Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, inspektuan punimet në Hidrovorin e Hamallajt, ku po përmbyllet një investim për rehabilitimin e plotë të këtij objekti, me synim rritjen e kapaciteteve të sistemit të kullimit dhe mbrojtjen e zonave bujqësore, të banuara dhe turistike nga përmbytjet.

Investimi ka përfshirë rikonstruksionin e infrastrukturës së stacionit të pompimit, instalimin e pompave të reja me kapacitet më të lartë, sistemeve automatike të komandimit dhe pajisjeve moderne teknike, duke rritur ndjeshëm eficiencën dhe sigurinë e funksionimit të hidrovorit.

Gjatë inspektimit, Ministri Salla theksoi se ky është një investim strategjik për një nga zonat me zhvillimin më të shpejtë bujqësor dhe turistik në vend.

“Bashkë me Kryetaren e Bashkisë dhe drejtorin e Bordit të Kullimit jemi në Hidrovorin e Hamallajt, ku kemi realizuar një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturën e stacionit të pompimit dhe kemi investuar në pajisjet e nevojshme për funksionimin e tij. Ky është një investim i domosdoshëm për të parandaluar problematikat gjatë sezonit të dimrit, pasi rreth 2 mijë hektarë tokë bujqësore varen nga funksionimi i këtij hidrovori”, u shpreh ministri.

Salla bëri të ditur se investimi ka rritur kapacitetin e pompimit përmes pajisjeve të reja dhe sistemeve elektronike automatike, duke garantuar një reagim më të shpejtë dhe më efikas në rast të reshjeve intensive.

“Ky investim nuk i shërben vetëm bujqësisë, por edhe turizmit, i cili po zhvillohet me ritme të shpejta në këtë zonë. Është shumë e rëndësishme që, krahas përgatitjes për sezonin veror, të kemi infrastrukturën e nevojshme për të parandaluar problematikat gjatë sezonit të dimrit. Ky ishte një investim i kërkuar nga Bashkia Durrës dhe i financuar nga Qeveria Shqiptare përmes Ministrisë së Bujqësisë”, deklaroi ai.

Ministri theksoi se qeveria po vijon të investojë në modernizimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit në të gjithë vendin, si një element kyç për mbështetjen e fermerëve, mbrojtjen e prodhimit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Ne jemi këtu për të parandaluar dhe për të investuar. Në pamje të parë mund të duket si një godinë, por në të vërtetë ky hidrovor kryen një funksion jetik për kullimin e mijëra hektarëve tokë bujqësore dhe për mbështetjen e zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Do të vijojmë të financojmë investime të tilla në të gjithë Shqipërinë”, përfundoi Ministri Salla.

Falë këtij investimi, është rritur ndjeshëm kapaciteti dhe siguria e sistemit të kullimit, duke garantuar mbrojtjen e mbi 1,300 hektarëve tokë bujqësore, si dhe të zonave të banuara e turistike të Bashkisë Durrës, ndërsa përfitimet e tij shtrihen në një sipërfaqe edhe më të gjerë bujqësore që varet nga funksionimi i këtij sistemi.