TIRANË- Sali Berisha nga selia blu ka kërkuar sërish largimin e kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se është i përfshirë në aferë mes ish-zyrtarit të lartë të arrestuar të FBI-së Charles McGonigal, për të cilin thotë ish-kryeministri se i është ofruar kreut që qeverisë shqiptare që të shkatërrojë opozitën shqiptare. Me një gjuhë të ashpër Sali Berisha tha se kjo është beteja finale e demokratëve, ndërsa paralajmëroi mosbindje civile. Për Berishën, beteja finale është ajo e cila ndalet vetëm pas largimit të Edi Ramës nga pushteti dhe se nuk ekziston asgjë tjetër veç largimit të tij.

‘Demokratet dhe demokratë, janë momentet më solemne, më kritike, më të rëndësishme të  jetës tuaj politike. E ardhmja e PD-së, e demokracisë shqiptare do të përcaktohet nga suksesi i betejës kundër kësaj kalbësire të pashembullt, që angazhoi në shkelmim më të paimagjinueshëm, flagrant, parimi dhe interesi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, agjenturën, mafian ruse për shkatërrimin e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Çdo luftë ka betejën finale dhe kjo që do të nisim është beteja finale në të cilën ju siguroj se ne do të fitojmë.

Sot afera Rama-McGonigal, është kryeafera e planetit. Një dramë e tmerrshme në fushën  e sigurisë që zhvillohet sa në SHBA, po kaq edhe në Tiranë, që ka për autor, Charls McGonigal, njeriun kryesor të kundërzbulimit në SHBA, që kishte njohuri të tmerrshme, të jashtëzakonshme për sigurinë e vendit të madh. Dhe ky njeri i ofrohet Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare. Këtë njeri, Edi Rama pasi grabiti zgjedhjet e 2017, e kontrakton për ti dhënë opozitës goditjen e mëshirës. Me të gjitha mjetet e mos bindjes civile kjo kalbësirë do të shporret nga pushteti.’- u shpreh Berisha.

Ish zyrtari i lartë i FBI-së amerikani McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuzat tjetër lidhet me 2 shqiptarë.