Pavarësisht se ishte skualifikuar nga lista e komisionit për deputetë, Ervin Salianji vijon të zhvillojë takime me simpatizantë të PD-së.

Këtë të martë në kuadër dhe të ditës së rinisë, 8-dhjetori, Salianji ishte në Korçë ku ka zhvilluar një takim me disa simpatizantë pranë stadiumit të skuadrës së Skënderbeut.

Mbështetësit e PD-së kishin ardhur të gjithë me makina duke respektuar dhe masat e distancimit social.

Salianji shprehet se PD po u jep qytetarëve një alternativë për ata të cilët presin reagim dhe sakrificë.

“Është i jashtëzakonshëm ky komunikim në një formë ndryshe, duke respektuar të gjithë rregullat e pandemisë por duke kërkuar dhe duke vendosur në plan lëvizjen, qëndresën dhe guximin e çdo të riu. Jo vetëm për të përkujtuar këtë datë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për të përcjellë një mesazh që të rinjtë e sotëm, që qytetarët e sotëm anëembanë vendit presin reagim, presin sakrificë dhe ne po jua japim atë në mënyrë të përditshme. Largimi i qytetarëve dhe shfryrja e dufit duke u larguar nga ky vend janë armët e vetme që ka kjo qeveri sot. Armët që ne kemi sot së bashku me, janë armë të guximit dhe armë të qëndresës për të larguar një orë e më parë një qeveri e cila po i pi gjaku qytetarëve shqiptarë vetëm për të majmur dhe shëndoshur një grusht njerëzish” – tha Salianji.