BRUKSEL- Veçanërisht të rëndësishëm për kthimin e Bashkimit Evropian në rrugën e zhvillimit, e cilësoi kryeministri Antonis Samaras samitin e fundit të BE, që për herë të parë në histori i finalizoi punimet brenda një dite.
Kryeministri u pajtua me përshpejtimin e procedurave për shfrytëzimin e paketës Juncker me vlerë 315 miliardë euro, ndërsa në deklaratat që bëri menjëherë më pas, nënvizoi se Greqia është një nga tre vendet e para që kanë paraqitur faktikisht projekte për thithjen e fondeve.
Samaras vuri në dukje simbolikën politike të paketës, që shënon kthimin e BE drejt zhvbillimit, pas një periudhe recesioni dhe ritmeve të ulëta në krijimin e vendeve të reja të punës.
Ai nënvizoi se është e rëndësishme se paratë nuk do të vijnë nga fondet strukturore apo fondet e kohezionit.
Çështja e Greqisë nuk u diskutu edhe pse dominoi në korridoret e samitit.
Siç tha kryeministri, "të gjithë interesohen për Greqinë".
Tregues i këtij interesimi ishin deklaratat që bënë pas samitit, kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez, Hollande.
"Uroj të përfundojë me sukses procesi i zgjedhjes së presidentit, uroj një rrugë konstante në të ardhmen për Greqinë", deklaroi Angela Merkel.
Nga ana e vet, Francois Hollande, pasi deklaroi se sot askush nuk diskuton daljen e Greqisë nga euro, theksoi se, sa ai, aq edhe Merkel, konsiderojnë se "FMN dhe BQE nuk duhet t'i vënë pengesa Greqisë në mënyrë që grekët të vazhdojnë të kenë shpresa për një të ardhme më të mirë"./ATSH/