Sali Berisha duhet të hapë krahun pasi po turpëron të kaluarën e vet politike. I këtij mendimi është deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili i ftuar në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, thotë se Partia Demokratike nuk është pronë e tij dhe se i gjithë angazhimi i tij me 'Foltorën', është për interesa të tij personale.
Për Salianjin, 11 dhjetori, do të jetë një miting si 'Foltoret' e tjera dhe se nuk do të jetë Kuvend, pasi Kuvendi i vetëm që do të mbahet do të jetë më 18 dhjetor, me qëllimin e vetëm sipas tij për të bashkuar demokratët. Madje deputeti i PD-së bëri përgjegjës njerëzit që i janë bashkuar Berishës, për humbjet në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo sipas Salianjit duhet lexuar edhe si një mesazh, nga qytetarët, pasi edhe me Sali Berishën ato i humbën zgjedhjet, duke treguar se shoqëria shqiptare nuk e do më pas 30 vitesh në politikë.
'Në momentin që ju prek interesi personal ka nisur një betejë, që për mua nuk është e duhura që i fut demokratët, sidomos gjuha sikur u flet armiqve. Askush nuk e përjashton se Sali Berisha ka mbështetës, kjo nuk tregon asgjë, pasi edhe nënkryetarët e mëparshëm të PD-së mbushnin sallat me partitë e tyre. Meraku i demokratëve nga vjedhja e zgjedhjeve apo më saktë nga fakti që nuk erdhi në pushtet, ka një lloj agravimi dhe analiza që duhet të ishte bërë... një pjesë e tyre janë tek 'Foltorja', pra përgjegjësit kryesor të humbjes së zgjedhjeve në PD-së. Është vetëm interesi personal që po i tërheq! Pesha e vendimmarrjes së Bashës në parti nuk ka qenë e madhe, kanë qenë të tjerë që kanë pasur më shumë peshë. Në 11 dhjetor ka miting si 'Foltorja', nuk ka një Kuvend. Ka vetëm një Kuvend, dhe është ai i datës 18 dhjetor, pasi vendosi kryesia. Është një përpjekje për të bashkuar PD.
Vjen në një moment kur duhet të tërhiqet, sepse po turpëron të kaluarën e vet. Nuk është pronar i PD-së Sali Berisha, po flet me një gjuhë tribale. Çfarë do ta gjente të ishte aty në heshtje, do të ishte i respektuar?! Kur u bë i keq Basha më 9 shtator?! Nëse do të fliste Berisha në grupin parlamentar mendoni se do të kishte mendim ndryshe. Të gjitha vendimmarrjet e Bashës dhe Berishës kanë qenë të njëjta. Nuk ka pasur asnjë qëndrim ndryshe. Kur sheh që të gjithë drejtuesit politik janë të gjithë me Foltoren, tregon qartë se më kë ishte dakordësia. Mbas 30 vitesh unë mendoj sot, se duhet të hapi krahun. Sali Berisha duhet të hapë krahun për të bërë analizën. Të gjithë njerëzit që nuk mbështesin Foltoren po linçohen. Të zhvillohet debati në PD, lirshëm. në fillim tha për statut, pastaj kryetar PD e pastaj kryeministër. PD si fitoi dot zgjedhjet dhe me Berishën aty, shoqëria shqiptare mbase duhet të kishte parë një PD pa Berishën, duhet të lexohet edhe në këtë mënyrë. PD do të vazhdojë të jetë një forcë e fuqishme politike pavarësisht emrave.'- tha Salianji.
Salianji rikujtoi se kushdo që shkel statutin e ka të qartë se kur përjashtohet nga PD.
'Është një qëndrim i qartë i Foltores, sulmet më shumë se ndaj kundërshtarit politik, dhe të gjithë që nuk po kujdesën për interesin e PD-së, ka shkuar përtej. Kushdo që shkel statutin është e qartë fare, kur dikush përjashtohet. Këtu nuk ka një ndarje Berisha Basha, këtu ka një ndarje je me PD-së ose jo. Ne e kemi betejën me Edi Ramën. PD pas datës 18 e shoh të bashkuar me vendimarrje të qartë dhe me një plan përballë Edi Ramës dhe në krah të SHBA-së. Do ketë diskutime dhe debate dhe nuk do ta çoj askush në nivel tensioni.'- tha Salianji.