Sali Berisha dhe kalbëzimi i një pjese të elitës shqiptare

Sali Berisha dhe kalbëzimi i një pjese të elitës shqiptare

Në foto Berisha dhe mbështetësit e tij

Është fatkeqësi për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët në tërësi, pra edhe për ata që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të Republikës, sepse edhe ata ashtu si këta brenda vendit, ende hedhin në tregun e opinioneve mediatike lëndë me përmbajtje pozitive për një prej figurave më të errëta të historisë së re shqiptare, siç është Sali Berisha, duke sfiduar kështu në një mënyrë tinzare qëndrimin e aleatit më të sinqertë dhe më të fortë që shqiptarët kanë pasur në historinë e tyre të shtetformimit, siç është SHBA-ja.

Berisha nuk është një fat personal, pra nuk është thjesht historia e një individi që fati i mbrapshtë e nxori në krye të vendit dhe ai në vend që t’i shërbente atij, me veprimet e mirëmenduara shënoi disa nga tragjeditë më të mëdha të tyre dhe gjithë duke mos u ngopur me to, në mandatin e fundit iu turr financave publike dhe bashkë me familjen e tij dhe aleatët e vet politikë, siç thotë deklarata e Sekretarit të Jashtëm të SHBA-ve, z. Blinken, u përfshi në korrupsion thelbësor duke i bërë presion gjyqësorit dhe duke minuar demokracinë.

Në këtë pikturë që aleati ynë më i madh i ka bërë këtij personazhi shihen ngjyrat me të cilat e ka vizatuar edhe pjesa kryesore e mediave shqiptare, por edhe investigimet që kanë bërë gazetarë të pavarur dhe institucione të tjera gjithashtu.

Nga kjo pikëpamje, rasti Berisha shënon një nga sindromat e sëmundjes me të cilën është shoqëruar historia e afirmimit të kombit shqiptar dhe kjo sindromë është: atdheu si plaçkë dhe si mall për ta shkëmbyer me të gjitha pasionet e banditit që kërkon pasurimin me çdo kusht dhe shkërmoqjen e tërësisë së atdheut duke i çuar pjesë të tij si dhurata për të gjithë ata që mund të realizojnë qëndrimin në pushtet të asaj figure që gjendet aksidentalisht në krye të vendit.

Në historinë e re të shqiptarëve Esad Toptani është mbajtur si simboli i kësaj sindrome dhe ai ka shenjuar pikërisht këtë figurë duke sjellë ose duke mbajtur në shpinë anën më të errët që ka pasur një pjesë e elitave shqiptare të cilat në rrymë të shekujve kanë qenë të joshura gjithmonë nga pazare që bëheshin në qendër të Perandorisë otomane në fillim e pastaj në qendrat politike të fqinjëve.

Një nga tragjeditë e historisë sonë është se asnjëherë në përplasjet e përgjakshme brenda vendit nuk kemi arritur të projektojmë elita që nuk bëjnë pazare me kombin. Megjithëse të tjerët na akuzojnë për nacionalizmin abstrakt që mbështillet me perden e « Shqipërisë së madhe », në fakt, po të studiosh historinë e shqiptarëve, vëren se ne nuk kemi qenë në gjendje të ruajmë territorret tona sepse nuk kemi pasur një elitë unifikuese që të shtrinte mendimin e saj mbi të gjithë territorin e shqiptarëve. 

Ne i kemi lënë jashtë copa të territorit të banuara me shumicë nga shqiptarët sepse kemi prodhuar me tepri sindromën e shitjes së territorit për qëllime fitimi vetjak. Ne sot mezi e përmendim që jo më larg se një shekull më parë, territoret shqiptare shtriheshin në katër vilajete dhe në vitin 1912 rrezikoheshim të zhdukeshim fare. Pse ? Sepse idealistët në këtë vend dhe ata që u rezistonin pasioneve të mbrapshta për të shitur territorin në emër të pasurimit vetjak, disa herë ishin më të rrezikshëm se pushtuesit ose fqinjët tanë agresivë.

Siç e kam theksuar disa herë, nëse nuk do të ishte qëndrimi i vendosur i SHBA-ve me presidentin Willson në Gjenevë, ëndrra e rilindësve për të pasur një Shqipëri si kjo që kemi sot, do të ishte vënë në rrezik.

Mirëpo, historia përsëritet sipas modelve të krijuara në rrymë të shekujve. Berisha që sot po u kundërvihet SHBA-ve nuk është vetëm. Ashtu si sindroma apo virusi që ka prekur një pjesë të elitave shqiptare ku Jozefina Topalli është më e spiktatura, ka dhe shumë të tjerë të cilët identifikohen me Berishën dhe me fatin e tij sepse për ta tërbimi ndaj kundërshtarit politik dhe hedhja në erë e gjithçkaje që siguron mbrojtjen e vendit dhe aleancat me miqtë tanë thelbësorë janë në rend të dytë dhe të papërfillshme. Për këtë elitë të korrputuar intelektualisht Berisha simbolizon egoizmin e lindur dhe krenarinë boshe të një politikani që vjen në krye të vendit për t’u pasuruar dhe për të mos sakrifikuar.

Interesante është se kjo elitë që vuan nga sindroma Berisha ka ndërtuar edhe një narrativë që për çudi ngjet me atë të Putinit. Në themel të mekanizmit që ndërton ligjërimin e tyre është gënjeshtra. Të gënjesh nuk do të thotë vetëm që të fshehësh atë që ka ndodhur dhe që e njohin të gjithë, por të tregosh një të vërtetë tjetër nga ajo që besojnë të gjithë dhe më kryesorja është të gjesh fajtorët, të identifikosh armiqtë. Putini po gënjen një pjesë të madhe të rusëve duke u thënë atyre se Rusia po sulmohet nga Perëndimi dhe se ata po na sulmojnë nga që ne përfaqësojmë të mirën dhe Perëndimi të keqen. Ne jemi të detyruar të mbrohemi me armë sepse ata po na vrasin idealet, po na vrasin ëndrrat.

Ligjërimi i Berishës dhe i atyre që e mbështesin atë ka pikërisht këtë strukturë. Berisha thotë se atë po e sulmon Sorosi dhe administrata amerikane që i është nënshtruar atij. Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë sipas Berishës nuk përfaqëson Amerikën por Sorosin. Putini thotë se ne jemi demokracia, Perëndimi është shtypja e shfytëzimi. Berisha thotë se mua më do Amerika por më lufton Sorosi që ka manipuluar presidentin e SHBA-ve dhe Sekretarin Blinken.

Ajo që të trishton në gjithë këtë histori me Berishën apo me sindromën që ai bart nuk është njeriu Berisha. Një i tillë mund të lindë prapë nesër sepse Shqipëria i pjell me lehtësi monstra të tilla. Fatkeqësia është përhapja që gjen kjo sindromë në një pjesë të atyre që hyjnë te elitat, të cilat zemërimet dhe frustrimet e tyre i projektojnë menjëherë te fati i Berishës dhe hidhen me dëshirë në krahët e kësaj sindrome duke treguar se ajo që ka ndodhur në historinë tonë nuk është faj i atyre që na kanë dashur të keqen. Është edhe faji ynë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • cani: 08/04/2022 14:03

    hahah paska fole ky komunisti i vogel

    Përgjigju
    • Bureto: 09/04/2022 22:42

      Shumë gjatë për të thënë shkurt esencën, atë që është se ne nuk kemi patur dhe nuk kemi elitë. Përveç këtij fakti shkrimi është plot me pasaktësira historike.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

BE: Sanksione të reja ndaj flotës së fshehtë të Rusisë, pas sabotimit të dyshuar kabllor nënujor

BE: Sanksione të reja ndaj flotës së fshehtë të Rusisë, pas sabotimit të dyshuar kabllor nënujor