Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, deklaroi në konferencën për shtyp pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se Bashkimi Europian mbetet i angazhuar ndaj procesit të zgjerimit dhe se vendet kandidate duhet të përfitojnë nga momenti aktual për të avancuar më shpejt drejt anëtarësimit. Ai bëri një përmbledhje të arritjeve të vendeve kandidate, përfshirë Shqipërinë, duke i inkurajuar ato që të ndërmarrin të gjitha hapat për të përshpejtuar progresin në rrugën drejt BE-së
“Për herë të parë që nga viti 2013, po numërojmë mbrapsht. Javën e kaluar mbajtëm Konferencën Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila hapi fazën e radhës në procesin e anëtarësimit. Komisioni ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë. Këtë javë po hapim grupkapitullin e parë të zgjerimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Kjo është dëshmi se reformat dhe angazhimi me të gjithë aktorët japin rezultat. Bashkimi Europian mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit. I inkurajoj të gjithë partnerët të shfrytëzojnë këtë moment dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të përshpejtuar progresin në rrugën drejt BE-së. Përafrimi i plotë me politikat e Bashkimit Europian mbetet një shprehje thelbësore e unitetit tonë. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian mbetet prioriteti ynë dhe një investim gjeopolitik. Ky proces bazohet në meritë dhe në reforma të besueshme. Diskutimet tona sot treguan ambicien e përbashkët për ta çuar përpara zgjerimin sa më shpejt të jetë e mundur. Për këtë arsye po shqyrtojmë ide të reja për ta thjeshtuar dhe përshpejtuar procesin, me qëllim rritjen e besimit te Bashkimi Europian dhe forcimin e motivimit të partnerëve të Ballkanit Perëndimor ”, tha Costa.
Lajmi kryesor:
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Von der Leyen: Reformat të shpërblehen me anëtarësim! Costa: Shqipëria në fazën tjetër të negociatave





