Ndër 5 demokratët dhe më kryesori, që synoi të marrë pjesë në garën për kreun e Partisë Demokratike, dhe nuk u lejua nga Sali Berisha, është Ervin Salianji.
Më herët, kryedemokrati ka deklaruar shpesh se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga PD, pasi ka shkelur vijën e kuqe. Të paktën kështu e shprehu Berisha pakënaqësinë e tij për takimet e Salianjit me demokratët e bazës së partisë.
I ftuar në emisionin “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, Salianji tregoi ekskluzivisht se nesër do t’i drejtohet selisë blu me një kërkesë për informacion mbi shkaqet dhe procedurat e ndërmarra për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.
“Nesër do të depozitoj shkresë në parti dhe do të kërkoj kush është vendimi i përjashtimit, cilat janë arsyet dhe kur është marrë kjo vendimmarrje”,- tha Salianji.
Ish-deputeti pranoi hapur se aksioni i tij politik është një qartësisht një lëvizje brenda Partisë Demokratike.
“Takimi me njerëz është një prej formave të rëndësishme për të zhvilluar politikë, proces debatit publik dhe paraqitjes së alternativave. Edhe ngritja e zërit për një demokraci të brendshme, shkelja e rregullave statutore dhe mosmbajtje premtimesh të Sali Berishës gjatë mandatit 4-vjeçar në krye të PD”,- tha Salianji.
Ai thekson se është e turpshme për Partinë Demokratike që kryetari i saj nuk është i aftë të mbushë sallat e takimeve më shumë se një ish-deputet i saj. Sipas Salianjit, Berisha është i padëshirueshëm për 80% të partisë.
“A keni parë garë që një kandidati përjashton kandidatët e tjerë, më përjashton mua, cakton komisionin vetë, cakton listat vetë, del te selia vetë, i përdor burimet financiare vetë”,- tha Salianji.
Fajtor për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 quan vetëm Sali Berishën.
“Kush i bëri listat, kush e bëri programin”,- bën pyetjen retorike ish-deputeti.
Në zgjedhjet e PD për kryetar nuk do të marrin pjesë më shumë se 10 mijë anëtarë, thotë Ervin Salianji në “Repolitix” në Report Tv duke sfiduar në një bast. Madje, ai thotë se në letra do të shfaqet një rritje e fryrë e numrave me 300%. Më tej, Salianji krahasoi dy deklaratat kontradiktore të Berishës lidhur me numrin e kandidatëve dhe ndershmërinë e garës brenda PD.
“Nuk do të votojnë më shumë se 10 mijë anëtarë. Në deklaratën e Sali Berishës, nëse herën e kaluar kanë qenë 44 mijë anëtarë, do të jenë 54 mijë. Në realitet nuk ka për të kaluar më shumë se 10 mijë anëtarë. Po e vë bast me ju. Po qe se nuk e kanë rritur në letra me 300% numrin real, kemi një test tjetër. Kur u bë gara me 1 kandidat në 2019, doli para dhe tha që ‘kushdo që thotë që gara me 1 kandidat është e ndershme, e mbuloftë turpi i historisë!’ Tani thotë ‘gara me 1 kandidat është demokratike!’”, tha Salianji.
Ervin Salianji thotë se të paktën 3 deputetë të Partisë Demokratike janë në mbështetje të tij dhe janë të gatshëm ta thonë hapur nëse ish-deputeti ua kërkon.
I ftuar në emisionin “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, Salianji u shpreh i bindur se lëvizja e tij brenda PD-së do të fuqizohet edhe më shumë me kalimin e Kohës.
“Unë do bëj një betejë për të çliruar PD deri në fund, në PD dhe me demokratët. Për ta marrë për shembull, kur lamë mandatet isha ndër të paktët, por i vetmi që fola gjatë për dërrmimin që do t;i bëhet PD nga lënia e mandateve. Të gjithë aty kolegët, ngaqë e thënë kryetari i PD, thanë duhen lënë. Tani dalin të gjithë që thonë që kemi qenë kundër”,- tha Salianji.
Sali Berisha nuk ka mbështetje të vërtetë në Partinë Demokratike, thotë Ervin Salianji në “Repolitix” në Report Tv.
“Më thoni një njeri pa rrogë në PD që thotë fiton Berisha. Ka një lidhje privilegji diku dhe ai mbron privilegjin e vet. Po të sjell unë ata që më ndjekin mua, do të thonë fitoj unë”, thotë Salianji.
Sërish, ai theksoi se partia është uzurpuar dhe marrë peng, ndërsa Berisha nuk do të sjellë fitore. Disa skenarë të shkuar, Salianji as nuk ka ndërmend t’i rikthejë.
“Partitë politike dhe debati publik bëhet, e ka uzurpuar ky zotëria apo jo. Unë po e uzurpoj thotë ai për interes personal. Unë kam interes që PD të bëhet fituese. Bëhet fituese me Sali Berishën? As sot, as kurrë. Është pengmarrje, patjetër. Të shkoj unë të prodhoj një situatë që s’nderon asnjërin si në 8 janar? E bëj që nesër”, thotë Salianji.
Drejtimi i PD nga Berisha bën që ndërkombëtarët ta anashkalojnë plotësisht selinë blu. Për ta kompensuar, kryetari i PD shfrytëzon miqtë e tij duke sajuar takime, sipas Salianjit.
“Do të vazhdojmë paralelisht derisa të zgjidhet me votë. Do të vazhdoj takimet. PD, sot për shkak se ka kryetar këtë zotërinë, nuk hyn ndonjë ambasador. Takojnë gjithë të tjerët, edhe unë kam kontakte me faktorët ndërkombëtarë. Sot nuk hyn asnjë. Takon ndonjë njeri që ka shok në Gjermani, e hedh ky sikur ka takime”, tha Salianji.
Komente











Pra serish luge-corbexhinjte e Lulit nisen ofensive te re anti-berishe. Cfare estrade! Salinji, Makarena, Doci, e padyshim mashtruesi Beqiri. Me ca leturash merret ambasada usa.
Përgjigju