Ministri i Bujqësisë, Andis Salla bëri të ditur se me aktin normativ të fundvitit, qeveria garantoi dëmshpërblimin për 638.065 krerë shpendë për fermerët e prekur nga Influenca Aviare, si dhe disbursimin 100% për mbi 65 mijë fermerë, nga të cilët 49.808 përfitojnë mbështetje për naftën.

Sipas Sallës mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare 2025, arriti në 6,4 miliardë lekë, ku 5,1 miliardë lekë janë ndarë për mbështetje direkte.

“I gjithë buxheti i parashikuar me Akt Normativ është disbursuar në Thesar brenda datës 31 dhjetor”, shkroi Salla.

Kjo mbështetje e shtuar synon uljen e kostove të prodhimit dhe garantimin e vijimësisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale Made in Albania. Skema Kombëtare mbetet një nga instrumentet kryesore të qeverisë për forcimin e prodhimit vendas dhe për mbështetjen konkrete të ekonomisë rurale.

Akti normativ garanton pagesën e plotë për çdo fermer të kualifikuar brenda vitit buxhetor, duke siguruar korrektësi dhe transparencë në zbatimin e skemës.