TAHIRI: PROKURORIA E AVASHTË
“Drejtësi nuk mund të bëhet nëse ky aksion i policisë nuk shoqërohet me hapat e nevojshëm për të çuar para drejtësisë të gjithë ata persona përgjegjës”, deklaroi ministri i Brenshëm, Sajmir Tahiri gjatë komunikimit të tij me median, nga qendra e fshatit Lazarat, zonë që deri dy ditë më parë ka qenë jashtë kontrollit. I pyetur për prokurorinë, Tahiri është treguar disi më i butë në vlerësimin e tij për punën e prokurorëve. “Nuk dua ta vesh me nota të veçanta avashllëkun e prokurorisë, por nuk i shkon askund ritmit që ka Policia e Shtetit për domosdoshmëritë që kanë qytetarët për të vendosur drejtësi”, theksoi gjatë fjalës së tij, ministri Saimir Tahiri.
I pyetur nga A1 Report në lidhje me postën e Policisë, pas hyrjes së uniformave blu në këtë zonë, Tahiri deklaroi se ka një plan që kjo zonë t’i kthehet normalitetit dhe aty policia të ushtrojë funksionet në mënyrën e duhur. “Posta e Policisë? Ne presim, të shohim, Policia e Shtetit e konsideron tashmë një zonë ku ushtrohet një kontroll i plotë dhe ligji është i vendosur. Kemi një plan daljeje nga kjo zonë, që do të thotë të ketë prezencë të policisë dhe bashkëpunim me komunitetin për të ndërtuar në Lazarat, ritmin e domosdoshëm shoqëror që ta bëjmë këtë zonë pjesë të një kapitulli zhvillimi përtej kapitullit të mbyllur të një bande trafikantësh”, deklaroi ministri.
Në fund Tahiri nuk la pa përmendur punën e medias, duke deklaruar se, do të ketë drejtësi për ata gazetarë që kanë vuajtur. “Faleminderit dhe juve për punën e bërë dhe disa prej jush e kanë vuajtur më shumë se të tjerët, por edhe për ata do të ketë drejtësi”, theksoi ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.
DIDI AKUZA PROKURORISË
Në komunikimin e parë me mediat në ditën e 6 të aksionit antikanabis, i veshur me antiplumb në krye të udhëheqjes së forcave të policisë, drejtori Policisë së Shtetit, Artan Didi hodhi akuza ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. “Prokuroria vazhdon me të njëjtin ritëm. E gjithë policia është në këmbë në të gjithë këtë zonë të mbushur me aktivitet kriminal, që lidhen me krimin, me armë, me mitrolozë, me predha, bimë narkotike, bimë që janë që nga viti i kaluar në pako, kur vjen puna policia ka mbetur vetëm” tha Didi.
Sipas tij: “Ecuria e operacionit lidhen shumë me veprime provcedurale të cilat i drejton Prokuroria. I bëj thirrje Prokurorisë të tregohet më e gatshme për të na mbështetur në hetime. Jemi të përkushtuar për ta mbyllur sa më shpejt këtë aksion. Unë kam komunikuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda po s’kam mundur të komunikoj dot me Prokurorin e Përgjithshëm”, deklaroi kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)