Samiti IV i Diasporës Shqiptare do të mbahet në 14 dhe 15 prill të këtij viti, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama.  Njoftimi u dha të premten nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në Facebook. 

Në një mesazh drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, Balla theksoi se Shqipëria ndodhet sot në një moment të rëndësishëm përfaqësimi ndërkombëtar, duke e cilësuar atë si nivelin më të lartë të dinjitetit shtetëror në 113 vite pavarësi.

"Të dashur motra dhe vëllezër bashkëatdhetarë në diasporë, Shqipëria është sot në nivelin më të lartë të përfaqësimit dhe dinjitetit të saj në arenën ndërkombëtare, në këto 113 vite pavarësi. Shqipëria është sot model i Europës në Ballkanin Perëndimor, vend anëtar i Bordit të Paqes që pret vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s dhe do të përmbyllim bisedimet për anëtarësim në BE brenda vitit 2027. Ky është një mesazh inkurajimi për të ardhmen evropiane të shqiptarëve në Shqipëri, në trojet etnike dhe në diasporë. Diaspora jonë ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në këto momente historike. Prandaj më 14-15 Prill 2026, nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama, është thirrur Samiti IV i Diasporës Shqiptare. Një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve kudo në botë. Një mundësi për të ndarë ide, përvoja dhe për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe institucioneve në Shqipëri. Bëhu pjesë e këtij takimi të rëndësishëm" shkroi Balla në Facebook