Salianji letër nga qelia: Rilindja kërkon madhështinë e Edi Ramës, Opozita fuqizimin e qytetarit

Salianji letër nga qelia: Rilindja kërkon madhështinë e Edi Ramës, Opozita fuqizimin e qytetarit

Ervin Salianji

Kronika e përditshme e bën jo të lehtë të gjesh disa dallime e veçori në atë që mund të jetë thelbi i fushatave të dy forcave kryesore politike në vend. E qartë deri tani është se Rilindja,  socialistët e kërkojnë dhe një mandat të katërt thjesht për projektin personal të Ramës, për një ide që vjen nga shtrembërimi mental prej qëndrimit gjatë në pushtet, që ka të bëjë me madhështinë e tij.

Edi Rama kërkon vetëm të ushqejë egon, dhe aty futen gjithë frikërat që ka nga humbja e pushtetit dhe po ashtu gjithë shpresat për më shumë privilegje e përfitime.

Po të shihni dhe prioritetet e tij, kanë lidhje me koncensione, me ndërtesa të larta, me PPP me shpërndarjen e çdo cope të Shqipërisë. Ku padyshim ai menaxhon dhe interesat financiare.

E gjitha kjo ka nisur me një manifakturë të madhe për krijimin e mitit të tij, ku janë keqpërdorur shumë elisa, duke e quajtur herë markë ndërkombëtare, herë Skënderbe, Zeus,  herë Odise. Kur, në fakt, ai i vërteti është “babloku” i përgjimeve të Bild.

Dhe për ta rritur e ushqyer më tej këtë mit, ku medemek flitet për përmasa të jashtëzakonshme të liderit, mbinjeriu tanimë ka nevojë dhe për objekte, godina dhe fasada ku të reflektohet trilli i tij.

Kjo është e gjithë çfarë mbetet nga politika dhe ideologjia e kastës në pushtet pas 3 mandatesh. Njeriu, qytetari, fermeri, pensionisti, profesionisti, i riu, studenti, familjari, nuk ekziston.

Për ta mbajtur të karikuar këtë kult të rremë, ai po investohet vetë së fundmi. Tregimet e të tjerëve për të, fusin ujë. Nuk mjaftojnë më dhe nuk bindin rilindaset që thurin ditirambe.

Ndaj doli e foli 1 orë për veten e tij para ca ditësh. Një rrëfim që as nuk ja kërkoi njeri, as nuk i duhet njeriu. Një përpjekje për të treguar se meqenëse qenka hetero, jo siç e kanë fyer e damkosur, qenka dhe i ndershëm. Hajde mendje hajde.

Ai ka kuptuar se gjysmë-njeri e gjysmëperëndi është vetëm për ministrat e ministreshat e tij, dhe se populli krejt tjetër gjë mendon.

Ndaj duhet dhe një investim i fundit. Dhe një tjetër mandat për këtë e kerkon. Shihni si veproi me pensionistët. Në vend se t’u rriste atë që u takon të marrin, ua jep si bonus nga dora e tij. Që të duket si “Shpëtimtari”.

Ndërkohë që shpenzon 5 miliardë lekë nga taksat e qytetarëve për një kopsht personal në kryeministri, që të ngjajë gjigand kur jep intervista, i një tjetër bote.

Deformime të mëdha të një autokratuci që ka nevojë për më shumë pushtet, privilegje, madhështi dhe adhurim. Kur në të vërtetë do të duhej të ishte duke dhënë llogari para ligjit për gjithë aferat e lidhjet kriminale.

Kjo lodra personale e Ramës, ky kaleidoskop ku ai perthyen imazhet e tij, ky vend që kërkon ta shndërrojë thjesht në syprinë për dukjen e tij Narcizi që nuk lëshon karrigen, nuk është Shqipëria. Ka të tjera halle, shumë madje.

Dhe është shumë pozitive që Opozita ka krejt tjetër kurs. Eshtë përqendruar e gjitha tek njeriu. Tek jeta e tij e përditshme tek përpjekja që bën gati gjysma e popullsisë për të kapur fundin e muajit, për të shlyer faturat e për të plotësuar nevojat bazike.

Mjerimi është një nga arsyet pse autokratuci zdërhallet në realitetin e tij pervers. Dalja nga kjo gjendje, do të fuqizonte qytetarin, dhe para një qytetari të mëkëmbur s’ka vend për shtypës e për sundues.

Paketa e emergjencës e propozuar nga PD është një ndërthurje e disa masave që me të vërtetë do ta zhduknin skamjen.

Duken si ndërhyrje kurajoze, por padyshim se nëse kanë një faturë financiare, e gjitha ja vlen.

Kalimi i gjendjes ku mezi mbyllet muaji për një pjesë të popullsisë, është çlirimi nga një robëri e dhunshme. Vetëm pasi ta ketë siguruar këtë prag, dikush do të nisë të mendojë, të aspirojë, të kërkojë më shumë, të ngrejë zërin, të protestojë, të mos lejojë qeverisjen e keqe, dhe të kontribuojë pra për shoqërinë e vendin.

Kthimi i një segmenti kaq të madh të shoqërisë tonë, nga të shtypur e vulnerabël në pjesë vitale, është padyshim rigjenerimi më i madh i këtij trupi social të rrëgjuar në 3 mandate.

Përqendrimi i Opozitës tek qytetari, tek përmasat e tij, tek lëkura e tij duket dhe i besueshëm dhe i vërtetë. Edhe më parë, në historinë e saj PD ka treguar se aktet më të mëdha të ndërmarra janë bërë për qytetarin.

Ndaj e shoh si zhvillim pozitiv dhe e inkurajoj këtë kurs.

Ndoshta me afrimin e 11 Majit, edhe Edi Rama do të tentojë të lërë për një çast delirin e madhështisë së tij personale, nën këshillat e konsulentëve elektoralë, e të kthehet gjasme nga njerëzit. Por nuk do të ngjisë. Do të duket artificë.

Këto dy botë që janë sot përballë e bëjnë të lehtë zgjedhjen e 3.7 milionë shqiptarëve me të drejtë vote.

Një votë për rritjen e pushtetit personal të Edi Ramës, të nanuritjes së madhështisë së tij me kulla dhjetëra katëshe e miliona euroshe me sjelljen si lider global e me gjestet groteske alla-meloni. Apo një votë për hallin tend?!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mara emigrante ne Itali: 19/01/2025 13:40

    Per ke opozite e ka fjalen ky mashtrues , per opoziten qe shkateroi shqiperine ? E ka per tentakulat e pd qe kane krijuar partiçka te reja qe kerkojne nje vend per tu bere deputet ? Keto opozita jane fallo se gjith secili shikon interesin e tij personal .O babale je I mbaruar , kur te mbarosh burgun do te shikosh se ku do te prfundoshti dhe pd jote .Manipulator i shpifur .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Nis censusi i shpendëve në liqenet e Ohrit e Prespës, studiuesit: Numri i tyre është ulur, ndikon njeriu

Nis censusi i shpendëve në liqenet e Ohrit e Prespës, studiuesit: Numri i tyre është ulur, ndikon njeriu