Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është shprehur se PD mbledh sot para Kryeministrisë 3 herë më pak njerëz se shoqata e gjuetisë së Korçës.
Komentet Salianji i bëri gjatë një takimi me demokratët në Korçë, ku hodhi akuza ndaj kryedemokratit Sali Berisha dhe sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, për të cilët tha se e kanë çuar partinë nga humbja në humbje.
Salianji kujtoi një protestë të anëtarëve të shoqatës së gjuetisë së Korçës para Kryeministrisë në vitin 2021, për të kundërshtuar moratoriumin e qeverisë dhe tha se ai tubim mblodhi rreth 200 persona, që sipas tij janë 3 herë më shumë sesa mbledhin sot ‘foltoret’ e PD-së.
Ish-deputeti shtoi se PD nuk duhet të mbledhë kaq pak persona në protesta, pasi përballë skandaleve që sipas tij kanë kapur qeverinë, populli opozitar duhet të ishte i gjithi në shesh.
“Po si mos të reagojmë ne kur më kujtohet, sepse kam qenë me disa prej jush miq, në vitin 2021 kur kërkoi takim shoqata rajonale e gjuetisë Korçë. Kishin shqetësim për moratoriumin e vendosur nga qeveria për ndalimin e gjuetisë.
Dhe thanë ‘do reagojmë, nuk duam ndihmë nga ju si parti, duam ta tregojmë vetë forcën. Por nëse ju fitoni, na ndihmoni në Parlament për ta hequr moratoriumin e gjuetisë. Dhe do ta shihni sa njerëz do mbledhim’. Dhe vendosën që as si shoqatë rajonale e gjuetisë të mos e bënin, por vetëm dega Korçë. Dhe shoqata e degës së Korçës së gjuetisë mblodhi 200 veta për të protestuar.
Ndërkohë PD nuk e kupton pse ka problem që mbledh 3 herë më pak së Shoqata e gjuetisë para Kryeministrisë, ndërkohë që gjithë populli opozitar, gjithë qytetarët shqiptarë, janë të pakënaqur nga qeveria e Ramës. Ne miq nuk mund të mbledhim më pak njerëz se Shoqata e Gjuetisë së Korçës”, tha mes të tjerash Salianji.
Lajmi kryesor:
Salianji mbush sallën në Korçë: Kush na i ka fajet që sheshet i kemi bosh? PD paradite mbron drejtësinë, pasdite e shan me 'libër shtëpie'










