VIDEO/ Berisha 'pushton' Selinë e PD, shkelmon derën e sallës së mbledhjeve: Do t'i komunikojmë Bashës shkarkimin, të mos guxojë të na kundërshtojë

Sali Berisha ka paralajmëruar 'revolucion' paqësor në atë që e quan si lëvizja për të rikthyer pluralizmin dhe demokracinë në vend, por duket se edhe këtë 'premtim' nuk po e mban. Ditën e sotme 'viktimën' e parë të revolucionit të tij bëri derën e zyrës së mbledhjeve në Selinë e PD.

Veç 28 anëtarëve të institucionit që ai e quan Komisioni për Rithemelimin e PD, të ngritur nga vetë ai, me Berishën sot ishte edhe Fation Dauti, një emër i njohur i institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri dhe Britaninë e Madhe, i cili teksa ka marrë shenjë nga Flamur Noka me një shkelm e hodhi në tokë derën, duke i lejuar Berishës dhe komisionit të tij të futen brenda, pa u ndrojtur fare se ishte në syrin e dhjetëra kamerave.

PD ka identifikuar si personin përgjegjës dhe ka thënë që do ta denoncojë atë në organet përkatëse, ndërkohë që më vonë Lulzim Basha tha se për këtë do të njoftojë edhe ambasadat e huaja.

Sipas tij Dauti është person me precedent, anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave.

Pas 'aktit të fortë revolucionar' të Dautit mori fjalën Sali Berisha. Ai njoftoi se vendimet e marra nga Kuvendi i 11 dhjetorit për shkarkim do t'i komunikohet 'shkarkimi' me shkrim, teksa e paralajmëroi kryedemokratin që të mos guxojë të kundërshtojë vendimin e referendumit.

Ai ftoi deputetët e tjerë të PD që deri më tani nuk i janë bashkuar, që të shkojnë në zonat e tyre zgjedhore dhe të shohin listat e demokratëve që kanë votuar për shkarkimin e Bashës dhe më pas të marrin aty vendimin se nëse do t'i bashkohen lëvizjes së Berishës.

Ndërkohë, gjatë kohës që Berisha 'pushtoi' selinë blu, kryedemokrati Lulzim Basha po zhvillonte një mbledhje në sallën ngjitur me atë ku u fut me dhunë Berisha.

Momenti kur mbështetësi i Berishës shqelmon derën e sallës së PD

 

 

VIDEO-Dera e shembur

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:50
U urdhërua nga Flamur Noka! PD kallëzon mbështetësin e Berishës që shqelmoi derën në PD: Pjesë e rrjetit kriminal me qendër në Londër

Partia Demokratike ka kallëzuar Fatjon Dautin, si personin që shqelmoi derën e sallës së mbledhjeve në selinë e PD ku zhvilluan më pas mbledhjen Sali Berisha me të ashtuquajturin Komisioni i Rithemelimit. Sipas PD, Dauti është person me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave. Me një njoftim për mediat, PD shprehet se ai u urdhërua nga Flamur Noka për të shpartalluar derën e sallës në selinë e PD.

"Pas analizimit të pamjeve filmike rezulton se i urdhëruar nga deputeti Flamur Noka, shtetasi Fatjon Dauti, person me precendetë të rëndë kriminal, që shoqëronte Sali Berishën, ka dhunuar ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike. Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe, shtetasi Fatjon Dauti është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave", njofton PD.

Në pamje duket qartë se si deputeti i PD, Flamur Noka, mbështetës i Berishës, i bën shenjë Dautajt dhe ai më pas shqyen derën.

Ora 14:24
Hyri me dhunë në seli, Berisha: Dënoj dhunën e policisë në protestën e djeshme

 

Sali Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike hynë me dhunë sot në PD.  Ata shqelmuan derën e mbyllur të sallës ku mbahen konferencat për mediat në PD, e më pas të gjithë anëtarët u futën brenda. Por Berisha nuk e sheh këtë. Ai tha se dënon dhunën e djeshme të policisë.

“Dënojmë disa akte brutale të policisë të narkopolicisë, e cila ka arrestuar mbrëmë njerëz të pafajshëm, i ka keqtrajtuar adoleshentët, në furgonat e makinë. Unë jam sot këtu për të paralajmëruar narkopolicinë, se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta, apo në lëvizjet revolucionare.

Mbrëmë deri në një të natës, në qeli të komisariateve me urdhër të Ramës janë mbajtur adoleshentë 15 vjeçar, por edhe burra të moshuar 84 vjeçar… Paralajmërimi përfundimtar është mos dhunohet asnjë e drejtë njerëzore”, tha Berisha mes të tjerash.

Ora 14:24
Do përballet me Bashën? Berisha shmanget: Kemi vendosur t'ia njoftojmë shkarkimin me shkrim

Lulzim Basha ndodhet vetëm pak hapa larg tij, por megjithatë Sali Berisha refuzon të përballet me të për t'i komunikuar 'shkarkimin'. Në selinë blu, Berisha u shpreh se ata kanë marrë vendimin që njoftimi Bashës t'i bëhet me shkrim.

"Po zbatohet vendimi i komisionit,ka vendosur t'i bëjë njoftim me shkrim. E këshilloj të mos i lodhë njerëzit, t'i thërrasë kot sepse i shkarkuar pas asnjë funksion, çdo fjalë e tij është e pavlerë", tha ai.

Ora 14:21
Berisha: Bashës do i dërgojmë me shkrim shkarkimin! E paralajmëroj të mos i kundërvihet vendimit të referendumit

 

Nga selia blu, ku u fut me dhunë, Sali Berisha ka njoftuar mbi vendimet e Komisionit për rithemelimin e PD, ku tha se një prej tyre është edhe njoftimi me shkrim i Bashës për shkarkimin. Ai paralajmëroi kryedemokratin që të mos 'imagjinojë' t'i kundërvihet këtij vendimi.

"Sot Komisioni i Përkohshëm i PD, pas diskutimeve ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të rithemelimit të PD. Deri më 22 mars, të gjitha strukturat e kësaj partie duhet të shndërrohen në struktura të anëtarëve të PD në të cilat ata do të vendosin me votën e lirë për drejtuesit e tyre. Duke vazhduar me këtë proces, demokratët janë të vetëdijshëm se janë në një revolucion të pandalshëm, të një rëndësie jetike dhe ata mbeten të gatshëm për të përmbushur çdo mision që do kërkohet në avancimin e kauzës sonë. Komisioni vendosi t'i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme të anëtarësisë së PD në aktin më historik të lirisë gjatë pluralizmit, siç ishte referendumi i datës 18 dhe ky akt siç e dini ishte shkarkimi, ratifikimi i shkarkimit. Si një akt protokollar dhe jo detyrim sepse detyrimi është shpallur para të gjithë shqiptarëve, deputetit Basha do i dërgohet një shkresë ku do njoftohet për këtë vendim. Për të gjithë anëtarët e PD që votuan më 18 dhjetor, Komisioni vendosi të njoftojë se anëtarësi e PD është më këmbë dhe e vendosur të zbatojë vendimin e saj, vendimi i marrë do zbatohet pa asnjë lloj hezitimi. Paralajmëroj deputetin Basha të mos imagjinojë e mendojnë për një çast t'i kundërvihet vendimit të referendumit më të gjerë që është mbajtur ndonjëherë në historinë e vendit. Anëtarët kanë vendosmëri absolute për të zbatuar këtë vendim", tha Berisha.

Ora 14:10
Berisha për protestën e djeshme: U mbush Bulevardi! Tirana dhe Shkupi janë vasalë të Serbisë

 

Edhe pse nuk kishte më shumë se 1000 vetë dje në protestë, Sali Berisha deklaron se mbushi Bulevardin mbrëmjen e djeshme. Berisha tha sot  nga Selia e PD se ajo ishte një protestë kundër aleancës së Beogradit me vasalët e tij në Tiranë dhe Shkup.

"Mbushën mbrëmë Bulevardin Dëshmorët e Kombit në një akt historik të protestës së dytë që nga viti 1998 të partive politike për interesin e tyre kombëtar. Interesi kombëtar në Shqipëri mbeti jetim prej 8 vitesh. Ai nuk u nëpërmkëmb dhe u tradhtua nga Edvin Kristaq Rama dhe me heshtje u tradhtua po njëlloj nga ish-kreu i opozitës që me program dhe statut duhet të mbronte këtë interes, 'Lulzim Brava'.

PD e rithemeluar mbi vlerat konservatore i tha botës se interesi kombëtar në këtë vend ka një avokat në PD dhe në opozitën shqiptare. Kjo nuk ishte një protestë kundër bashkëpunimit rajonal, por kundër Aleancës trepalëshe të Beogradit me vasalët e tij në  Shkup dhe Tiranë. Kjo përbën rrezik serioz po të kemi parasysh që 2 vende vasale të Beogradit, janë vende anëtare të NATO-s dhe e kanë bërë këtë akt pa marrë asnjë miratim nga Aleanca e Atlantikut të Veriut", tha Berisha

Ora 14:04
Berisha futet me dhunë në sallën e mbledhjeve në PD, përballet me 'surprizën' e pakëndshme, nxjerr mediat jashtë për ta rregulluar

1640093466_WhatsAppImage20211221at14.27.30.jpeg

Sali Berisha ka 'pushtuar' edhe një herë sot selinë e PD-së, ndërsa është futur me dhunë në sallën e mbledhjeve për të zhvilluar mbledhje me të ashtuquajturin Komisioni për Rithemelimin e PD. Menjëherë pasi mbështetësit e tij shqelmuan derën e sallës, Berisha u përball me banderolën ku shkruhej slogani i Bashës që u përdor në Kuvendin Kombëtar të PD 'ne jemi e ardhmja'. Mbështetësit e Berishës i kërkuan mediave të dalin jashtë sallës, për të rregulluar më pas karriget në sallë duke i vendosur në krahun e kundërt të banderolës.

/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

2024 viti i ‘superlekut’, BSH bleu 313 mln euro për stabilizimin e monedhës europiane, planifikon më shumë vitin tjetër

2024 viti i ‘superlekut’, BSH bleu 313 mln euro për stabilizimin e monedhës europiane, planifikon më shumë vitin tjetër