barcelonë do të ktheheni në shtator për të kënduar Messa da Requiem të Verdit në Palau de la Musica Catalana dhe në tetor do të merrni pjesë në përurimin e sezonit të ardhshëm të Liceut me Macbeth. Është një zgjedhje e qëllimshme apo është vetëm një rastësi në agjendën tuaj? Në cilat pjesë të tjera të Spanjës keni planifikuar të luani?
S. P:. Nisma ka dalë nga teatri barcelonas, duke qenë për më tepër rastësia që i kisha të lira këto data. Por e vërteta është se kam shumë oferta, nga Madridi aq sa dhe nga qytete të tjera spanjolle, e cila kënaq më shumë, sepse unë e konsideroj publikun spanjoll shumë njohës dhe entuziast. Unë ndihem shumë rehat në Spanjë, sidomos kur luaj për një publik që e vlerëson operën dhe këngën.
 
Ó. A.: A mund të na tregoni për ndonjë rol të rëndësishëm që keni parashikuar t’i shtoni repertorit tuaj?
S. P: Teatri Bolshoi në Moskë më ka ftuar të debutoj atje këtë korrik me një tjetër rol francez, atë të protagonistit të La Damnation de Faust, një muzikë e mrekullueshme dhe roli i jashtëzakonshëm që do të përball për të parën herë me një regjisor të madh si Tugan Sokhiev . Ndihem shumë i entuziazmuar në lidhje me këtë debutim të ardhshëm si Faust që, për më tepër, do të jetë një prodhim i Peter Stein.
 
 Ó. A.: A po e zhvilloni zërin tuaj sipas parashikimeve tuaja? Si e imagjinoni se do të zhvillohet në të ardhmen? Dhe, për këtë arsye, cili mendoni se do të jetë repertori juaj në vitet e ardhshme?
S. P:. Të gjithë këtë që po më ndodh e kisha imagjinuar pikërisht kështu, dhe jam shumë i lumtur që gjërat po shkojnë siç i kisha planifikuar. Unë jam fillimisht një tenor lirik dhe mendoj se do të vazhdoj të jem edhe në të ardhmen. Natyrisht, ka role që do t’i debutoj më herët dhe që mund të kenë një komponent shumë dramatik, por do të jenë gjithmonë ato që kanë përfunduar duke kënduar tenorët lirikë gjatë karrierës së tyre; pjesa tjetër, nuk besoj se ka shumë surpriza. Është koha e Simon Boçanegra, do të vijë koha e Faust dhe gjithashtu e Ëerther, por vokali im do të jetë gjithmonë ai i një tenori lirik, e cila është ku unë mund të jap më të mirën nga vetja.
 
Ó. A.: Me vetëm 35 vjet jeni duke u shndërruar në një nga tenorët më të kërkuar në skenën ndërkombëtare. A e imagjinonit kështu kur u larguat nga vendlindja juaj, Shqipëria, në moshën 16 vjeçare për të studiuar violinë në Bolzano?
S. P:. Do të mbush 35 vjeç më 23 shtator. Kur unë isha një djalë 18 vjeçar ishte e paimagjinueshme të mendoja se 16 vjet më vonë do të mundja të debutoja në teatrot kryesore të operës në botë, dhe kjo më bën tani veçanërisht të lumtur. Fakti që kam studiuar muzikë dhe violinë ka qenë një përbërës i rëndësishëm në karrierën time dhe për mua ka rezultuar thelbësor.
 
Ó. A.: Në fëmijërinë tuaj, dhe në një Shqipëri komuniste, ishte administrata shtetërore e cila vendosi që ju të studionit violinë dhe jo piano siç keni kërkuar? Në çdo rast, si jetuat duke qenë fëmijë në vitet e fundit të periudhës komuniste?
S. P:. Vitet e fundit të komunizmit në Shqipëri nuk ishin shumë të këndshme, por unë isha shumë i ri dhe në atë moshë momentet e këqija janë të lehta për të harruar. Shqipëria u bë një vend demokratik rreth vitit 1991 dhe rinia ime më pengonte që të kuptoja saktësisht gjërat dhe situatën politike në përgjithësi. Ajo që unë mund të them është se vitet menjëherë pas komunizmit ishin shumë të vështira për të gjithë shoqërinë, dhe kështu ishin dhe për prindërit e mi. Kujtoj se shumë shqiptarë duhej t’i drejtoheshin emigracionit si një zgjidhje për problemet e tyre. Fakti që unë studiova muzikë i detyrohet ardhjes së disa mësuesve në qytetin ku jetonim për të zbuluar fëmijët me aftësi dhe talent muzikor dhe në sajë të raportit që shkruan për mua munda të marr pjesë në kurset zyrtare muzikore të organizuara në shkolla. Kështu ndodhi që unë ngela i regjistruar në një klasë të violinës, edhe pse dëshira ime do të kishte qenë për të mësuar t’i bija pianos. Ajo ishte një nga gjërat më të mira që e bëri regjimi komunist, për të cilin arsimi ishte gjithmonë një vlerë kryesore.
 
Ó. A.: Ai edukim muzikor me siguri ka qenë i dobishëm në karrierën tuaj si këngëtar.
S. P:. Arsimimi muzikor ndihmon shumë, sidomos në shprehi. Përveç kësaj, të luash në një instrument si violina, kaq e komplikuar në akordim, i jep veshit një predispozitë më superiore se sa ç’mund të japë zotërimi i instrumenteve të tjera. Mendoj se pa këto njohuri muzikore nuk do të mundja, në moshën 22 vjeçare, të guxoja të debutoja me Claudio Abbado ...
 
Ó. A.: Është thënë më shumë se një herë se interesi juaj për të kënduarit gjatë adoleshencës suaj në Shqipëri u zgjua pas dëgjimit të koncertit të Tre Tenorëve. Çfarë ishte ajo që ju tërhoqi veçanërisht nga kjo ekspozitë tenorësh? Para kësaj, a e dinit se çfarë ishte opera?
S. P:. Para se të dëgjoja Tre Tenorët nuk dija pothuajse asgjë nga opera. Për mua ishte një zbulim. Pastaj kam jetuar në Elbasan, një qytet industrial larg Tiranës, kryeqytetit, ku është i vetmi teatër i operës në vend. Prandaj opera, si në shtëpi dhe në qytetin tim ishte praktikisht inekzistente. Ne e dinim, këtë po, që ishte opera si një shfaqje skenike, por nuk kishte asnjë mënyrë për ta dëgjuar drejtpërdrejt. Ndryshimi i madh erdhi kur hyra në shkollë të mesme. Gjithmonë them se unë jam një produkt i Tre tenorëve dhe falë tyre ndërmora aventurën e të kënduarit, sepse kjo është e vërteta. Kur isha rreth 13 apo 14 vjeç nuk kishte kaluar shumë kohë që kishte përfunduar epoka komuniste; atëherë pashë në televizion një regjistrim të koncertit të Tre Tenorëve në Caracalla në prag të një Kupe të Botës në futboll. Nuk e di saktësisht se çfarë më ndodhi, por e vërteta është se unë ngela i mahnitur nga ato zëra. E regjistrova koncertin dhe e kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur. Që atëherë e dija se të kënduarit do të ishte jeta ime dhe kështu ka qenë: e imja ishte vërtetë një ëndërr e bërë realitet.
 
Ó. A.:. Duke iu rikthyer viteve tuaja të formimit, në Bolzano keni pasur kontaktin e parë me atë që do të ishte mësuesi juaj, Vito Maria Brunetti. Kur vendosët që të këmbenit violinën me të kënduarit?
S. P:. Siç thashë, pas koncertit të Tre Tenorëve kuptova se e ardhmja ime ishte të kënduarit dhe se vetëm asaj doja t’i përkushtohesha. Isha 18 vjeç kur, pasi mora diplomën time në violinë, vendosa të largohesha nga Shqipëria për t’u shpërngulur në Itali, me shpresën për të studiuar kanto. Duke mos ditur ende nëse ëndrra ime mund të shndërrohej në realitet apo jo, dhe me përgatitjen muzikore që kam pasur, vendosa të regjistrohem edhe në klasën e kompozimit. Ishte mjeshtri Vito Maria Brunetti që, pasi më dëgjoi, besoi te unë dhe më futi në klasën e tij të kantos. Në saj të mësimeve të tij arrita të diplomohem në pak kohë në Konservator dhe të filloj menjëherë karrierën time.
 
Ó. A.: Në Bolzano gjithashtu keni njohur Luciano Pavarotti, me të cilin edhe keni studiuar. A ka qenë ai një pikë referimi në karrierën tuaj? Çfarë keni mësuar prej tij? Cilët ishin këngëtarët, të çdo epoke, të cilët i keni marrë si referencë?
S. P:. Po, pa dyshim Pavarotti ka qenë për mua një pikë referimi... Për më tepër, për mua Luciano ka qenë çdo gjë, dhe e konsideroj veten shumë me fat që e kam njohur dhe kam studiuar me të. Mësimet e Pavarotti kanë qenë themelore për mua. Unë i kërkova atij të më dëgjonte dhe kurrë nuk më munguan këshillat e tij, që ende sot i konsideroj shumë të dobishme si në aspektin teknik dhe shprehës të të kënduarit të ashtu dhe për të zhvilluar karrierën time në përgjithësi. Për të ishin shumë të rëndësishëm diksioni dhe shqiptimi, që duhet të ishin të përkryer, ashtu si dhe faktin e të mos kënduarit me shumë shtrirje dhe të mbuluarit në mënyrë perfekte të tingullit, për një lidhje të mirë në zonat kalimtare... Më dha mësime që i kam konsideruar dhe i konsideroj të çmuara, sepse kur kam qenë nxënës i tij unë isha shumë i ri. Sot nuk janë vetëm kujtime të bukura, por dhe një burim frymëzimi. Mendoj se tenorët e një game vokale si e tij, si Gedda, Kraus, Gianni Raimondi, Aragall ose Carreras gjithmonë do të jenë tenorët e mi të preferuar, idhujt e mi, të cilët gjithmonë do i kem si referencë.
 
O.A:. Gjithashtu keni pasur mundësinë për të punuar me një tjetër anëtar të Tre Tenorëve të famshëm, Plácido Domingo. Çfarë mendoni se i bën të ndryshëm këta tre interpretues prej këngëtarëve të tjerë? Dhe, si tenor që jeni, ku mendoni se ndryshojnë nga njëri-tjetri?
S. P:. Para së gjithash më duhet të them se të tre ishin shumë të mirë, edhe me ngjyra shumë të ndryshme vokale, dhe prania e tyre skenike ka qenë fantastike. Mendoj se për t'u bërë dikush duhet studiuar dhe luftuar fort, dhe se në rastin e tyre, e kanë merituar plotësisht atë që arritën pas një udhëtimi të gjatë dhe përpjekjeve. Ishin kohë të tjera, sigurisht, ku bota diskografike ishte gjithashtu e ndryshme, kur drejtorët e mëdhenj si Herbert von Karajan mund të ndihmonin në rritjen e popullaritetit të çdo këngëtari nëse ai u besonte atyre projekte diskografike apo DVD-je. Për Placido Domingo mund të them se i detyrohem atij karrierën time në Amerikë duke debutuar në teatrot e menaxhuara prej tij, si Opera e Los Angeles dhe Opera Kombëtare Ëashington. Ai besoi te unë. Përveç kësaj kënduam së bashku në Neë York Metropolitan La Traviata, ai luante rolin e babait tim ...
  
Ó. A. Pavarësisht nga mosha juaj e re, ju tashmë keni një qasje të rëndësishme në tregun diskografik dhe të medias në përgjithësi. Këtë vit keni publikuar albumin tuaj të fundit si solist, Il mio canto (OPUS ARTE, përshkruar në Ópera Actual 190), me arie nga operat e Verdit, Puçinit, Gounod, Richard Strauss, Cilea, Donizeti dhe Massenet. Në disk përfshihen fragmente nga L'Arlesiana dhe Luisa Miller. Janë role që mendoni t’i përfshini në repertorin tuaj?
S. P:. Besoj se po. Luisa Miller, Simon Boçanegra dhe L'Arlesiana, por gjithashtu edhe Faust dhe Rosenkavalier janë tituj që ende nuk i kam kënduar dhe mendoj se do të mund t’i përfshij në repertorin tim në dekadën e ardhshme. Unë jam shumë i kënaqur me publikimin e këtij albumi me Orkestrën e Maggio Musicale Fiorentino dhe drejtimin e Speranza Scappuçi. Bëhet fjalë për një eksperiencë shumë të bukur dhe edhe pse vitet do kalojnë ky album do të jetë gjithmonë një nga të preferuarit e mi. Jo më kot është titulluar “Il mio canto” dhe më bën shumë të lumtur që kam qenë në gjendje ta regjistroj në këtë periudhë të jetës sime.

pirgu

(Intervista është botuar në OPERA AKTUALE 193 për muajt Korrik-Gusht 2016)

Përktheu nga spanjishtja dhe përgatiti per botim Kebriona Veliaj


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit