Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në samitin e BERZH, i cili u mbajt gjatë ditës së sotme në Londër me një mesazh sensibilizues për Ukrainën.

"Së pari më lejoni të shpreh solidaritetin e plot me popullin e Ukrainës.", tha kryeministri.

Gjatë fjalës së tij ai e vuri theksin në disa prej prioriteteve ekonomike të Shqipërisë gjatë viteve të ardhshme, duke u ndalur më tepër tek investimi për prodhimin e energjisë. Ai tha se Shqipëria synon të jetë tërësisht e pavarur për sa i përket prodhimit të energjisë hidrike. Një tjetër pikë e rëndësishme sipas kryeministrit është turizmi, për të cilin edhe po investohet masivisht në infrastrukturë. Rama përmendi si një arritje faktin që kanë arritur të digjitalizojnë 95% të shërbimeve për qytetarët, ndërsa shtoi se kanë nisur të aplikojnë këtë metodë edhe në edukim.

“Energjia është shndërruar në një pikë qendrore për të gjithë dhe ne po punojmë për të qysh prej ditës së parë që kam ardhur në qeveri. Tani po ecim drejt realizimit të objektivit për të pasur një vend të pavarur, nga pikëpamja energjetike, duke përmbushur investime, të cilat janë tashmë në proces. Ne kemi problemin e të qenit tërësisht të varur nga energjia hidrike, që na bën një vend me energji 100% të ripërtëritshme, por në të njëjtën kohë, kjo bashkëshoqërohet me dobësinë e varësisë thjesht nga një burim. Ajo çfarë po bëjmë tani është të diversifikojmë. Ndaj kemi investime në energjinë diellore, po përgatisim investime për energjinë e erës, por përpjekja më e madhe sërish drejtohet për nga energjia hidrike, për të plotësuar të gjithë sistemin në mënyrë të tillë që do të na bëjë ne të pavarur në aspektin energjetik.

I dyti është turizmi, por natyrisht i lidhur fort me infrastrukturën dhe këtu po flas për Korridorin Blu, pjesë e rrjetit europian, pjesë e Procesit të Berlinit e po kështu, pjesë e asaj çka ne kemi gatuar, po themi, së bashku me komisionerin Varhelyi dhe tashmë do të nxisim realizimin e tij, sa i takon autostradës e po kështu, në të njëjtën kohë, jemi shumë të lumtur që në të njëjtin korridor do kemi dhe hekurudhën, duke qenë se është miratuar tashmë.

Kemi nisur, po kështu, investimet në porte, në portet e reja turistike dhe po ashtu në portin e ri tregtar në Durrës, që do të transformojë të gjithë tablonë e vendit si vend turistik, me 4 porte të reja turistike. Ndërkohë që, porti tregtar do nxirret jashtë nga qyteti i Durrësit, do të ndërtohet jashtë.

Përparësia e katërt është digjitalizimi i plotë dhe investimi më shumë për të afruar sa më shumë rininë me teknologjinë. Kemi tashmë 95% të shërbimeve për njerëzit në mënyrë të plotë digjitale, pra kemi ndryshuar tërësisht marrëdhënien midis qytetarëve dhe shërbimeve të shtetit, duke i shndërruar në shërbime tërësisht, jo në letër. Në muajt në vijim do të mbyllim të gjitha zyrat ku qytetarët merrnin shërbime dhe praktikisht, gjithçka do jetë online. Në të njëjtën kohë, po bëjmë shumë përpjekje, në raport me arsimin, për të sjellë sa më shumë fëmijë në këtë botë të re të teknologjisë.

Unë besoj se jemi nga ato pak vende qe vijnë që kanë të njëjtin çmim të energjisë, sidomos për konsumatorët, familjarët dhe bizneset e vogla. Po bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbajtur këtë linjë. Kemi hyrë tashmë në një fazë të re duke ndryshuar modelin e sistemit tonë energjetik, ku vjen fjala për shitje dhe blerje, duke futur pjesën e ruajtjes, pra rezervat. Pas dy tenderëve të suksesshme për energjinë fotovoltaike, ne po ecim përpara dhe kemi shkuar përtej studimeve paraprake, kemi një potencial të madh për të përftuar sasi të konsiderueshme nga prodhimi në det. Ne besojmë se e gjithë kjo do të rrisë dhe diversifikoi prodhimin tonë të energjisë, sidoqoftë energjia hidrike, mbetet burimi ynë më i rëndësishëm.

Për turizmin, mes të jashtëzakonshmëve ne jemi më të jashtëzakonshmit sepse jemi të bekuar me det, me mal, me lumenj, me liqene. Praktikisht kemi shumë mundësi edhe pse tradicionalisht ne jemi mësuar të eksplorojmë vetëm bregdetin dhe ndryshe nga disa të tjerë, nuk kemi zhvilluar ende diçka serioze në aspektin malor, por ka nisur. Në të njëjtën kohë po shtojmë për shembull, dhe jam i sigurt që të gjithë jeni të njohur me lumin Vjosa, lumi i fundit në gjendje natyrore, pra i egër në Europë, e po bëjmë një plan transformimi për ta transformuar Vjosën, jo vetëm siç është sot, një zonë natyrore plotësisht e mbrojtur, por për ta bërë një park kombëtar, çka nënkupton shumë dhe në fakt kur them pjesërisht, nuk them që është diçka e vogël” u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Londër, ku mori pjesë  në punimet e Samitit të pestë të BERZH për Investimet në Ballkanin Perëndimor, i cili u zhvillua në Selinë e  BERZH-it në Londër, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit. Qëllimi i këtij Samiti është të evidentojë mundësitë për investime dhe biznes në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare. Sot, BERZH mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:43
Nga Bajpassi i Tiranës tek hekurudha Durrës-Prishtinë, cilat janë projektet e investimeve të financuara nga BERZH

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në punimet e Samitit të pestë të BERZH për Investimet në Ballkanin Perëndimor, i cili u zhvillua në Selinë e BERZH-it në Londër, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit. Qëllimi i këtij Samiti është të evidentojë mundësitë për investime dhe biznes në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.

Kreu i qeverisë bëri me dije se një rëndësi të veçantë e këtyre investimeve janë edhe hekurudhat Durrës – Prishtinë dhe Durrës – Lin, pjesë e Korridorit 8.

“Për projektet tanimë të miratuara të investimeve, Bajpasi i Tiranës, hekurudha Vorë – Hani i Hotit, Parku Fotovoltaik i Lundrueshëm në Vaun e Dejës dhe përshpejtimin e procesit për gazsjellësin Adriatiko-Jonian, si edhe hekurudhat Durrës – Prishtinë dhe Durrës – Lin, pjesë e Korridorit 8”,- tha Rama.

Ora 20:18
Rama takohet me kryeministrin britanik Boris Johnson

Kryeministri Edi Rama është takuar me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson. Kreu i qeverisë ka publikuar një foto bashkë me Johnson.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Londër, ku ka marrë pjesë në Samitin e pestë të BERZH për Investimet në Ballkanin Perëndimor, i cili u zhvillua në Selinë e  BERZH-it në Londër, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit.

Qëllimi i këtij Samiti është të evidentojë mundësitë për investime dhe biznes në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.