Bashkimi Europian duhet të tregojë se është i aftë dhe i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj. Ky ishte mesazhi që dominoi Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivar të Malit të Zi, ku liderët europianë kërkuan përshpejtimin e procesit të zgjerimit në një moment kur lufta në Ukrainë dhe rivaliteti gjeopolitik me Rusinë e Kinën kanë rikthyer zgjerimin në qendër të axhendës së Brukselit.

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Bashkimi Europian duhet të dëshmojë se është i gatshëm për zgjerim, duke pranuar se vonesat e viteve të fundit nuk janë përgjegjësi vetëm e vendeve kandidate.

“Bashkimi Europian duhet të tregojë se është i aftë të zgjerohet dhe se dëshiron të zgjerohet. Ka shumë çështje që duhet t’i zgjidhim së bashku, por mbi të gjitha duhet të jetë e qartë se kjo pjesë e Europës i përket të ardhmes së Bashkimit Europian”, tha Merz.

Ai shtoi se fakti që asnjë vend i ri nuk është anëtarësuar në BE gjatë 13 viteve të fundit tregon se ka pasur mangësi edhe nga vetë Unioni.

Në të njëjtën linjë ishte edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila kërkoi që procesi i zgjerimit të bëhet më i shpejtë dhe më i besueshëm.

“Kur reformat realizohen, atëherë progresi në procesin e anëtarësimit duhet të pasojë. Kjo është ajo që duam të bëjmë, të shpërblejmë reformat me integrim real, me akses në programet tona, në financime dhe në tregje”, deklaroi Von der Leyen.

Zgjerimi është rikthyer në krye të prioriteteve të Bashkimit Europian pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, tashmë në radhën e kandidatëve për anëtarësim janë edhe Ukraina dhe Moldavia. Në Bruksel po forcohet bindja se zgjerimi është një mjet strategjik për të kufizuar ndikimin e fuqive të tjera në rajon dhe për të forcuar sigurinë europiane.

Megjithatë, procesi mbetet i gjatë dhe kompleks. Çdo vend kandidat duhet të kalojë vite negociatash dhe reformash, ndërsa çdo hap kërkon miratimin e të 27 shteteve anëtare. Edhe Mali i Zi, që konsiderohet kandidati më i avancuar në rajon, ende përballet me pengesa pavarësisht objektivit për t’u anëtarësuar deri në vitin 2028.

Pikërisht për këtë arsye, Franca dhe Gjermania po shtyjnë përpara idenë e një “integrimi gradual”. Presidenti francez Emmanuel Macron bëri të ditur se Parisi dhe Berlini kanë propozuar një model të ri që do t’u lejonte vendeve kandidate të përfshihen më herët në disa mekanizma europianë.

Sipas Macron, shtetet që harmonizojnë politikat e tyre me ato të Bashkimit Europian mund të marrin pjesë në formate të caktuara të Unionit, përfshirë edhe takime të nivelit të lartë, pa pritur anëtarësimin e plotë.

Ideja e integrimit të pjesshëm po fiton terren edhe në Ballkan. Edhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama kanë kërkuar së fundmi integrim më të shpejtë në tregun e përbashkët europian dhe në zonën Shengen, edhe para anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në Bruksel po diskutohen edhe ndryshime të tjera në procesin e zgjerimit. Një prej ideve është që vendet e reja anëtare të mos kenë të drejtë vetoje për disa vite pas anëtarësimit, për të shmangur bllokime të ngjashme me ato që Bashkimi Europian ka hasur në të kaluarën.

Një tjetër propozim i hedhur nga Merz është krijimi i statusit të “anëtarit të asociuar” për Ukrainën, i cili do t’i lejonte Kievit të marrë pjesë në samite dhe mbledhje ministrore të BE-së pa të drejtë vote, deri në anëtarësimin e plotë.

Mes sinjaleve pozitive për rajonin, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, njoftoi se Komisioni Europian ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë.

“Javën e kaluar mbajtëm Konferencën Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila hapi fazën e radhës në procesin e anëtarësimit. Komisioni ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë”, tha Costa.

Aktualisht, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen dy kandidatët më të avancuar në Ballkanin Perëndimor. Von der Leyen deklaroi nga Tivari se anëtarësimi i Malit të Zi deri në vitin 2028 është një objektiv i arritshëm, ndërsa shprehu pritshmërinë që Shqipëria ta ndjekë shpejt në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:17
'Ballkani Perëndimor i përket BE-së!' Ursula von der Leyen kërkon ritëm më të shpejtë në zgjerimin e BE-së: Shqipëria të ndjekë shpejt Malin e Zi

Shqipëria duhet të ecë shpejt pas Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Europian, ndërsa reformat e realizuara duhet të shpërblehen me hapa konkretë në procesin e anëtarësimit. Ky ishte mesazhi i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në konferencën për shtyp pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivar.

“Europa dhe Ballkani Perëndimor po afrohen. Sot diskutuam se si ta bëjmë këtë lidhje më të fortë, më të dukshme dhe më konkrete. Konfirmojmë se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Europian. Kjo nuk është vetëm një premtim, por një zgjedhje strategjike që po bëjmë përmes investimeve, bashkëpunimit dhe besimit për të ecur përpara së bashku. Diskutuam për Planin e Rritjes dhe zgjerimin. Zgjerimi ka rëndësi gjeostrategjike dhe është një investim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë tonë. Ai do të mbetet i bazuar te meritat, por duhet të bëhet më dinamik, sepse i bazuar te meritat nuk do të thotë i ngadaltë, por i drejtë dhe i parashikueshëm. Kur reformat realizohen, atëherë progresi në procesin e anëtarësimit duhet të pasojë. Kjo është ajo që duam të bëjmë, të shpërblejmë reformat me integrim real, me akses në programet tona, në financime dhe në tregje. Nëse do ta përmblidhja këtë samit me dy fjalë, ato do të ishin vendosmëri për ta bërë të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor konkrete sa më shpejt të jetë e mundur dhe besim se Bashkimi ynë do të zgjerohet. Anëtarësimi i Malit të Zi si anëtari i 28-të deri në vitin 2028 është i arritshëm. Shpresojmë që Shqipëria të ndjekë shpejt dhe që i gjithë rajoni të afrohet më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi gati për një komunitet me fat të përbashkët”, deklaroi Von der Leyen.

Ora 15:18
'Reformat dhe angazhimi japin rezultat', Costa nga Tivati: Shqipëria ka hyrë në fazën tjetër të anëtarësimit në BE

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, deklaroi në konferencën për shtyp pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se Bashkimi Europian mbetet i angazhuar ndaj procesit të zgjerimit dhe se vendet kandidate duhet të përfitojnë nga momenti aktual për të avancuar më shpejt drejt anëtarësimit. Ai bëri një përmbledhje të arritjeve të vendeve kandidate, përfshirë Shqipërinë, duke i inkurajuar ato që të ndërmarrin të gjitha hapat për të përshpejtuar progresin në rrugën drejt BE-së

“Për herë të parë që nga viti 2013, po numërojmë mbrapsht. Javën e kaluar mbajtëm Konferencën Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila hapi fazën e radhës në procesin e anëtarësimit. Komisioni ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë. Këtë javë po hapim grupkapitullin e parë të zgjerimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Kjo është dëshmi se reformat dhe angazhimi me të gjithë aktorët japin rezultat. Bashkimi Europian mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit. I inkurajoj të gjithë partnerët të shfrytëzojnë këtë moment dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të përshpejtuar progresin në rrugën drejt BE-së. Përafrimi i plotë me politikat e Bashkimit Europian mbetet një shprehje thelbësore e unitetit tonë.  Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian mbetet prioriteti ynë dhe një investim gjeopolitik. Ky proces bazohet në meritë dhe në reforma të besueshme. Diskutimet tona sot treguan ambicien e përbashkët për ta çuar përpara zgjerimin sa më shpejt të jetë e mundur. Për këtë arsye po shqyrtojmë ide të reja për ta thjeshtuar dhe përshpejtuar procesin, me qëllim rritjen e besimit te Bashkimi Europian dhe forcimin e motivimit të partnerëve të Ballkanit Perëndimor ”, tha Costa.

Ora 15:02
Fotoja familjare e samitit në Tivar, liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor bashkë para nisjes së punimeve

Liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor realizuan foton familjare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivar të Malit të Zi.

Në fotografinë zyrtare u bashkuan drejtuesit e institucioneve europiane, presidentë, kryeministra dhe përfaqësues të vendeve të rajonit, pak para nisjes së sesioneve të punës kushtuar zgjerimit të BE-së, sigurisë dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në samit marrin pjesë liderë të rëndësishëm europianë, mes tyre presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, si dhe drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ora 14:50
Nga Tivati, Kancelari gjerman pranon mangësitë e Brukselit, Merz: BE ka bërë edhe gabimet e veta, nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri prej 13 vitesh

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se Bashkimi Europian duhet të tregojë se është i gatshëm për zgjerim, duke pranuar se vonesat e viteve të fundit nuk janë përgjegjësi vetëm e vendeve kandidate.

“Kjo pjesë e Europës është pjesë e Bashkimit Europian në të ardhmen dhe nëse nuk kemi pranuar asnjë vend të ri për 13 vjet, mund të themi se BE-ja ka bërë edhe gabimet e veta”, u shpreh Merz para gazetarëve.

Ai tha se zgjerimi europian është vonuar prej vitesh dhe se këtë çështje e ka diskutuar edhe me presidentin francez Emmanuel Macron. Sipas tij, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një propozim konkret për hapat e ardhshëm që duhet të ndjekin vendet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit.

“Kemi ende një rrugë të gjatë përpara, por këto detyra janë të arritshme dhe duam të shohim përparim të shpejtë në këtë proces, veçanërisht me Malin e Zi”, tha Merz.

Ora 13:40
Kryeministri spanjoll nga Samiti i Tivatit: Nuk mund të ketë një BE të plotë pa Ballkanin Perëndimor, anëtarësimi duhet të ecë paralel me reformat

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, deklaroi në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se procesi i anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian duhet të shoqërohet me reformat e nevojshme që këto shtete duhet të zbatojnë.

Sipas tij, avancimi i reformave kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë kontinentit europian.

“Projektet e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian duhet të shoqërohen nga reformat që duhet të bëjnë ato vende, duke kontribuar kështu në stabilitetin dhe begatinë e të gjithë kontinentit europian. Spanja ka konsideruar gjithmonë se nuk mund të ketë një Bashkim Europian të plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Sanchez.

Ora 13:39
'Kosova meriton statusin e vendit kandidat', Haxhiu nga Samiti i Tivatit: E ardhmja jonë është në BE

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian dhe se Prishtina pret hapa konkretë në procesin e integrimit.

“Kosova e ka të ardhmen në Bashkimin Europian. Një BE më e madhe dhe më e bashkuar është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që duan të krijojnë paqëndrueshmëri në Europë. Kosova kërkon trajtim të drejtë dhe të barabartë gjatë gjithë këtij procesi. Ne kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punojmë për të ardhmen tonë europiane. Nga ky samit presim diskutime frytdhënëse dhe rezultate pozitive. Kosova meriton pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat. Besoj se integrimi në BE nuk është vetëm një proces teknik, por ka të bëjë me paqen dhe demokracinë”, u shpreh Haxhiu.

Ora 13:14
Momente nga salla para samitit të Tivatit: Vuçiç bisedon me Macron, Presidenti i Qipros përqafon Ramën

Para nisjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, liderët e pranishëm shkëmbyen biseda të shkurtra në sallën e mbledhjes.

Në një moment, teksa presidenti serb Aleksandar Vuçiç po fliste me presidentin francez Emmanuel Macron, presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, iu afrua kryeministrit Edi Rama dhe e përshëndeti me një përqafim.

Pamjet janë regjistruar pak çaste para fillimit të punimeve të samitit, ku në fokus janë zgjerimi i Bashkimit Europian dhe marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

1780658939_vucic.JPG

1780658642_rama.JPG

Ora 13:08
Vuçiç nga Samiti i Tivatit: Nuk përzihem në politikën e Podgoricës

1780658020_tivatsummitvucicspajiceuwesternbalkans2026.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, tha se ka pasur bisedime produktive me Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, duke shtuar se pret përparim të Serbisë në rrugën europiane në periudhën e ardhshme.

Vuçiç u shpreh se Serbia mbetet e orientuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se ky është objektivi strategjik i vendit.

Duke folur për Malin e Zi, ai theksoi se “njerëzit në Mal të Zi janë motrat dhe vëllezërit tanë”, ndërsa nënvizoi se nuk ndërhyn në zhvillimet e brendshme politike në Podgoricë.

“Nuk përzihem në politikën e Malit të Zi, sepse nuk është puna ime”, tha Vuçiç.

Ora 13:02
'BE nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor', Von der Leyen nga Samiti i Tivatit: Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë të mirë në rrugën drejt anëtarësimit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përcolli një mesazh të fortë nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, duke theksuar se e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Europian.

“Tivati dhe Ballkani Perëndimor ndodhen në zemër të historisë së Bashkimit Europian dhe vendi juaj është në zemër të Europës. Sot po hedhim hapa të mëdhenj për të ndërtuar një Bashkim Europian më të pavarur, më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të plotë. Por Europa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Pikërisht për këtë arsye ky samit është kaq i rëndësishëm. Ne do të diskutojmë se si ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë, më të dukshëm dhe më strategjik. Dua t’i them Ballkanit Perëndimor dhe mikpritësve tanë se ekziston një momentum. Le ta shndërrojmë këtë momentum në lëvizje dhe më pas këtë lëvizje në anëtarësim”deklaroi Von der Leyen gjatë fjalës së saj në samit.

 

Më herët në hyrje të Samitit ajo deklaroi se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë shumë të mirë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Edhe Mali i Zi dhe Shqipëria po bëjnë punë shumë të mirë dhe janë afër qëllimit”, tha Von der Leyen