Liderët e 32 shteteve së bashku me ata të Australisë, Zelandës së Re, Japonisë dhe Koresë së Jugut do të mblidhen të martën në Ankara të Turqisë për samitin e radhës së NATO-s. Ai vjen në klimën jo të qetë që presidenti amerikan Donald Trump ka krijuar për shkak të pakënaqësisve të tij në lidhje me shpenzimet e shteteve anëtare në mbrojtje edhe pas dakordësisë së një viti më parë për ta rritur atë në 5% të buxheteve përkatëse.
Në prag të nisjes së samitit Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, tha se pas Hagës, në Ankara do të diskutohen mekanizmat e financimit për të arritur tek 5% shpenzim për mbrojtjen.
“Vitin e kaluar bëmë shumë në Hagë, por tani duhet të zbatojmë vendimet e marra atje. Kjo nënkupton rritjen e shpenzimeve. Do të duhet të diskutojmë plane të besueshme financimi, duke u siguruar që të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë në rrugën e duhur për të arritur objektivin prej 5%. Ka edhe lajme të mira sa i përket industrisë së mbrojtjes, për rritjen e prodhimit, por edhe në lidhje me Ukrainën. Duhet të sigurohemi që Ukraina të ketë gjithçka që i nevojitet për të mbetur sa më e fortë në luftë dhe, natyrisht, të jetë në pozicionin më të mirë të mundshëm kur të nisin negociatat për paqe”, tha ai.
Mediat raportuan këtë të hënë se gjatë samitit pritet një takim i veçuar mes Donald Trump dhe Volodymir Zelenskyt. Pas tij pritet që Presidenti i SHBA-ve të telefonojë homologun e tij rus për të diskutuar për ecurinë e përpjekjeve për negociata në një moment kur sulmet ruse janë përshkallëzuar.
Kryeqyteti i Turqisë, Ankaraja, është gati të presë Samitin e liderëve të NATO-s, që do të zhvillohet më 7-8 korrik. Samiti pritet të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Presidencës, pranë Pallatit Presidencial të Turqisë.
E marta do të fokusohet tek forumet për industrinë e mbrojtjes ndërsa të mërkurën do të zhvillohet mbledhja plenare me liderët e gjithë shteteve.
Në përfundim të saj pritet me vëmendje deklarata e përbashkët dhe se çfarë vendi do t’i rezervohet samitit të ardhshëm të NATO-s në 2027-ën, i cili është programuar të zhvillohet në Shqipëri.
Komente








