Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, i është drejtuar me letër anëtarëve të këtij këshilli, lidhur me takimet që do të zhvillohen me 18 dhe 19 dhjetor, për të diskutuar çështjen e Ukrainës dhe sigurinë në kontinentin evropian, si dhe, kornizën Shumëvjeçare Financiare të Bashkimit Evropian për vitet 2028-2034.

Costa ka thënë edhe se, ai po pret me padurim që të takohet me ta qysh me 17 dhjetor, kur është edhe Samiti i Bashkimit Evropian – Ballkani Perëndimor, i cili do të nis nga ora 18:00.

‘’Dëshiroj t’ju ftoj në takimin tonë të dhjetorit të Këshillit Evropian. Do të zhvillojmë diskutime thelbësore, me fokus prioritar në dy çështje: Ukrainën dhe sigurinë në kontinentin tonë; si dhe Kornizën Shumëvjeçare Financiare të Bashkimit Evropian për vitet 2028-2034.Pres me padurim t’ju shoh që një ditë më herët, të mërkurën më 17 dhjetor, në Samitin BE - Ballkani Perëndimor, që fillon në orën 18:00’’, thuhet mes tjerash në letrën e Costas.

Si çdo vit, më 17 dhjetor, udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen me liderët e Ballkanit Perëndimor, takim ky që do të zhvillohet për 4-tin vit radhazi në Bruksel. Samiti organizohet në prag të mbledhjes së fundit të Këshilit Evropian për këtë vit.

Në tryezën e përbashkët, Shqipëria dhe Mali i Zi do të ulen si pararojë e negociatave për anëtarsim krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor si dhe me afate të paracaktuara të anëtarësimit, respektivisht në 2028 dhe 2029. 

Kryesisht samiti i 17 dhjetorit pritet të fokusohet në gjetjet më të fundit të Paketës së Zgjerimit 2025, me Malin e Zi dhe Shqipërinë në krye referuar arritjeve drejt anëtarësimit. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh do të zërë po ashtu vend qendror, i konsideruar gjerësisht në Bruksel si një nga mjetet më efektive për afrimin e rajonit me BE-në, si ekonomikisht ashtu edhe në aspektin e reformave.