Moldavia do të jetë shteti i radhës ku do të mbahet takimi i dytë për Komunitetin Politik Europian (EPC). Burime bëjnë me dije Më datë 1 qershor do të jetë dita e parë e takimit, ndërsa kryeministri Edi Rama pritet të niset më herët për të zhvilluar takime paraprake me liderë të lartë  për të detajuar platformën e diskutimit të ardhshëm.

Moldavia është përcaktuar si vendi ku do të mbahet ky  samiti i dytë i iniciativës së ndërmarrë më herët nga presidenti francez. Kujtojmë që takimi i parë është mbajtur në kryeqytetin çek, Pragë.

Janë afro 47 shtete që do të takohen në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau.

Një prej arsyeve përse samiti do të mbahet në Moldavi janë edhe protestat masive në kryeqytetin e vendit Kishinau për të shprehur qëndrimin e tyre pro-evropian. Ndërsa presidentja e Moldavisë Maia Sandu e cila akuzoi Rusinë se po përpiqet të sabotojë integrimin europian të vendit, u zotua se deri në 2030-ën Moldavia do jetë anëtare e BE-së.

Diskutimet e Samitit të dytë të EPC-së do të fokusohen në tri tema kryesore: përpjekjet e përbashkëta për paqen dhe sigurinë; elasticiteti i energjisë dhe veprimi klimatik dhe ndërlidhjet në Evropë për një kontinent më të lidhur dhe më të qëndrueshëm.

Ky samit do të bazohet në themelet e mbledhjes fillestare të EPC-së që u mbajt në Pragë në tetor 2022. Samitet e EPC-së organizohen me rotacion nga secili pjesëmarrës vend me pritës të alternuar midis një shteti të BE-së dhe një shteti jo-anëtar të BE-së. Ky është samiti i parë EPC i organizuar nga një vend jo anëtar i BE-së.