Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni mbajti fjalën e saj në Samitin e Abu Dabit për Javën e Qëndrueshme.
Meloni u ndal te partneriteti i ngushtë i Italisë me Ballkanin Perëndimor, duke përmendur projekte të rëndësishme në infrastrukturën energjetike, si ndërlidhja energjetike që lidh Italinë me Malin e Zi dhe rajonin e Ballkanit. Kryeministrja shprehu gëzim për nënshkrimin e një kuadri partneriteti strategjik mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve, i cili synon zhvillimin e një ndërlidhjeje të re energjetike për prodhimin e energjisë së gjelbër në Shqipëri dhe eksportimin e saj në Itali përmes një kablli nënujor në detin Adriatik.
‘Italia është e lidhur në mënyrë tradicionale me Ballkanin Perëndimor, siç tregon dhe miqësia ime me kryeministrin Edi Rama dhe përgjatë kohës ka sjellë po kështu si rezultat edhe projekte në infrastrukturën energjetike. I referohem për shembull ndërlidhjes energjetike për 430 km përgjatë Adriatikut që lidh Italinë me Malin e Zi dhe me rajonin e Ballkanit është një infrastrukturë strategjike që synojmë ta forcojmë dhe ta bëjmë më efikase e konkurruese dhe synojmë që të ecim në këtë drejtim, kështu që jam jashtë mase e gëzuar, ashtu siç e shpalli dhe Edi më parë që të nënshkruaj kuadrin e partneritetit strategjik për të nisur një projekt po aq ambicioz midis dy brigjeve te Adriatikut, ku Lartmadhëria e tij Sheikh Mohammed bin Zayed dhe Kryeministri Edi Rama, dy miq të mirë të mitë, dy miq të mirë të Italisë do të marrin pjesë në nënshkrimin e një angazhimi jashtë mase të rëndësishëm, për të zbatuar një ndërlidhje të re energjetike për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për eksportimin e një pjese të kësaj energjie në Itali përgjatë një kabëlli nënujor përgjatë detit Adriatik.’
Ajo theksoi se ky projekt përfshin tre qeveritë, sektorin privat dhe operatorët e rrjetit energjetik, dhe është një hap konkret drejt një ndërlidhjeje globale, që do të mundësojë furnizimin me energji në mënyrë bidireksionale, nga Azia në Europë dhe Afrikën e Veriut.
‘Në fakt, besojmë fort te ky projekt që përfshin tre qeveritë tona, si dhe sekorin tonë privat, operatorët e rrjetit energjetik dhe jam personalisht krenare për këtë nismë sepse tregon në mënyrë të prekshme forma të reja bashkëpunimi, të cilat mund të ndërtohen edhe midis partnerëve në dukje të largët, duke folur gjeografikisht, partnerë, të cilët sidoqoftë e shohin fushën e shahut në tërësi dhe jo thjesht një pjesë të sajën që ju takon, apo me të cilën janë më afër të lidhur.
Kjo nismë është një hap konkret drejt një ndërlidhjeje mirëfilli globale, nga Azia në gji, nga Afrika e Veriut në Europë, e aftë për të furnizuar me energji në mënyrë të dykahshme, apo bidireksionale.’
Në fund, Meloni bëri thirrje për të shfrytëzuar transformimet globale si mundësi, duke theksuar se vetëm me kurajë dhe vizion mund të përballojmë sfidat e ardhshme dhe të avancojmë ekonomitë, me njohuritë dhe imagjinatën si karburant për zhvillimin.
‘Zonja dhe zotërinj, e dimë që jetojmë në një epokë posaçërisht komplekse, shënjuar nga transformime vërtet të forta.
Tashmë kemi një zgjedhje për të bërë, ose mund të vuajmë nga këto transformime, duke qëndruar pa bërë asgjë, apo mund t’i interpretojmë ato si mundësi.
Besoj fort që duhet të zgjedhim të dytën dhe duhet ta ndjekim me kurajë dhe vizion, pa asnjë frikë, ndërkohë që ekonomitë vazhdojnë të ecin, por i vetmi karburant për t’i çuar përpara janë njohuritë tona, ndërkohë që frenat për të mos ta bërë këtë është vetëm mungesa jonë e imagjinatës.
Faleminderit!’
Lajmi kryesor: